Një juri e posaçme, që hetoi përpjekjet e Presidentit të atëhershëm Donald Trump dhe aleatëve të tij për të përmbysur rezultatin e zgjedhjeve në shtetin e Xhorxhias, beson se disa dëshmitarë kanë gënjyer ndaj po i kërkon prokurorisë të ngrejë aktakuza.
Juria rekomandoi që prokurori i qarkut të “ngrejë akuza penale për ato raste ku provat për dëshmi të rreme janë bindëse”. Përveç seksionit mbi dëshmitë e rreme, të enjten u publikua edhe parathënia dhe konkluzioni i raportit. Megjithatë, çdo rekomandim për akuza të mundshme penale për persona të caktuar për momentin, do të mbahet i fshehtë.
Ndërsa raporti nuk jep detaje të rëndësishme, përfshirë se kush besohet se ka ofruar dëshmi të rreme dhe nëse duhet të ngrihen aktakuza të tjera, kjo shënon rastin e parë të publikimit të rekomandimeve të jurisë së madhe, për akuza penale të lidhura me rastin në fjalë.
Ky është një prej hetimeve që mund të ketë pasoja të rënda ligjore për ish-presidentin, ndërsa ai vazhdon fushatën e tretë për Shtëpinë e Bardhë.
Pavarësisht pretendimeve të vazhdueshme të zotit Trump për manipulim në zgjedhje, anëtarët e jurisë përmes një votimi unanim, u shprehën se gjatë zgjedhjeve presidenciale të vitit 2020 në Xhorxhia, parregullsitë nuk ishin të atij niveli që mund të çonin në ndryshimin e rezultatit.
Anëtari i Gjykatës së Lartë të Qarkut Fulton, Robert McBurney, i cili mbikëqyri jurinë speciale dha urdhër për publikimin e pjesshëm të raportit.
Gjatë një seance dëgjimore muajin e kaluar, prokurorët i kërkuan atij që të mos publikonte raportin derisa të vendosin për akuzat, ndërsa një grup organizatash mediatike bënë thirrje që i gjithë raporti të bëhej publik menjëherë.
Gjykatësi McBurney shkroi në urdhrin e tij se aktualisht nuk ishte e përshtatshme të publikohej raporti i plotë, pasi sipas tij ishte e rëndësishme mbrojtja e të drejtave ligjore te atyre njerëzve, për të cilët juria e madhe rekomandoi ngritjen e akuzave penale.
Juria e madhe e posaçme, e cila u kërkua nga prokurorja e Qarkut Fulton Fani Willis, për të ndihmuar hetimet që po kryente zyra e saj, filloi punën në maj dhe ia dorëzoi raportin anëtarit të Gjykatës së Lartë të Qarkut Fulton Robert McBurney, më 15 dhjetor. Trupi gjykues nuk ka fuqinë për të ngritur aktakuza. Por raporti përmban rekomandime për zonjën Willis, së cilës i takon fjala e fundit për të vendosur nëse do të kërkojë ngritjen e një ose më shumë aktakuzave, nga një juri e madhe e rregullt.
Gjatë rreth shtatë muajve, anëtarët e jurisë të posaçme dëgjuan dëshmi nga 75 persona, mes tyre aleatë të ish-Presidentit Trump, duke përfshirë ish-kryebashkiakun e Nju Jorkut dhe avokatin e zotit Trump, Rudy Giuliani, si dhe senatorin Lindsey Graham nga Karolina e Jugut. Zyrtarë të lartë të shtetit të Xhorxhias, si zoti Raffensperger dhe zoti Kemp, u paraqitën gjithashtu para jurisë.
Senatori Graham u tha gazetarëve të enjten se ai nuk është kontaktuar nga autoritetet në lidhje me dëshminë e tij. “Jam i sigurt se dëshmova hapur dhe sinqerisht”, tha ai.
Lëshimi i pjesshëm i raportit të jurisë së madhe u bë me urdhër nga zoti McBurney të hënën, i cili mbikëqyri jurinë e madhe speciale. Gjatë një seance dëgjimore muajin e kaluar, prokurorët i kërkuan atij të mos e publikonte raportin derisa të vendosin për akuzat, ndërsa një koalicion organizatash mediatike kërkuan që i gjithë raporti të bëhej publik menjëherë.
Zoti McBurney shkroi në urdhrin e tij të së hënës se nuk është e përshtatshme të publikohet raporti i plotë tani, sepse është e rëndësishme të mbrohen të drejtat e procesit të rregullt ligjor të njerëzve për të cilët juria e madhe rekomandoi akuza.
Ndërsa ofronte relativisht pak detaje, raporti ofron një pasqyrë të procesit të ndjekur nga juria. Në hyrje të tij thuhet se “shumica dërrmuese” e informacionit që mori juria e madhe “u dorëzua personalisht dhe nën betim”. Ai gjithashtu vuri në dukje se askush në juri nuk ishte ekspert i ligjit zgjedhor ose avokat penal.
“Shumica e anëtarëve kësaj jurie bën përpjekjet më të mira për të marrë pjesë në çdo seancë, për të dëgjuar çdo dëshmitar dhe për të për të kuptuar faktet ashtu siç janë paraqitur”, thuhet në raport.
Bazuar në njerëzit e thirrur për të dëshmuar para jurisë së madhe të posaçme, është e qartë se zonja Willis po përqëndrohet në disa fusha, mes tyre.
— Bisedat telefonike të zotit Trump dhe të tjerë personave, me zyrtarë të Xhorxhias në prag të zgjedhjeve të vitit 2020.
— Një dokument nënshkruar në dhjetor të vitit 2020 nga një grup prej 16 republikanësh të Xhorxhias ku deklaronin në mënyrë të rreme se zoti Trump kishte fituar zgjedhjet në këtë shtet dhe se ata ishin elektorët “e zgjedhur e të kualifikuar” të shtetit.
— Akuzat e rreme për manipulime në zgjedhje të bëra gjatë takimeve të ligjvënësve të shtetit në organin legjislativ të Xhorxhias, në dhjetor 2020.
— Kopjimi i të dhënave dhe programit kompjuterik nga pajisjet zgjedhore në zonat rurale të qarkut Coffee nga një ekip ekspertësh kompjuterik, të punësuar nga aleatët e zotit Trump.
— Përpjekjet e dyshuara për të ushtruar trysni ndaj një komisionereje, të kontesë Fulton, Ruby Freeman, për ta detyruar atë që të bëjë deklarata të rreme për manipulime në zgjedhje.