Lidhje

Ish-Presidenti Trump përdori Amendamentin e Pestë gjatë dëshmisë për Organizatën Trump


Zyra e Prokurores së Përgjithshme të Nju Jorkut ka publikuar videon e dëshmisë të dhënë nga ish-presidenti Donald Trump gushtin e kaluar gjatë hetimeve për praktikat e biznesit të familjes së tij. Videoja tregon se ish-presidenti vazhdimisht përdori të drejtën që i garanton Amendamenti i Pestë i Kushtetutës amerikane për të mos iu përgjigjur pyetjeve.

Ish-Presidenti përdori Amendamentin e Pestë gjatë dëshmisë për Organizatën Trump
please wait

No media source currently available

0:00 0:02:35 0:00


Videoja e publikuar të martën tregon ish-presidentin Trump duke përdorur mbi 400 herë të drejtën e tij sipas Amendamentit të Pestë për të mos iu përgjigjur pyetjeve të Prokurores së Përgjithshme të shtetit të Nju Jorkut, Letitia James, në hetimin civil për praktikat e biznesit të Organizatës Trump.

"Nuk kam asnjë rrugëzgjidhje sepse administrata aktuale dhe shumë prokurorë në këtë vend kanë humbur të gjithë kufijtë moralë dhe etikë të mirësjelljes. Cilido që është në pozicionin tim dhe nuk përdor Amendamentin e Pestë do të ishte i çmendur, absolutisht i çmendur”, u shpreh ai.

Para se ta përdorte këtë të drejtë, zoti Trump në mënyrë të përsëritur kishte kritikuar politikanët e tjerë kur ata kishin bërë të njëjtën gjë, duke u mbështetur në Amendamentin e Pestë. Ai kishte thënë se të përdorje këtë amendament për të mos iu përgjigjur pyetjeve ishte një pranim i keqbërjes.

Zoti Trump ka mohuar çdo shkelje dhe u përpoq ta portretizojë hetimin e zonjës James, si pjesë e një hakmarrjeje kundër tij.

"Kushtetuta e Shteteve të Bashkuara ekziston pikërisht për këtë qëllim dhe unë do ta përdor atë në masën më të plotë për t’u mbrojtur ndaj këtij sulmi keqdashës nga kjo administratë, zyra e prokurores së përgjithshme dhe të gjitha sulmet e tjera ndaj familjes sime, biznesit tim dhe vendit tonë”, tha ish-presidenti duke iu referuar amendamentit që garanton të drejtën për të mos u vetëinkriminuar.

Prokurorja e Përgjithshme Letitia James paditi më pas zotin Trump dhe Organizatën Trump, duke thënë se hetimi i saj ka zbuluar prova të rëndësishme, sipas së cilave Organizata Trump u ka dhënë bankave dhe autoriteteve tatimore informacione të rreme financiare.

Padia mund të çojë në ndëshkime civile kundër kompanisë nëse Prokurorja e Përgjithshme demokrate e fiton çështjen. Ajo ka kërkuar gjobitjen me 250 milionë dollarë dhe ndalimin e përhershëm të ish-presidentit Trump për të bërë biznes në Nju Jork.

Ndërkohë, një gjyqtar ka caktuar një ekspert të pavarur për të vëzhguar kompaninë.

Të enjten e kaluar, më 26 janar, të pandehurit paraqitën "përgjigje" zyrtare në të cilat ata mohuan ose pretenduan se nuk kishin njohuri të mjaftueshme për dhjetëra nga akuzat kryesore.

Në një letër drejtuar gjykatësit të Manhattanit që mbikëqyr çështjen, zonja James tha se shumë nga përgjigjet e tyre ishin "qartësisht të rreme".

Avokatët e të pandehurve të çështjes, që përfshijnë fëmijë të rritur të zotit Trump dhe përfaqësues të Organizatës Trump, nuk iu përgjigjën menjëherë kërkesave për koment.

XS
SM
MD
LG