Lidhje

Fillon funerali shtetëror për ish-Presidentin Carter


Makina e funeralit me trupin e ish-Presidentit Jimmy Carter duke udhëtuar në Xhorxhia (4 janar 2025)
Makina e funeralit me trupin e ish-Presidentit Jimmy Carter duke udhëtuar në Xhorxhia (4 janar 2025)

ATLANTA - Gjashtë ditët e funeralit për ish-Presidentin Jimmy Carter filluan të shtunën në Xhorxhia, ku ai vdiq më 29 dhjetor në moshën 100-vjeçare.

Aktivitetet e para pasqyrojnë ngjitjen e tij në shkallët e politikës, duke filluar që nga qyteza Plains, në Xhorxhia, dhe deri në dekadat në skenën globale si aktivist humanitar dhe i demokracisë.

Fillimisht nderimi për rrënjët e thella të zotit Carter në Xhorxhian rurale jugore

Ceremonitë e transmetuara drejtpërdrejt në Shtetet e Bashkuara, filluan të shtunën me mbërritjen paradite të familjes Carter në Qendrën Mjekësore “Phoebe Sumter”, në Americus.

Ish-agjentët e Shërbimit Sekret që mbronin zotin Carter, ecën përkrah makinës së funeralit, ndërsa ajo dilte nga kampusi në rrugën për në qytezën Plains.

Agjentë dhe ish-agjentë të Shërbimit Sekret, shoqërojnë trupin e ish-Presidentit Carter
Agjentë dhe ish-agjentë të Shërbimit Sekret, shoqërojnë trupin e ish-Presidentit Carter

James Earl Carter Jr. jetoi mbi 80 nga 100 vitet e tij në qytezën, që ka ende më pak se 700 banorë, jo më shumë se kur ai lindi më 1 tetor 1924. Disa presidentë të tjerë të periudhës moderne - si Richard Nixon, Ronald Reagan dhe Bill Clinton - gjithashtu u rritën në qytete të vogla, por zoti Carter dallohet për rikthimin dhe qëndrimin në vendlindjen e tij për një kohë të gjatë pas presidencës.

Autokolona lëvizi përmes qendrës së qytezës Plains, e cila shtrihet në vetëm në disa blloqe, duke kaluar pranë shtëpisë së vajzërisë së zonjës së parë Rosalynn Smith Carter, e cila vdiq në nëntor 2023 në moshën 96-vjeçare, dhe afër vendit ku gjendeshin magazinat e kikirikut në pronësi të familjes. Përgjatë rrugës gjendet edhe magazina e vjetër e trenit që shërbeu si selia e fushatës presidenciale të Jimmy Carter-it në vitin 1976 dhe stacioni i karburantit që dikur drejtohej nga vëllai i tij më i vogël, Billy.

Autokolona kaloi pranë kishës ku çifti Carter u martua në vitin 1946 dhe shtëpisë ku ata jetuan dhe vdiqën. Ish-Presidenti do të varroset atje së bashku me bashkëshorten Rosalynn.

Çifti Carter ndërtoi shtëpinë njëkatëshe, tashmë të rrethuar me gardhet e vendosura nga Shërbimi Sekret, përpara fushatës së tij të parë për në Senatin e shtetit Xhorxhia në vitin 1962 dhe jetuan jetën e tyre atje, me përjashtim të katër viteve në Rezidencën e Guvernatorit dhe katër të viteve të tjera në Shtëpinë e Bardhë.

Procesioni u ndal edhe tek shtëpia e fëmijërisë e ish-Presidentit Carter, një fermë në Archer, e cila tashmë është pjesë e Parkut Historik Kombëtar “Jimmy Carter”.

Në vazhdim autokolona drejtohet për në Atlanta ku do të ndalet në Kapitolin e shtetit të Xhorxhias, ku zoti Carter pati shërbyer si senator dhe më pas si guvernator. Më pas, në Qendrën Presidenciale Carter do të ketë një shërbesë private, e cila do të pasohet me ceremoninë e homazheve nga publiku, që do të vazhdojnë deri ditën e hënë.

Arkivoli i ish-Presidentit Carter do të sillet në vazhdim në kryeqytetin e vendit, Uashington, ku do të bëhen homazhe ditën e enjte në hollin e Kapitolit të Shteteve të Bashkuara dhe në vazhdim do të ketë një funeral në Katedralen Kombëtare të Uashingtonit. Në ceremoni janë ftuar të gjithë ish-Presidentët dhe fjalimi do të mbahet nga Presidenti Joe Biden.

Më pas, trupi i tij do të rikthehet në qytezën Plains, në Xhorxhia për një shërbesë private funebre në Kishën Baptiste Maranatha, ku vetë zoti Carter, një evangjelist i përkushtuar, jepte mësim në orët e katekizmit. Ish-presidenti Carter do të varroset në një ceremoni private pranë shtëpisë.

XS
SM
MD
LG