Trupat e Forcës së Sigurisë së Kosovës parakaluan të premten në sheshin qendror të Prishtinës, në kuadër të veprimtarive për nder të 15 vjetorit të pavarësisë së Kosovës.
Shumë qytetarë me flamujt e Kosovës dhe ata kombëtar shqiptar në duar u rreshtuan përgjatë sheshit për të ndjekur parakalimin dhe për të kremtuar.
“Në këtë 15- vjetor sot këtu, ritmi i ecjes sonë është i përcaktuar nga ritmi i hapave të këmbëve të ushtarëve dhe policëve të Kosovës. Këta djem dhe vajza, që do të parakalojnë para nesh në sheshin qendror të kryeqytetit të republikës, janë bijtë dhe bijat e këtij vendi, të betuar për ta mbrojtur edhe me jetën e tyre, sovranitetin e territorin si dhe rendin e ligjin e Republikës së Kosovës”, tha kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.
Disa nga kremtuesit në Prishtinë me të cilët bisedoi Zëri i Amerikës thanë se presin zhvillim ekonomik e sundim të ligjit në të ardhmen, ndërsa vunë theksin te sakrificat për liri e pavarësi.
“Kur është shpallur pavarësia edhe lot kemi derdhur për atë gjakderdhje që është bërë, për ato jetëra të dëshmorëve tonë që i kanë dhënë dhe e kemi ditur se vlerat e tyre u treguan. Në këtë drejtim edhe sot e asaj dite jemi përkrahës të nënave të dëshmorëve, dashtë Zoti që kurrë mbi varret e tyre e mbi gjakun e tyre mos të shkelet”, tha Ismail Mustafa.
“Dëshira ime është të jetë më mirë, mos të ketë më mosmarrëveshje, të jemi në liri e të kemi pasuri, punësim, rini të fortë, shkollim”, tha Milaim Hasani.
“Ndjesia ime për këtë ditë është e përzier, e para është ndjenjë e veçantë se i kemi bërë 15 vjet nga pavarësia, e dyta është se ky përvjetor është pa udhëheqësit dhe liderët tanë kryesor të luftës dhe asaj që sot jemi këtu. Shpresoj dhe besoj që së pari pafajësia e liderëve tanë të vërtetohet në Gjykatën e Hagës, e dyta bashkë me të tjerët të bëhet Kosova një vend ku do të ketë rend e ligj”, tha Daut Xhemajli.
“Kjo ditë për mua është një ditë jashtëzakonisht e veçantë, jo vetëm për mua por për të gjithë shqiptarët, respekt për të gjithë ata që u flijuan e dhanë jetën që ne sot të gëzojmë lirinë dhe të festojmë 15 vjetorin. Gëzuar shqiptar kudo që jeni, urime pavarësia e Republikës së Kosovës”, tha Sadik Emra nga Tetova.
Kosova shpalli pavarësinë nga Serbia me 17 shkurt të vitit 2008, nëntë vjet pas ndërhyrjes së NATO-s për t’u dhënë fund mizorive të forcave serbe mbi popullsinë shqiptare.
Pavarësia e Kosovës njihet nga mbi 100 vende të botës përfshirë Shtetet e Bashkuara dhe vendet kryesore të Bashkimit Evropian, por, Serbia vazhdon ta kundërshtojë me mbështetjen e Rusisë dhe Kinës.