Fondacioni gjerman Friedrich-Ebert, publikoi të hënën një projekt statut për Asociacionin e komunave me shumicë serbe në Kosovë, sipas të cilit ky mekanizëm duhet të themelohet në përputhje me Kushtetutën e vendit.
Drejtuesi i këtij fondacioni në Kosovë, Rene Schlee, tha se projekti ka për qëllim të lehtësojë diskutimin publik mbi asociacionin.
“Kishim synime shumë të qarta derisa e hartuam këtë propozim. Ai duhej të arrinte tri qëllime kryesore, e para të paraqesim një propozim që është në linjë me Kushtetutën e Kosovës dhe sistemin ligjor të saj. E dyta të trajtojë dhe të përfshijë pritshmëritë dhe brengat praktike të qytetarëve nga komunat që pritet të jenë pjesë e asociacionit. Ndërsa e treta të jetë në linjë me marrëveshjet e Brukselit”, tha ai.
Senad Sabovic nga Instituti i Evropës për Paqe, bashkautor i këtij propozimi, gjatë paraqitjes së projektit me titull “Asociacioni i komunave të Republikës së Kosovës ku serbët e Kosovës janë shumicë”, tha se emërtimi dhe kapitujt e tij mbështeten në interpretimin e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës mbi asociacionin.
“Ne besojmë që kjo përforcon kushtetutshmërinë dhe ligjshmërinë e këtij institucioni. Duam të theksojmë se edhe pse ligjërisht më i sigurt, titulli i ri nuk do të largohej nga ideja thelbësore e asociacionit. Për më tepër struktura e propozimit tonë është struktura e parimeve për të cilat është arritur marrëveshje në vitin 2015, kjo është pjesë e qasjes sonë të përgjithshme për të qëndruar sa më afër këtyre parimeve që na lejon Kushtetuta e Kosovës”, tha ai.
Në bazë të këtij propozimi Asociacioni duhet të ketë simbolin e vet zyrtar, stemën dhe flamurin, të cilat do të vendosen nga bordi i asociacionit në bazë të Kushtetutës së Kosovës.
“Asociacioni ka të drejtë të ketë buxhetin e vet të brendshëm, llogari bankare dhe të kryejë transaksione financiare”, thuhet në një nga nenet e propozimit.
Në propozim theksohet se Asociacioni do të ketë kuvendin e vet, presidentin, zëvendëspresidentin, këshillin dhe bordin e tij si dhe një zyrë për ankesa.
“Organet e Asociacionit do të promovojnë bashkëjetesën dhe paqen ndërmjet qytetarëve të komunave anëtare dhe të nxisin krijimin e kushteve të përshtatshme për t'u mundësuar të gjitha komuniteteve të shprehin, ruajnë dhe zhvillojnë identitetin e tyre kombëtar, etnik, kulturor, fetar dhe gjuhësor”, thuhet në propozim, ndërsa theksohet se asociacioni do të angazhohet me autoritetet qendrore të Kosovës për bashkërendim të dyanshëm dhe ndarje të informacioneve, me synim zhvillimin e demokracisë dhe shumetnicitetit, në linjë me sistemin ligjor të vendit.
Projekt statuti i Asociacionit u publikua një ditë para një takimi të organizuar nga ambasada amerikane në Prishtinë me përfaqësues të institucioneve, partive politike dhe shoqërisë civile për të diskutuar këtë çështje.
Diplomatët perëndimorë kanë shtuar përpjekjet për të siguruar një marrëveshje normalizimi ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në bazë të një propozimi evropian, i cili me tjerash parasheh zbatimin të gjitha marrëveshjeve të deritashme të arritura në Bruksel. Diplomatët kanë vënë theksin te marrëveshja për Asociacionin e komunave me shumicë serbe, që është pika më e vështirë e marrëveshjeve të arritura në bisedimet e ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian.
Marrëveshja për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe u nënshkrua për herë të parë në Bruksel në vitin 2013, ndërsa marrëveshja për parimet e themelimit të tij u nënshkrua dy vjet më pas më 2015. Po atë vit presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga e dërgoi atë për interpretim në Gjykatën Kushtetuese, e cila vlerësoi se Asociacioni mund të themelohet bazuar në marrëveshjen e parë, por marrëveshja për parimet nuk është në përputhje me Kushtetutën e Kosovës.
Derek Chollet, këshilltar i Departamentit amerikan të Shtetit dhe Gabriel Escobar, i dërguar i Posaçëm amerikan për Ballkanin Perëndimor, i bënë thirrje të hënën Kosovës të themelojë Asociacionin e komunave me shumicë serbe, duke e siguruar atë se ky mekanizëm nuk e cenon Kushtetutën, sovranitetin, pavarësinë ose institucionet demokratike të saj.
Në një shkrim të përbashkët të publikuar në Koha.net dhe Kossev, diplomatët amerikanë thanë se Kosova dhe Serbia duhet të pranojnë propozimin evropian për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet tyre që do të ndërpriste ciklin e krizave dhe konfrontimit dhe të çonte përpara me vendosmëri integrimin e tyre evropian.
“Kjo është mundësi historike që ne besojmë të dyja palët duhet ta shfrytëzojnë”, thuhet në shkrim në të cilin theksohet se ndër detyrat më thelbësore mbetet zbatimi i marrëveshjes për Asociacionin.
Duke nënvizuar se zbatimi i kësaj marrëveshjeje është detyrim ligjor ndërkombëtar, të dy diplomatët theksuan se asociacioni “do të ishte strukturë për komunat me popullatë me shumicë etnike serbe për t’i bashkërenditur çështjet dhe shërbimet si: arsimi, kujdesi shëndetësor, planifikimi urban dhe rural dhe zhvillimi ekonomik lokal”.
Diplomatët perëndimorë po u bëjnë thirrje Kosovës dhe Serbisë që të përfitojnë nga propozimi evropian për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet tyre që nuk parasheh njohje të ndërsjellë por përkushtim të të dyja palëve që të mos e pengojnë njëra tjetrën në proceset integruese.
Kryeministri i Kosovës, tha se propozimi evropian është bazë e mirë për diskutime rreth një marrëveshjeje që duhet ta ketë në qendër njohjen e ndërsjellë, por jo asociacionin në qendër.
Në Beograd presidenti serb Aleksandar Vuçiç tha se Serbia do të përballej me pasoja të rënda nëse nuk do ta pranonte propozimin që sipas tij është shndërruar në kuadër të ri negociues të Serbisë për integrim në Bashkimin Evropian.