Policia shqiptare zbuloi të enjten në një zonë bujqësore të Beratit sasi të mëdha marijuane të kultivuar në mjedise të mbyllura, një mënyrë e re që grupet kriminale po e përdorin gjithnjë e më tepër në disa zona të vendit.
Sipas burimeve policore në zonën e njohur për kultivimin e perimeve të Dronovicës, Kutalli policia ndaloi disa dhjetëra gra, që punonin në sera të mbyllura plastmasi për përpunimin dhe paketimin e marijuanës dhe i dërgoi ato me autobuz në policinë e Beratit.
Sipas burimeve policore disa prej grave, në moshë mbi 50 vjeçare, kanë paraqitur nevojën e trajtimit shëndetësor dhe janë shoqëruar në spitalin civil për shkak të efektit të marijuanës në mjediset e mbyllura të serave.
Serat ishin në pronësi të shtetasit Hamit Dyli, i cili është arrestuar nga policia ndërsa hetimet paraprake kanë dëshmuar se ai i kishte lëshuar serat me qera në disa hekatrë tek persona të tjerë që janë shpallur në kërkim policor.
Sipas burimeve policore hetimet paraprake kanë provuar se gratë silleshin nga zona të tjera të Shqipërisë për t`u marrë me përpunimin e marijuanës.
Dëshmitarë i thanë Zërit të Amerikës se janë gjetur rroba dhe sende jetike të punëtorëve që mund të jenë strehuar me ditë të tëra në kushtet tejet të vështira në serat e plasmasit. Mund të kenë qenë 60 - 80 vajza dhe gra që punonin, tha një banor i zonës që kërkoi të mos identifikohej.
Policia asgjësoi me djegie një pjesë të marijuanës, ndërsa ende nuk ka deklaruar zyrtarisht numrin e personave të ndaluar dhe sasinë e marijuanës së gjetur.
Gati një muaj më parë një aksion i ngjashëm ishte zhvilluar në Bardhaj të Shkodrës ku 10 gra që udhëtonin nga disa zona periferike të Tiranës u gjetën në një fermë bujqësore tek merreshin me përpunimin e sasive të mëdha të marijuanës.
Po të enjten policia shqiptare tha se zbuloi në Derven të Krujës bimë narkotike, të kultivuara në mjedise të përshtatura me llamba për rritjen e tyre duke shpallur në kërkim tre persona të dyshuar që e organizonin këtë aktivitet.
Gjatë këtij viti dhjetëra operacione policore kanë provuar një tendencë të re të kultivimit dhe përpunimit të marijuanës në mjedise të mbyllura, kryesisht objekte të braktisura, shtëpi ku pronarët janë në emigrim, apo sera bujqësore.