Kush fshihet pas shpërthimeve të vitit të kaluar që dëmtuan tubacionet e gazsjellësit Nord Stream në Detin Baltik ?
Përgjigja mund të ketë ndërlikime të gjera për sigurinë energjitike në Evropë por edhe mund të kërcënojë unitetin e Perëndimit lidhur me mbështetjen për Ukrainën përballë agresionit të Rusisë. Gjithashtu mund të dëmtojë përpjekjet e Rusisë dhe Kinës për të fajësuar Perëndimin.
Megjithatë, gati gjashtë muaj pas sobotimit të gazsjellësit Nord Stream, ende nuk ka një shpjegim të pranuar. Por një seri raportimesh të pakonfirmuara që akuzojnë Rusinë, Shtetet e Bashkuara dhe Ukrainën po mbushin një vakum të lënë bosh nga shtypi ndërsa vazhdojnë hetimet.
Tubacionet, të njohura si Nord Stream 1 dhe Nord Stream 2, zotërohen kryesisht nga kompania shtetërore ruse Gazprom dhe transportojnë gaz natyral nga Rusia drejt Evropës në terminalin qendror në Gjermani.
Nord Stream u fut në punë në vitin 2011. Nord Stream 2 përfundoi në vjeshtën e vitit 2021 por asnjëherë nuk u fut në punë si rezultat i agresionit rus në Ukrainë shkurtin e vitit 2022.
Tubacionet anashkalojnë rrugët egzistuese përmes Ukrainës, çka nënkupton se Ukraina jo vetëm që humbet të ardhura nga tarifat e tranzitit, por nuk mund të përdorë drejtpërdrejt gazin që transportohet.
Më 2 shtator të vitit 2022 firma ruse Gazprom ndaloi rrjedhën e gazit përmes tubacioneve të Nord Stream 1 duke përmendur çështje që lidhen me sanksionet evropiane kundër Rusisë lidhur me sulmin në Ukrainë.
Tre javë më pas shpërthimet me lëndë plasëse nxorën nga përdorimi Nord Stream 1 dhe Nord Stream 2 duke shkaktuar rrjedhje të konsiderueshme gazi të mbetur në tubacione.
Thellësia e tubacioneve dhe kompleksiteti i përdorimit të lëndëve shpërthyese nënujore nxorën idenë se vetëm një aktor shtetëror me ekspertizë mund të ishte në gjendje të realizonte diçka të tillë.
Zyrtarët e Shteteve të Bashkuara sugjeruan se Rusia mund të fshihej pas shpërthimeve ndërsa nga ana tjetër Rusia akuzoi Shtetet e Bashkuara dhe Britaninë.
Hetimet e vendeve evropiane, përfshirë Danimarkën ku kalojnë tubacionet, ende nuk kanë dhënë rezultate përfundimtare.
TEORITË E RAPORTUARA
Gazetari investigativ amerikan Seymour Hersch, i njohur për ekspozimin në të kaluarën të abuzimeve të qeverisë amerikane, publikoi një raport të gjatë në muajin shkurt ku pretendon se Presidenti Joe Biden kishte urdhëruar sabotimin, për të cilin gazetari Hersch tha se ishte kryer nga CIA me ndihmën e Norvegjisë.
Raporti i bazuar në një burim të vetëm, të paidentifikuar, është mohuar kategorikisht nga Shtëpia e Bardhë, CIA dhe Departamenti i Shtetit. Asnjë rrjet mediatik nuk ka qënë në gjendje ta vërtetojë raportin.
Rusia dhe Kina shfrytëzuan shkrimin e gazetarit Hersch duke thënë se ishte bazë për një hetim të ri të paanshëm nga Kombet e Bashkuara.
Të martën, raportimet e gazetave amerikane “The New York Times”, “The Washington Post” dhe medias gjermane, cituan zyrtarë amerikanë dhe të tjerë se kishte prova që Ukraina ose të paktën shtetas ukrainas, mund të kenë qënë përgjegjës për shpërthimet. Qeveria ukrainase e ka mohuar përfshirjen.
Gazeta gjermane “Die Zeit” dhe mediumet publike gjermane ARD dhe SWR raportuan se hetuesit besonin se pesë burra dhe një grua përdorën një jaht të kontraktuar nga një kompani ukrainase në Poloni për të kryer sulmin.
Prokurorët federalë gjermanë konfirmuan se kishin kontrolluar një anije në janar.