Lidhje

Izrael: Greva dhe protesta kombëtare kundër ndryshimeve në drejtësi


Punonjësit e sektorëve kyçë në Izrael filluan të hënën një grevë mbarëkombëtare, që rrezikon të paralizojë ekonominë. Greva është një përshkallëzim i një lëvizjeje protestash kundër planit të kryeministrit Benjamin Netanjahu për ndryshime të thella në gjyqësor, të cilat do të dobësonin këtë sistem dhe do t’i jepnin më shumë të drejta kontrolli ndaj tij qeverisë dhe parlamentit. Shkarkimi gjatë fundjavës i Ministrit të Mbrojtjes pasi ai kritikoi reformën, ishte shtysa e fundit për protestuesit në gjithë vendin.

Fluturimet nga aeroporti kryesor ndërkombëtar i vendit u ndërprenë, qendrat tregëtare dhe universitetet mbyllën dyert dhe grupi më i madh i sindikatave të Izraelit bëri thirrje që 800,000 anëtarët e tij - në shëndetësi, tranzit, banka dhe fusha të tjera - të ndalojnë punën. Edhe sindikata kryesore e mjekëve njoftoi se anëtarët e saj do të hynin në grevë.

Dhjetëra mijëra vetë mbushën rrugët anembanë vendit në një shprehje spontane indinjate pas vendimit të kryeministrit për të shkarkuar ministrin e mbrojtjes.

Protestuesit hodhën parrulla dhe ndezën zjarre në autostradën kryesore të Tel Avivit, duke bllokuar autostradën dhe shumë rrugë të tjera në të gjithë vendin për orë të tëra.

Mijëra demonstrues mbërritën në Jeruzalem të hënën për të protestuar ndaj ndryshimeve. Ata e shohin lëvizjen e qeverisë Netanjahu si një hap drejt diktaturës.

"A nuk ka vuajtur mjaft populli hebre? Kjo është fjalia më e përshtatshme që mund të themi në këtë moment. Shko në shtëpi, na lër të qetë. Nuk më intereson kush vjen në vend të tij. Kushdo është më i mirë se Netanjahu", thotë protestuesi Tsur Livne.

"Kur Ministri i Mbrojtjes (Yoav Gallant) del në TV dhe thotë 'jemi në rrezik të madh'. Dhe më pas kryeministri thotë 'oh nuk po tregohesh besnik ndaj meje, kështu që unë do të të shkarkoj. Është e bezdisshme, madje më shumë se bezdisshme, është e tmerrshme", thotë studentja Avishage Biton.

Ndryshimet do të forconin kontrollin e qeverisë mbi emërimet në gjyqësor, do të kufizonin kompetencat e Gjykatës së Lartë për të rishikuar vendimet e qeverisë dhe do t’i jepnin Knessetit autoritetin për të rrëzuar vendimet e kësaj Gjykate dhe kufizuar shqyrtimin nga gjykatat të ligjeve. Ministri i Mbrojtjes, Yoev Gallant ishte anëtari i parë i lartë i partisë Likud në pushtet që foli kundër reformës, duke thënë se ndasitë e thella po kërcënonin të dobësonin ushtrinë.

"Përçarja në rritje në shoqërinë tonë po depërton në Forcat e Mbrojtjes së Izraelit dhe në agjencitë e sigurisë. Kjo përbën një kërcënim të qartë, të menjëhershëm dhe të prekshëm për sigurinë e shtetit", tha ai të shtunën.

Shkarkimi i Ministrit të Mbrojtjes duket se e mbushi kupën për shumë njerëz, përfshirë Histadrut-in, grupi më i madh ombrellë i sindikatave të vendit.

“Si mund të shkarkohet ai kështu? Çfarë jemi ne republikë bananesh? Ç’është kjo?” tha kreu i këtij grupi.

Shkarkimi sinjalizoi se kryeministri dhe aleatët e tij do të vazhdojnë këtë javë me hapat e planit për ndryshime. Megjithatë disa anëtarë të partisë së tij Likud thanë se do ta mbështesnin zotin Netanjahu nëse ai do t'i dëgjonte thirrjet për të ndalur ndryshimet, ndërsa media izraelite, duke cituar burime të paidentifikuara, njoftoi se ai në fakt mund ta ndalte reformën të pakën përkohësisht.

Protestuesit u mblodhën të hënën edhe para Knessetit, parlamentit të vendit ndërsa brenda parlamentit një komision miratoi ratifikimin e mundshëm një projekt-ligj kyç për ndryshimet e gjyqësorit.

Gjatë një sesioni të tensionuar mbi projektligjin, ligjvënës të opozitës përplasën duart në tryezë dhe bërtitën "turp, turp", ndërsa disa prej tyre u nxorrën nga salla.

Kryetari i komisionit për kushtetutën, ligjet dhe drejtësisë tha se procesit për projekt-ligjin do të vazhdojë si zakonisht dhe se koalicioni qëndron i fortë.

Plani për ndryshimet në gjyqësor, i ndërmarrë nga kryeministri Netanjahu, i cili është në gjyq për korrupsion, dhe aleatët e tij në qeverinë më të djathtë të Izraelit – e ka zhytur Izraelin në një nga krizat e brendshme më të rënda.

Trazirat kanë thelluar ndasitë mbi karakterin e Izraelit që kanë ekzistuar që nga krijimi i tij. Protestuesit thonë se po luftojnë për vetë shpirtin e kombit, duke thënë se reforma do të eliminojë sistemin e kontrolleve dhe balancave të Izraelit dhe do të sfidojë drejtpërdrejt idealet e tij demokratike.

Qeveria i ka etiketuar protestuesit si anarkistë që duan të rrëzojnë një udhëheqje të zgjedhur në mënyrë demokratike dhe thotë se plani do të rivendosë një ekuilibër midis degëve gjyqësore dhe ekzekutive dhe do të frenojë atë që ata e shohin si një gjykatë me kompetenca të tepruara me prirje liberale.

Në qendër të krizës është vetë Netanyahu, udhëheqësi më jetëgjatë i Izraelit, dhe pyetjet se deri ku është i gatshëm të arrijë ai për të ruajtur kontrollin e pushtetit, ndërkohë që ai vetë përballet me akuza për mashtrim, shkelje të besimit dhe marrje ryshfeti në tri çështje të veçanta. Ai mohon të ketë bërë shkelje.

Presidenti Izraelit, Isaac Herzog, bëri thirrje përsëri për ndalimin e menjëhershëm të planit. Të njëjtën gjë bëri edhe udhëheqësi i opozitës Yair Lapid.

“I bëj thirrje qeverisë së Izraelit, Likudit, të vijnë në vete, të ndalin legjislacionin dhe të vijnë të flasin me ne. Nuk kemi nevojë të përplasemi, nuk kemi nevojë të përçahemi. Ka zgjidhje”, tha ai.

Zhvillimet po ndiqen me vëmendje edhe në Uashington. SHBA megjithëse aleat i ngushtë me Izraelin, ka pasur shqetësime lidhur me zotin Netanjahu dhe elementët e ekstremit të djathtë të qeverisë së tij. Zëdhënësja e Këshillit të Sigurisë Kombëtare Adrienne Watson tha se Shtetet e Bashkuara ishin "thellësisht të shqetësuara" nga zhvillimet në Izrael, "të cilat nënvizojnë më tej nevojën urgjente për kompromis".

"Vlerat demokratike kanë qenë gjithmonë dhe duhet të mbeten një shenjë dalluese e marrëdhënieve SHBA-Izrael," u shpreh zonja Watson.

XS
SM
MD
LG