WALTERBORO, Karolina e Jugut – Ish-avokati i njohur Alex Murdaugh u dënua të premten me burgim të përjetshëm, pasi u gjet fajtor për vrasjen e bashkëshortes dhe të djalit të tij. Dënimi i dhënë përjashton edhe mundësinë e bërjes së një kërkese në të ardhmen për një lirim me kusht.
Gjykatësi Clifton Newman e pyeti zotin Murdaugh nëse kishte diçka për të thënë përpara se t’i jepte vendimin me dy dënime të njëpasnjëshme me burgim të përjetshëm. Zoti Murdaugh, një avokat, ruajti qëndrimin se është i pafajshëm.
“Ju them sërish se e respektoj këtë gjykatë. Por jam i pafajshëm. Në asnjë rrethanë nuk do të lëndoja bashkëshorten time Maggie dhe në asnjë rrethanë nuk do të lëndoja kurrë djalin tim Paul-Paul”, u përgjigj zoti Murdaugh.
“Mund të mos kesh qenë vetëvetja. Mund të ketë vepruar përbindëshi në të cilin u shndërrove kur more 15, 20, 30, 40, 50, 60 pilula opioide. Ndoshta bëhesh një tjetër njeri”, u përgjigj Gjykatësi Newman, duke vënë në dukje varësinë nga qetësuesit prej disa dekadash të zotit Murdaugh.
Gjykatësi Newman e pyeti zotin Murdaugh se çfarë donte të thoshte kur foli gjatë mbrojtjes së tij për “rrjetën e mpleksur që thurim”.
“E kisha fjalën për kohën kur gjënjeja, kur vazhdoja të gënjeja”, u përgjigj zoti Murdaugh.
“Dhe pikëpyetja qëndron se kur do të marrë fund? Vazhdove të gënjesh dhe të gënjesh gjatë gjithë dëshmisë tënde”, tha gjykatësi.
Prokurori Creighton Waters tha se asnjë nga njerëzit që u lënduan nga krimi, anëtarët e familjes së zotit Murdaugh, si dhe prindërit dhe të afërmit e bashkëshortes së tij, nuk dëshiruan të flisnin në emër të akuzës përpara se të jepej dënimi.
“Ligësia, mospërfillja dhe egoizmi i këtyre krimeve janë tronditëse. Mungesa e keqardhjes dhe lehtësia me të cilën ai qëndron këtu në bankën e dëshmitarëve; i nderuari gjykatës, një njeri si ky nuk duhet të lejohet në radhët e qytetarëve të lirë që zbatojnë ligjet”, tha Prokurori Waters.
Prokurorët kishin kërkuar dënimin e përjetshëm për ta ndëshkuar zotin Murdaugh për dekada të tëra gënjeshtrash dhe vjedhjeje, si dhe shfrytëzimin e influencës së konsiderueshme të familjes së tij në një qytet të vogël. Vendimi ndalon mundësinë e apelit në të ardhmen për shkurtim të vuajtjes së dënimit në burg.
Zoti Murdaugh qëndronte përpara gjykatësit për të mësuar fatin e tij, në të njëjtën sallë ku babai i tij, gjyshi dhe stërgjyshi i tij ishin paraqitur si kryeprokurorë për mbi 80 vjet. Portreti i gjyshit të tij ishte ende në murin e sallës së gjykatës, kur gjykatësi urdhëroi që të hiqej për periudhën që do të zhvillohej procesi gjyqësor.
Katie Dearybury udhëtoi nga qyteti Charleston së bashku me vajzën e saj 1-vjeçare për të dëgjuar dhënien e vendimit.
“Të gjithë njohin një person statusi i të cilit e ka ndihmuar t’u shpëtojë pasojave për shkeljet që ka bërë”, tha ajo. Ajo ishte e interesuar për faktin që sistemi më në fund po vepronte në një rast që ajo e pati ndjekur që nga fillimi.
Juria gjyqësore e mbledhur në bashkinë Colleton u konsultua për vetëm tre orë përpara se të vendoste se zoti Murdaugh është fajtor për vrasjen me dy pushkë të ndryshme të djalit të tij 22-vjeçar Paul, dhe bashkëshortes së tij 52-vjeçare më 7 qershor 2021.
Anëtari i jurisë Craig Moyer i tha kanalit ABC News se kur filloi konsultimi, juria bëri menjëherë një anketim që rezultoi me nëntë vota në favor të fajësisë. Nuk u desh shumë kohë që të bindeshin edhe tre anëtarët e tjerë të jurisë.
Zoti Moyer ishte dakort me prokurorët se prova kryesore ishte një video që kishte qëndruar e kyçur në telefonin e djalit, një video e filmuar vetëm disa minuta përpara vrasjeve në vendin ku mbanin qentë e gjahut, po aty ku u gjetën edhe kufomat.
Zërat e të tre anëtarëve të familjes dëgjohen në video, megjithëse Alex Murdaugh pati këmbëngulur prej 20 muajsh se nuk kishte qenë atë natë i pranishëm tek vendi ku mbanin qentë e gjahut. Kur po fliste për të mbrojtur veten, ai fillimisht pranoi se i kishte gënjyer hetuesit për këtë, duke shtuar se kishte frikë nga strukturat e zbatimit të ligjit pasi ishte i varur nga opioidet dhe natën e vrasjeve kishte patur pilula në xhep.
“Një gënjeshtar i zoti. Por jo mjaftueshëm”, tha anëtari i jurisë Moyer.
Prokurorët nuk kishin në dispozicion armët që u përdorën apo prova të tjera të drejtpërdrejta, si rrëfime apo gjurmë gjaku. Por, ata kishin të dhëna të shumta rrethanore, përfshirë videon që tregonte se zoti Murdaugh ndodhej në skenën e vrasjeve pesë minuta përpara se bashkëshortja e tij dhe djali të përdornin telefonat e tyre për herë të fundit.
Nga 75 dëshmitarë dhe nga 800 lloje të ndryshme të dhënash, anëtarët e jurisë mësuan se si ishin mashtruar miqtë dhe klientët; ata dëgjuan për përpjekjet e dështuara të zotit Murdaugh për të inskenuar vetë vdekjen e tij për të marrë shpërblimin nga siguracioni; për një përplasje fatale të varkës ku ishte përfshirë edhe djali i tij; për pastruesen e shtëpisë që vdiq pas rrëzimit në shtëpinë e zotit Murdaugh, si dhe për skenën rrënqethëse të vrasjeve.
Zoti Murdaugh, të cilit tashmë i është hequr edhe licenca e avokatit, pranoi të ketë vjedhur miliona dollarë nga firma e familjes së tij dhe nga klientët, duke thënë se i duheshin paratë për të vazhduar ndërvarësinë nga droga. Përpara se ndaj tij të ngriheshin akuzat për vrasje, zoti Murdaugh mbahej në paraburgim në pritje të zhvillimit të një procesi tjetër gjyqësor për rreth 100 akuza të tjera, duke filluar që nga mashtrimi me siguracionin dhe deri tek shmangia e taksave.
Kur filloi mbrojtjen javën e kaluar, zoti Murdaugh u duk se po qante ndërsa mohoi në mënyrë të përsëritur të kishte vrarë të shoqen. Por, anëtari i jurisë Moyer tha se kuptoi që ishte thjesht një tjetër gënjeshtër.
“Nuk qau ndonjëherë. Vetëm po shfrynte hundën”, tha zoti Moyer. “Nuk pati lotë. Ia pashë sytë. Isha shumë afër tij”.