Lidhje

Hetimet ndaj ish-Presidentit Trump, prokurorja në Xhorxhia rrit pritshmëritë


Ish-Presidenti Donald Trump duke folur gjatë një aktiviteti elektoral në Kolumbia, të Karolinës së Jugut (28 janar 2023)
Ish-Presidenti Donald Trump duke folur gjatë një aktiviteti elektoral në Kolumbia, të Karolinës së Jugut (28 janar 2023)

ATLANTA – Ish-Presidenti Donald Trump dhe aleatët e tij janë paralajmëruar nga prokurorja në shtetin Xhorxhia, e cila sinjalizoi se ka mundësi të ngrejë së shpejti akuza penale, në kuadrin e hetimeve për përpjekjet për të përmbysur rezultatin zgjedhor. Duke u përpjekur të ndalojë publikimin e raportit të jurisë së madhe të posaçme, prokurorja e qarkut Fulton, Fani Willis, argumentoi në gjykatë javën e kaluar se ishte “shumë e afërt” koha për të marrë vendime për këtë çështje dhe se publikimi i raportit do të vinte në rrezik të drejtat e “të akuzuarve të ardhshëm”.

Megjithëse prokurorja e zgjedhur nga radhët e demokratëve nuk përmendi ish-Presidentin Trump me emër, komentet e saj shënojnë herën e parë që, në disa hetime paralele të lidhura me ish-presidentin republikan, prokuroria të ketë sinjalizuar se do të ngrihen akuza. Komentet e saj rritën pritshmëritë se hetimi i përqendruar pjesërisht tek telefonata e ish-Presidentit Trump me sekretarin e shtetit të Xhorxhias, mund të përfundojë përpara hetimeve paralele federale.

“Pres të shohim ngritje akuzash në Qarkun Fulton, përpara se të shohim ngritje akuzash federale”, tha Clark Cunningham, profesor i drejtësisë në Universitetin Shtetëror të Xhorxhias.

Krahas hetimeve në Xhorxhia, një prokuror i posaçëm i Departamentit të Drejtësisë po heton ish-Presidentin Trump për rolin e luajtur në bashkëpunim me aleatët për të përmbysur humbjen në zgjedhjet presidenciale 2020, si dhe për shkeljet që mendohet se ka bërë me dokumentat e klasifikuara.

U duk se rreziku më i madh ligjor për ish-Presidentin Trump do të vinte nga hetimi për volumet e materialeve të klasifikuara të gjetura në pronën e tij në Florida, dhe ky rrezik vazhdon. Por, kjo çështje duket se është komplikuar, të paktën politikisht, nga zbulimi rishtazi i materialeve të klasifikuara në shtëpinë në Dellauer dhe në një zyrë në Uashington të Presidentit Biden. Për këtë, Departamenti i Drejtësisë caktoi një tjetër prokuror të posaçëm për të hetuar.

Zonja Willis filloi hetimin e saj pak pas publikimit të regjistrimit të një telefonate të 2 janarit 2021 mes ish-Presidentit Trump dhe Sekretarit të Shtetit të Xhorxhias, Brad Raffensperger. Në atë bisedë, ish-presidenti sugjeroi se zoti Raffensperger, një republikan, mund “të gjente” votat e nevojshme për të përmbysur humbjen e ngushtë në zgjedhje të zotit Trump në këtë shtet, përballë demokratit Joe Biden.

“Dua thjesht të gjej 11,780 vota, që është një më shumë nga ç’kemi”, tha ish-Presidenti Trump gjatë telefonatës.

Që nga ajo kohë, objektivi i hetimit është zgjeruar më shumë, duke përfshirë ndër të tjera: çështjen e një liste të rreme me elektorë republikanë, telefonatat e ish-Presidentit Trump dhe personave të tjerë me zyrtarët e Xhorxhias në javët pas zgjedhjeve të 2020-ës, si dhe akuzat e pabaza për për manipulim të gjerë zgjedhor të bëra ndaj ligjvënësve të këtij shteti.

Në një intervistë, ish-Presidenti Trump këmbënguli se “nuk bëri absolutisht asnjë gabim” dhe se telefonata e tij me zotin Raffensperger kishte qenë “e përkryer”. Ai tha se kishte shumë besim se nuk do të ngriheshin akuza ndaj tij.

“Ajo duhet të ndalë krimet e dhunshme, dhe kjo është detyra e saj”, tha ish-Presidenti Trump për prokuroren Willis. “Dhe jo t’u qepet njerëzve për arsye politike, (njerëzve) që i bënë gjërat absolutisht në mënyrë të përkryer”.

Prokurorja e Qarkut Fulton, në Xhorxhia, Fani Willis
Prokurorja e Qarkut Fulton, në Xhorxhia, Fani Willis

Nuk është e qartë se si do të ndikojë çështja e prokurores Willis tek hetimet e Departamentit të Drejtësisë, apo se çfarë kontaktesh kanë patur anëtarët e ekipit të saj me hetuesit federalë. Prokurorët e Departamentit të Drejtësisë janë treguar të rezervuar për të folur për hetimin e tyre, duke dhënë kështu tregues të paktë për mënyrën se si, apo për kohën se kur, do të përfundojë ky hetim.

Por, komentet e zonjës Willis sinjalizojnë se hetimi në Xhorxhia është drejt përmbylljes – me apo pa ngritje akuzash – me një shtrirje kohore të pavarur nga veprimet që do të ndërmarrë Departamenti i Drejtësisë, thonë ekspertët.

Profesori Cunningham, nga Universiteti Shtetëror i Xhorxhias, thotë se komentet e prokurores Willis nënkuptojnë se në raportin e jurisë së madhe të posaçme ka detaje për persona që juria dhe prokurorja besojnë se minimalisht duhet të hetohen më tej.

“Ajo nuk do të fliste për publikimin e raportit duke krijuar paragjykime për personat që do të akuzohen, nëse nuk do të kishte parë në atë raport emrat e personave që i sheh si të akuzuar të ardhshëm”, thotë ai.

Prokurori i Përgjithshëm, Merrick Garland, caktoi në nëntor zotin Jack Smith, një ish-prokuror publik për korrupsionin, në rolin e prokurorit të posaçëm që do të mbikqyrë hetimet për veprimet e ish-Presidentit Trump deri në sulmin e 6 janarit 2021 ndaj Kapitolit, si dhe mbajtjen e qindra dokumentave të klasifikuara në pronën e tij në Mar-a-Lago, në Florida.

Megjithëse prokurori Smith dhe ekipi i tij kanë dërguar fletëthirrje me miratimin e një jurie të madhe, ai nuk është shprehur se kur mund të përmbyllet hetimi i tij, apo se kush mund të bëhet objekt i saj.

Zoti Garland nuk ka pranuar të flasë për hetimet, dhe ka thënë vetëm se “asnjë person nuk është mbi ligjin” dhe se nuk ka rregulla të ndryshme për demokratët dhe për republikanët.

Agjentët e FBI-së bënë kontroll rishtazi në shtëpinë e Presidentit Biden në Uillmington, Dellauer, ku gjetën gjashtë njësi me dokumenta të klasifikuara, tha Shtëpia e Bardhë. Një tjetër zhvillim trazoi edhe më tej ujërat për Departamentin e Drejtësisë: Dokumenta të klasifikuara u gjetën këtë muaj në shtëpinë në Indiana të ish-Nënpresidentit Mike Pence, i cili shërbeu gjatë administratës së ish-Presidentit Trump.

Të dhënat e bëra publike për çështjen hetimore të prokurores Willis vijnë pjesërisht si rezultat i natyrës së pazakontë të procesit në Xhorxhia.

Në janar të vitit të kaluar, zonja Willis kërkoi krijimin e një jurie të madhe të posaçme për ta ndihmuar me hetimin, duke përmendur nevojën për të patur një entitet që do të kishte autoritetin e dërgimit të fletëthirrjeve personave që nuk dëshironin të bisedonin me të. Ajo u shpreh në një letër dërguar kryetarit të gjykatës në Qarkun Fulton se zyra e saj kishte marrë informacion ku sinjalizohet “një mundësi e arsyeshme” se zgjedhjet e vitit 2020 në Xhorxhia “ishin bërë objekt ndërhyrjesh që mund të jenë vepra penale”.

Gjykatësit që drejtojnë gjykatën e qarkut votuan në favor të miratimit të kërkesës, dhe juria e madhe e posaçme u krijua në muajin maj. Anëtarët e saj dëgjuan 75 dëshmitarë dhe u njohën me evidencën e mbledhur nga prokurorët dhe hetuesit. Ndër personat që dëshmuan ishin ish-Kryetari i Bashkisë së Nju Jorkut dhe avokat i ish-Presidentit Trump, Rudy Giuliani, Senatori Lindsey Graham, si dhe zyrtarë të Xhorxhias, si zoti Raffensperger dhe Guvernatori Brian Kemp.

Juria nuk ka autoritetin të ngrejë akuza, por raporti i saj mendohet se do të përmbajë rekomandime për veprimet e mëtejshme, përfshirë edhe mundësinë e akuzave penale.

Juria e madhe e posaçme u shpërbë këtë muaj, pasi përfundoi punën e saj dhe finalizoi raportin për hetimin. Anëtarët e jurisë rekomanduan që raporti të bëhet publik.

Organizatat e mediave mbështetën pikëpamjen që raporti të publikohet. Gjatë një seance javën e kaluar, zonja Willis tha se pritej tashmë marrja e vendimit nëse duhen ngritur akuza dhe se ajo ishte kundër publikimit të raportit pasi ajo dëshiron të sigurohet “që gjithkush të trajtohet në mënyrë të drejtë dhe ne mendojmë që nëse të akuzuarit e ardhshëm duhet të trajtohen me drejtësi, atëherë kjo nuk është koha e duhur për ta publikuar këtë raport”.

Avokatët e personave të thirrur për të dëshmuar dhe të personave të tjerë të identifikuar si objekt hetimor kanë këmbëngulur se zonja Willis është shtyrë më shumë nga motive politike, se sa nga shqetësime legjitime për veprat penale që mund të jenë bërë. Ata kanë vënë në dukje ndër të tjera deklaratat e saj publike dhe gatishmërinë që ajo tregoi fillimisht për të folur për mediat e shkruara dhe ato televizive.

Danny Porter, një republikan që shërbeu si prokuror në Qarkun fqinj Gwinnet për gati tre dekada, tha se zonja Willis ka manovruar në një terren të pashkelur më parë. Juritë e mëdha të posaçme janë të rralla në Xhorxhia, dhe ligji nuk ofron shumë orientim për prokurorët, thotë ai.

Megjithatë, thotë zoti Porter, duket se prokurorja Willis nuk ka shkelur ndonjë vijë të kuqe etike apo ligjore, që mund të ngrinte pikëpyetje për integritetin e hetimeve.

“Nga ana proceduriale”, thotë ai, “nuk kam parë diçka që do të më bënte të thoja se ‘unë nuk do ta kisha bërë një gjë të tillë’.”

XS
SM
MD
LG