Lidhje

Rama: Nën kontroll dhe çmimet e artikujve bazë të shportës


Në Shqipëri qeveria shqiptare bëri të ditur sot se ashtu siç bëri me çmimet e karburanteve, do të ndërhyjë edhe për artikujt bazë ushqimorë të shportës. Kryeministri Edi Rama e komunikoi këtë vendim në një takim që ai pati me përfaqësuesë të kompanive që prodhojnë ose furnizojnë tregun. Një bord i përbashkët mes qeverisë dhe bizneseve do të përcaktojë çmimet me një marzh fitimi që nuk pengon aktivitetin normal të kompanive. Por për kryetarin e Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë së Tiranës Nikolin Jaka, toleranca dhe sakrifica duhet të dëshmohet nga të dyja palët.

Rama: Nën kontroll dhe çmimet e artikujve bazë të shportës
please wait

No media source currently available

0:00 0:02:55 0:00

Ndërsa një javë më parë, kryeministri Rama mblodhi furnizuesit e karburanteve, sot ai kishte thirrur përfaqësuesit e kompanive prodhuese dhe shpërndarëse të artikujve ushqimorë. Qëllimi ishte i njejtë. Qeveria do të ndërhyjë edhe këtu për të frenuar rritjen e çmimeve të artikujve bazë të shportës, përmes një bordi të përbashkët me përfaqësuesit e këtyre bizneseve me shumicë dhe pakicë
“Çmimet e ushqimeve bazë do vendosen aty e askush nuk do tolerohet të vendosë çmime të ndryshme nga çmimet e vendosura aty dhe kush do vendosë çmime të ndryshme nga çmimet e vendosura aty, do humbasë prodhimin, do t’ia konfiskojmë komplet”, deklaroi zoti Rama.
E gjitha do të përcaktohet nga një akt normativ që pritet të miratohet nesër nga qeveria.
Kryeministri megjithatë theksoi disa herë, se kjo është një ndërhyrje e imponuar nga agresioni në Ukrainë, nga ana e Rusisë, një vend furnizues i shumë lëndëve të para, por dhe nga efektet zinxhir që kjo luftë ka prodhuar.
Zoti Rama tha se çmimet nuk do të përcaktohen në mënyrë arbitrare: “Ju do të paraqisni gjithë strukturën logjike se si bazuar në shifra sa ju del dhe aty do të vendoset dhe sigurisht që marzhi i fitimit do të ngrijë në një pikë që t’ju lejojë ju vazhdimin e operacionit, por jo që ju të dilni me fitim njësoj siç kemi dalë me fitim, se kjo nuk ka sens, se që ju të dilni me fitim, siç keni dalë gjithmonë me fitim, duhet të vuajë këtu një popullsi e tërë, por jo, këtë ne nuk mund ta lejojmë”
Pothuajse të gjitha produket ushqimore kanë shënuar një rritje të ndjeshme të çmimeve, të cilat në disa raste, për artikuj të veçantë, kanë kërcyer deri dhe mbi 50 përqind.
Kryetari i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Nikolin Jaka, i tha Zërit të Amerikës se “kriza dhe emergjenca është aktuale” dhe se “çmimet e të gjitha lëndëve të para dhe produkteve të gatshme kanë kapërcyer çdo parashikim dhe pritshmëri”.
Sipas tij në këtë situatë “kërkohet ndërgjegjësimi për kontribut pse jo edhe sacrifice, nga të gjithë aktorët dhe faktorët. Sipërmarrja private nga njera anë duhet të heq dorë nga norma e fitimit të paktën për një periudhe dy mujore”, por nga ana tjetër, theksoi ai, “qeveria shqiptare duhet të hartojë në mënyrë të menjëhershëm paketën e ndërhyrjeve fiskale për një periudhë po dy mujore. Toleranca dhe sakrifica duhet të dëshmohet nga të gjitha palët”, u shpreh zoti Jaka duke kujtuar se sipas tij, “sipërmarrja sot është në kushtet e mbijetesës, pasi vjen nga një krizë pandemike dy vjeçare pa asnje mbështetje të qenësishme nga qeveria. Krizat përballohen me kurajë, integritet dhe ndarje risku”, theksoi zoti Jaka.
Ndërhyrja në tregun e karburanteve, falë dhe një rënieje në tregjet ndërkombëtare, çoi në dy ulje të njëpasnjëshme. Në harkun e një jave, çmimet ranë me më shumë se 50 lek për litër, ose me mbi 20 përqind.
Rritja e ndjeshme e çmimeve çoi në një valë protesash që përfshinë thuajse të gjithë vendin, por intesiteti i tyre erdhi duke u reduktuar. Qeveria ndërkohë paraqiti një paketë antikrizë, të cilën opozita e ka konsideruar të pamjaftueshme duke këmbëngulur për ndërhyrje në sistemin e taksave.

XS
SM
MD
LG