Lidhje

Ish-drejtuesit e kompanisë Twitter pranojnë se gabuan me bllokimin e lajmin mbi djalin e presidentit Biden


Ish-drejtues ekzekutivë të kompanisë Twitter i thanë një komisioni të Dhomës së Përfaqësuesve të udhëhequr nga republikanët të mërkurën se kishin gabuar që kishin bllokuar postimet në rrjetin social lidhur me një kompjuter që thuhet se i përkiste djalit të Presidentit Joe Biden, Hunter, por thanë se zyrtarët e qeverisë nuk ishin të përfshirë në këtë vendim.

Në një seancë të nxehtë përpara Komisionit të Mbikëqyrjes së Dhomës së Përfaqësuesve, republikanët pretenduan se kompania Twitter bashkëpunoi me zyrtarë qeveritarë dhe mediat për të mos lejuar postimin e një artikulli të New York Post-it mbi përmbajtjen e kompjuterin, dy javë përpara fitores së zotit Biden në zgjedhjet e vitit 2020 ndaj ish-presidentit republikan Donald Trump.

Tre ish-drejtues të Twitterit, thanë në dëshminë e tyre se ata gabimisht kishin menduar se artikulli përmbante materiale të hakeruara, por se anuluan vendimin e tyre për të kufizuar qarkullimin e tij në platformën e mediave sociale brenda 24 orëve.

Me seancën e tyre, Republikanët në Dhomën e Përfaqësuesve po përpiqen të përmbushin një premtim të fushatës.

Para fillimit të procedurave, Shtëpia e Bardhë e denoncoi seancën si “një taktikë të çuditshme politike” të motivuar nga refuzimi i fitores së zotit Biden në vitin 2020.

Gjatë fjalimit në Kongres një ditë më parë mbi gjendjen e vendit, Presidenti Biden ofroi të bashkëpunonte me republikanët në disa prej problemeve më të rëndësishme në vend.

Avokati i zotit Hunter Biden, Abbe Lowell, ka mohuar përmes një deklarate çdo lidhje midis klientit të tij dhe asaj që ai e quajti "të ashtuquajturin laptop", përfshirë dokumentet e gjetura në të, për të cilat republikanët “pretendojnë se janë të dhëna personale të zotit Biden”.

Seanca dëgjimore shënon procedurat e para publike të një hetimi mbi marrëdhëniet e biznesit të familjes Biden. Kryetari i komisionit, James Comer, e ka akuzuar zotin Hunter Biden për shfrytëzimin e ndikimit politik të babait të tij për përfitime biznesi.

“Kjo duket të jetë përpjekja më e fundit e anëtarëve më ekstremë të MAGA-s për të vënë në dyshim rezultatin e zgjedhjeve të vitit 2020”, tha në një deklaratë zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Ian Sams.

Procedurat u përqëndruan në vendimin e rrjetit Twitter për të bllokuar përkohësisht në platformë një artikull të gazetës New York Post për laptopin në fjalë. Ish-drejtuesit e rrjetit Twitter thanë se gabimisht besuan se artikulli përbante të dhëna të hakeruara që bien në kundërshtim me rregulloret e platformës.

Republikanët e cilësuan vendimin si pjesë e një komploti për të bllokuar lajmet për zotin Hunter Biden dhe babain e tij në prag të zgjedhjeve të viti 2020. Ata thanë se vendimi i platformës Twitter përkoi me një letër nga ish-drejtues të lartë të zbulimit amerikan që e cilësonin laptopin si dezinformim rus.

James Comer
James Comer

“Amerika pa një fushatë të koordinuar nga kompanitë e mediave sociale, rrjetet kryesore mediatike dhe komuniteti i zbulimit për të ndaluar dhe shkatërruar ekzistencën e laptopit të Hunter Biden-it dhe përmbajtjes së tij”, tha zoti Comer.

Demokratët e komisionit hodhën poshtë pretendimet republikane si një ndjekje të parëndësishme për një temë që ka mahnitur konservatorët e linjës së ashpër për më shumë se dy vjet.

XS
SM
MD
LG