Qeveria gjermane tha të martën se kishte marrë shënim një raportim të gazetës amerikane New York Times, që thotë se agjencitë amerikane të zbulimit sugjerojnë se një grup pro-ukrainas kreu sulmin ndaj gazsjellësit Nord Stream vitin e kaluar. Hetimi gjerman ende nuk ka nxjerrë përfundime.
Suedia, Danimarka dhe Gjermania informuan pak ditë më parë Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara se hetimet janë duke vazhduar dhe se ende nuk ka rezultate, tha një zëdhënës i Kancelarisë gjermane.
“Prokurori Publik Federal e ka hetuar çështjen që nga fillimi i tetorit 2022. Ndaj ka fjalën e fundit mbi procedurën”, shtoi zëdhënësi.
Të dhënat e reja të zbulimit, të shqyrtuara nga zyrtarët amerikanë, sugjerojnë se një grup pro-ukrainas që ka gjasa të përbëhet nga shtetas ukrainas dhe rusë kreu sulmin ndaj gazsjellësit Nord Stream vitin e kaluar. Zbulimi amerikan ende nuk ka arritur një konkluzion përfundimtar, njoftoi gazeta New York Times të martën.
Nuk ka prova që Presidenti Volodymyr Zelenskiyy, zyrtarë të tjerë të lartë, ose autorët po vepronin nën drejtimin e ndonjë zyrtari të qeverisë ukrainase, citon gazeta New York Times të kenë thënë zyrtarët amerikanë.
Agjencia e lajmeve Reuters nuk mundi të verifikonte raportin, ndërsa zyrtarët amerikanë nuk reaguan menjëherë ndaj një kërkese për të komentuar. Po ashtu as përfaqësues të Kievit apo Moskës nuk mund të kontaktoheshin menjëherë për koment.
Shtetet e Bashkuara dhe NATO-ja i kanë quajtur “akt sabotazhi” sulmet e shtatorit 2022 në tubacionet që shtrihen nën Detin Baltik, ndërsa Moska ka fajësuar Perëndimin. Asnjëra palë nuk ka dhënë prova.
Të ndërtuara nga kompania Gazprom, e kontrolluar nga shteti rus, tubacionet e gazsjellësit Nord Stream transportonin gaz nga Rusia drejt Gjermanisë. Nord Stream ka qënë një pikë e nxehtë deabti gjatë sulmit të Rusisë ndaj Ukrainës fqinje. Firma ruse Gazprom nuk iu përgjigj menjëherë një kërkese për koment.
Hulumtimet e zbulimit sugjerojnë se ata që kryen sulmet kundërshtojnë Presidentin rus Vladimir Putin, por nuk dhanë specifikime lidhur me pjestarët e grupit, ose se kush e drejtoi dhe financoi operacionin, shkruan gazeta New York Times.
“Zyrtarët amerikanë nuk pranuan të zbulojnë natyrën e të dhënave të zbulimit, mënyrën se si janë marrë, ose ndonjë detaj se sa të forta janë provat. Ata kanë thënë se nuk kanë konkluzione të qëndrueshme rreth saj”, citon gazeta zyrtarët e paidentifikuar.
“Zyrtarët që kanë shqyrtuar të dhënat e zbulimit thanë se besonin se sabotatorët ishin shtetas ukrainas ose rusë, ose ndonjë kombinim i tyre. Zyrtarët amerikanë thanë se nuk ishin përfshirë shtetas amerikanë apo britanikë”, sipas njoftimeve të gazetës New York Times.
Vendet evropiane, ku kalon gazsjellësi, po hetojnë ndërsa Departamenti i Shtetit ka thënë se nuk është palë në hetime. Muajin e kaluar Rusia i bëri thirrje Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara për hetime të pavarura.
Pas fillimit të agresionit në Ukranë, Evropa ka shkurtuar në mënyrë drastike importin e energjisë nga Rusia. Këtë javë Moska u bëri thirrje të gjitha palëve të përfshira në gazsjellësin Nord Stream që të vendosin për fatin e tij pasi tre nga katër tubacionet u shkatërruan nga sulmet. Kompania energjitike gjermane E.ON, një prej palëve në gazsjellësin Nord, nuk pranoi të komentonte.