Lidhje

Twitter-i do të lehtësojë një rregullore që ndalonte reklamat politike


Twitter-i njoftoi se do të lehtësojë një politikë 3-vjeçare që ndalonte reklamat politike në këtë platformë të medias sociale. Ky është ndryshimi më i fundit i ndërmarrë nga Elon Musk, teksa përpiqet të grumbullojë të ardhura pas blerjes së kompanisë vitin e kaluar.

Kompania postoi të martën vonë në Twitter se po lehtëson politikat për reklamat mbi çështje të rëndësishme në SHBA.

"Ne po planifikojmë gjithashtu të zgjerojmë gamën e reklamave politike që do të lejojmë, në javët e ardhshme", shkruante kompania në llogarinë e saj në Twitter.

Twitter-i ndaloi të gjitha reklamat politike në vitin 2019, duke reaguar ndaj shqetësimit në rritje për përhapjen e dezinformatave në mediat sociale.

Drejtori ekzekutiv i atëhershëm i kompanisë, Jack Dorsey tha në atë kohë se reklamat në internet janë të fuqishme dhe efektive për reklamuesit komercialë, por kjo fuqi sipas tij “sjell rreziqe të mëdha për politikën dhe mund të përdoret për të ndikuar tek votat".

Lëvizja e fundit duket se përfaqëson një shkëputje nga ajo politikë, e cila kishte ndaluar reklamat e kandidatëve, partive politike, zyrtarëve të zgjedhur ose të emëruar qeveritarë.

Reklamat politike përbënin një pjesë të vogël të të ardhurave të përgjithshme të Twitter-it. Shpenzimet totale për zgjedhjet për në Kongres, të vitit 2018 ishin më pak se 3 milionë dollarë.

Duke iu referuar ndryshimit të politikës mbi reklamat, Twitter-i tha se "reklamimi i një çështjeje mund të lehtësojë diskutimet publike rreth temave të rëndësishme" dhe se ndryshimi do të përafrojë politikën e reklamave të platformës me ato të "televizioneve dhe organeve të tjera mediatike". Kompania nuk dha detaje të mëtejshme mbi këtë çështje.

Në mars të vitit 2021 kompania Facebook bëri një lëvizje të ngjashme për reklamat politike dhe sociale, duke hequr kufizimet e vendosura pas zgjedhjeve presidenciale të vitit 2020.

Zoti Musk e cilëson veten si një luftëtar të fjalës së lirë dhe e bleu Twitter-in sepse me sa duket besonte se kompania nuk po e përmbushte potencialin e saj si një platformë e fjalës së lirë. Por miliarderi i Teslës është detyruar të bëjë shkurtime të mëdha të kostove dhe po përpiqet të gjejë më shumë burime të ardhurash për të justifikuar blerjen prej 44 miliardë dollarësh të Twitter-it.

XS
SM
MD
LG