Presidenti Joe Biden tha të enjten se Shtetet e Bashkuara po punojnë në krijimin e “rregullave më të forta” për të gjurmuar, monitoruar dhe qëlluar objektet e paidentifikuara ajrore.
Vendimi pason debatet tre javore që nxiti zbulimi i balonës spiune kineze që kaloi mbi pjesën më të madhe të vendit para se të qëllohej nga një avion luftarakë.
Presidenti Biden e ngarkoi këshilltarin e sigurisë kombëtare Jake Sullivan me detyrën e udhëheqjes së një ekipi të agjencive qeveritare për të rishikuar procedurat e Shteteve të Bashkuara pas rrëzimit të balonës kineze dhe tre objekteve të tjera ajrore që Uashingtoni beson se përbënin një kërcënim më të vogël. Presidenti Biden tha të ejten se shpreson se rregullat e reja do të ndihmojnë në përpjekjet “për të bërë një dallim të qartë mes objekteve që rrezikojnë sigurinë dhe kërkojnë veprime të menjëhershme dhe atyre që nuk paraqesin rrezik”.
Presidenti Joe Biden tha të enjten se pret të bisedojë me Presidentin e Kinës Xi Jinping për atë që Shtetet e Bashkuara thonë se ishte një balonë spiune kineze, të cilën një avion luftarak amerikan e rrëzoi në fillim të këtij muaji, pasi kaloi përmes Shteteve të Bashkuara.
“Nuk po kërkojmë një luftë të re të ftohtë”, tha Presidenti Biden.
Këto ishin komentet më të zgjeruara që zoti Biden ka bërë rreth balonës kineze dhe tre objekteve të paidentifikuara të rrëzuara nga avionët amerikanë. Ai nuk tha se kur do të bisedonte me zotin Xi, por tha se Shtetet e Bashkuara vazhdonin të kishin kontakte diplomatike me Kinën për këtë çështje.
“Pres të flas me Presidentin Xi, shpresoj se do t'i shkojmë deri në fund, por nuk kërkoj falje që e rrëzuam balonën”, tha Presidenti Biden në përgjigje të ankesave nga Pekini.
Kina thotë se balona, me madhësinë e tre autobusëve, kishte si qëllim monitorimin e kushteve të motit, por Uashingtoni thotë se ishte qartazi një balonë përgjimi, me një ngarkesë masive që përmbante pajisje elektronike.
Presidenti Biden, i cili ka dhënë pak komente publike në lidhje me valën e objekteve ajrore që nisën të shfaqen pas balonës kineze, theu heshtjen, pasi ligjvënësit kërkuan më shumë informacion mbi incidentet, të cilat kanë habitur shumë amerikanë.
Ai tha se komuniteti amerikan i zbulimit ishte ende duke u përpjekur të mësonte më shumë rreth tre objekteve të paidentifikuara: një që u rrëzua mbi Alaskë, një mbi Kanada dhe një i tretë që ra në liqenin Huron.
"Nuk e dimë ende saktësisht se cfarë ishin këto tre objekte, por asgjë tani nuk sugjeron se ato ishin të lidhura me programin kinez të balonave të spiunazhit, ose që ato ishin objekte përgjimi nga ndonjë vend tjetër", tha ai.
Presidenti Biden tha se objektet mund të ishin pikasur për shkak të një përqendrimi më të madh të radarëve si pasojë e incidentit me balonën kineze dhe se ai dhe ekipi i tij, po punonin për përcaktimin e parametra të rinj, se kur duheshin goditur me raketa, objekte të tilla.
Komuniteti i zbulimit beson se tre objektet ishin "me shumë gjasë, balona të lidhura me kompani private, institucione argëtimi ose kërkimore", tha Presidenti Biden.
Fjalimi i presidentit nga Shtëpia e Bardhë vjen pasi ai vendosi Këshilltarin e Sigurisë Kombëtare Jake Sullivan në krye të një grupi pune, me pjesëmarrjen e disa agjencive, për të rishikuar procedurat amerikane pas rrëzimit të balonës kineze, si dhe të tre objekteve që tashmë Shtetet e Bashkuara besojnë se ishin objekte pa qëllime të këqija. Rasti i balonës kineze të përgjimit shënoi herën e parë që Shtetet e Bashkuara goditën dhe rrëzuan një objekt të paautorizuar në hapësirën ajrore të Shteteve të Bashkuara, një proces që u përsërit tre herë pas një jave.
Sekretarja e shtypit Karine Jean-Pierre tha se ekipi "do të shqyrtojë se si i gjurmojmë (objektet), se si vendosim të ndërmarrim veprime dhe nëse ka ndonjë gjë tjetër që duhet bërë". Ajo tha se do të njoftoheshin "protokolle të përditësuara" këtë javë.
Balona kineze ka përshkallëzuar tensionet midis Shteteve të Bashkuara dhe Kinës. Sekretari i Shtetit Antony Blinken shtyu një udhëtim në Kinë javën e kaluar. Sekretari Blinken udhëton të enjten për në Konferencën e Sigurisë në Mynih mes spekulimeve se ai mund të shfrytëzojë mundësinë për të takuar zyrtarin e lartë kinez të politikës së jashtme Wang Yi, i cili gjithashtu do të marrë pjesë në konferencë.
Presidenti Biden kishte qëndruar kryesisht i heshtur për çështjen e tre objekteve të rrëzuara të premten në brigjet e Alaskës, të shtunën mbi Kanada dhe të dielën mbi liqenin Huron. Të hënën, Shtëpia e Bardhë njoftoi se nuk kishte asnjë tregues për “jashtëtokësorë apo aktivitet jashtëtokësor”. Deri të mërkurën, zyrtarët amerikanë thanë se ishin ende duke punuar për të gjetur pjesët e mbetura nga objektet, por se ata prisnin që të tre objektet të mos kishin lidhje me operacionet e përgjimit.
"Komuniteti i zbulimit po shqyrton si shpjegim kryesor se këto mund të jenë thjesht balona të lidhura me ndonjë qëllim komercial ose jo keqdashës", tha zëdhënësi për sigurinë kombëtare në Shtëpinë e Bardhë, John Kirby. Asnjë vend apo kompani private nuk është paraqitur për të kërkuar ndonjë nga objektet, tha zoti Kirby. Objektet nuk duket se janë operuar nga qeveria amerikane.
Ende të pazgjidhura janë pyetjet në lidhje me balonën origjinale, përfshirë aftësitë përgjuese që kishte dhe nëse po transmetonte sinjale, ndërsa fluturonte mbi objekte të rëndësishme ushtarake në Shtetet e Bashkuara. Sipas një zyrtari amerikan, zbulimi amerikan besonte se fillimisht balona ishte drejtuar për në territorin amerikan të Guamit.
Shtetet e Bashkuara e patën gjurmuar atë për disa ditë pasi u nis nga Kina, tha zyrtari, i cili foli për agjencinë e lajmeve Associated Press në kushte anonimiteti. Duket se objekti ka devijuar nga trajektorja e tij fillestare dhe në fund ka fluturuar mbi territorin kontinental të Shteteve të Bashkuara, tha zyrtari.
Balona dhe objekte të tjera të paidentifikuara janë parë edhe më parë mbi Guamin, një qendër strategjike për Marinën dhe Forcat Ajrore të Shteteve të Bashkuara në pjesën perëndimore të Oqeanit Paqësor.
Është e paqartë se sa kontroll kishte Kina mbi balonën pasi ajo u largua nga trajektorja e saj origjinale. Një zyrtar i dytë amerikan tha se balona mund të ishte manovruar nga distanca ose mund të ishte drejtuar për të shkuar mbi një objektiv specifik, por është e paqartë nëse forcat kineze e bënë këtë gjë.
Pas rrëzimit të balonës, Shtëpia e Bardhë bëri të ditur se mjete të tilla kishin përshkuar territorin amerikan të paktën tre herë gjatë administratës së ish-Presidentit Donald Trump, gjë për të cilin nuk ishin në dijeni as ish-presidenti apo ndihmësit e tij. Po kështu të tjera balona kanë fluturuar mbi dhjetëra vende në pesë kontinente. Zoti Kirby theksoi të hënën se ato u zbuluan vetëm nga administrata e Presidentit Biden.