Lidhje

Shqipëri, Gjykata Kushtetuese rrëzon qeverinë për kontrollin e çmimeve të shportës


Gjykata Kushtetuese
Gjykata Kushtetuese

Në Shqipëri, Gjykata Kushtetuese vendosi të mërkurën që të shfuqizojë aktin normativ me të cilin qeveria miratoi në mars të vitit të shkuar ngritjen e një bordi të përbashkët mes përfaqësuesve të saj dhe të biznesit për “transparencën dhe monitorimin e çmimit për disa produkte ushqimore bazë dhe produkte të tjera të lidhura me to si pasojë e situatës së veçantë të krijuar në treg”.

Vendimi u mor ndërsa në vend u rregjistrua një rrije e fortë e çmimeve si pasojë e agresionit rus në Ukrainë, dhe synon të frenonte abuzimet e mundshme të tregtarëve.

Por sipas Gjykatës Kushtetuese, aktet e miratuara nga qeveria “nuk plotësojnë kriteret kushtetuese të parashikuara në nenin 101 të Kushtetutës”, i cili përcakton se “Këshilli i Ministrave, në rast nevoje dhe urgjence, nën përgjegjësinë e tij, mund të nxjerrë akte normative që kanë fuqinë e ligjit, për marrjen e masave të përkohshme…”.

Gjykata Kushtetuese u vu në lëvizje nga deputetët e opozitës, të cilët duartrokitën vendimin e Gjykatës. Deputeti demokrat Gazmend Bardhi foli për “një tjetër betejë të fituar me qeverinë dhe oligarkët e saj”. Në postimin e tij në Facebook zoti Bardhi shtoi se “vendimi i sotëm i Gjykatës Kushtetuese mbron interesin publik”.

Edhe deputetja demokrate Jorida Tabaku po ashtu u shpreh se me vendimin e saj “Gjykata Kushtetuese shpëton shqiptarët nga bordet socialiste. Bordi komunist, që në periudhë krize ka vendosur çmime abuzive në kurriz të xhepave të shqiptarëve duke rritur me të paktën 30% çmimet e shportës dhe duke bërë biznes me krizën e shqiptarëve, tanimë është nul!”, shkroi zonja Tabaku në Facebook, duke nënvizuar se qytetarët presin tanimë vendimin dhe për Bordin e Karburanteve.

Në dallim nga bordi për çmimet e ushqimeve, i cili ndërhyri vetëm pak herë, ai I karburanteve, i ngritur me të njejtin qëllim ka qenë shumë më tepër aktiv. Fillimisht u deklarua se tregtarët e karburanteve do të duhej të hiqnin dorë nga fitimet e tyre dhe se çmimet e percaktara nga Bordi do t’u lejonin atyre të mos dilnin me humbje. Por pak javë më vonë, qeveria i bëri një ndryshim aktit normative që përmbante formulën e përllogaritjes së çmimit duke përfshirë një fitim prej 12 lekësh për litër për shitjet me pakicë.

Pas vendimit të sotëm, Gjykata Kushtetuese pritet që me gjasë, të mbajë të njejtin qëndrim dhe për rastin e karburanteve.

XS
SM
MD
LG