Lidhje

Fillon largimi i bllokadave në veriun e Kosovës


Në veriun e Kosovës, të enjten filloi largimi i bllokadave në rrugët që çojnë për në vendkalimet kufitare me Serbinë.

Zhbllokimi i rrugëve nisi pas paralajmërimit të presidentit serb, Aleksandar Vuçiç, se largimi i bllokadave do të fillojë mëngjesin e së enjtes.

Fillon largimi i bllokadave në veriun e Kosovës
please wait

No media source currently available

0:00 0:03:52 0:00

“Kjo nuk është e thjeshtë dhe nuk mund të kryhet brenda dy orësh siç kanë menduar disa, për 24 deri në 48 orë barrikadat do të largohen”, tha ai gjatë natës pas një takimi me përfaqësuesit e serbëve në veriun e Kosovës.

Departamenti amerikan i Shtetit në një koment për Zërin e Amerikës përshëndeti rihapjen e pikes kryesore kufitare mes dy vendeve të Ballkanit.

Mirëpresim lajmin për rihapjen e pikës kryesore kufitare ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”

“Mirëpresim lajmin për rihapjen e pikës kryesore kufitare ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”, thuhet në përgjigjen e shkurtër të DASH-it.

Departamenti amerikan i Shtetit thotë se për informacione të tjera duhet referuar deklaratës së përbashkët me Bashkimin Evropian që ka lëshuar të mërkurën përmes së cilës shprehën shqetësimin me tensionet në veriun e Kosovës, ndërsa u bënë thirrje Kosovës dhe Serbisë të punojnë për krijimin e një mjedisi për pajtim dhe qëndrueshmëri rajonale.

“Ne po punojmë me presidentin (Aleksandar) Vuçiç dhe kryeministrin Albin Kurti për të gjetur një zgjidhje politike për të zbutur tensionet dhe për të rënë dakord për rrugën përpara në interes të qëndrueshmërisë, sigurisë dhe mirëqenies së të gjitha komuniteteve lokale”, thuhet në komunikatë në të cilën mirëpriten “garancitë e udhëheqjes së Kosovës që konfirmojnë se nuk ekzistojnë lista të qytetarëve serbë ë do të arrestohen apo ndiqen penalisht për protesta/barrikada paqësore. Në të njëjtën kohë, sundimi i ligjit duhet të respektohet dhe çdo formë dhune është e papranueshme dhe nuk do të tolerohet”.

Shefi i Politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, mirëpriti siç tha, udhëheqjen e përgjegjshme të presidentit serb, Aleksandar Vuçiç dhe kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti.

“Diplomacia mbizotëroi në shtensionimin e situatës në veriun e Kosovës. Dhuna kurrë nuk mund të jetë zgjidhje, tani kemi nevojë për përparim urgjent në bisedime”, shkroi zoti Borrell.

Zhbllokimi i rrugëve u mirëprit edhe nga forcat paqëruajtëse të KFOR-it, të cilat bënë thirrje që bllokadat të largohen në mënyrë të shpejtë, të sigurtë dhe pa incidente apo rreziqe.

“Të gjitha palët duhet të shmangin retorikën apo veprimet që mund të çojnë në përshkallëzim të situatës. KFOR-i po mbikiqyr nga afër zhvillimet”, thuhet në një postim në rrjete sociale.

Autoritetet në Kosovë thanë se është rihapur edhe vendkalimi kufitar me Serbinë në Merdarë, dy ditë pas bllokimit të tij nga një grup serbësh në territorin e Serbisë me 27 dhjetor, në shenjë siç thanë, mbështetjeje për serbët në veriun e Kosovës.

Fillimi i heqjes së bllokadave pasoi vendimin e një gjykate në Prishtinë për lirimin nga paraburgimi të një ish polici serb, arrestimi i të cilit më 10 dhjetor çoi në bllokimin e rrugëve në veriun e Kosovës.

Presidenti serb tha se Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian, kanë garantuar se asnjë nga serbët që vendosën bllokadat, nuk do të ndiqet penalisht.

Partitë opozitare në Kosovë e kritikuan qasjen e qeverisë ndaj situatës në veriun e vendit. Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, tha në një konferencë për media se kjo qasje ka dëmtuar pozicionin negociues të Kosovës në bisedime me Serbinë.

“Sot kjo pafuqi e Albin Kurtit, fatkeqësisht e ka treguar një pafuqi të institucioneve të Kosovës sepse ai është kryeministër dhe dëmi nuk është personal për të. Për të është, por është dëm për vendin tonë dhe për pozicionin e Kosovës në vazhdimin e procesit të dialogut”, tha ai.

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, tha në një postim në rrjetet sociale se “edhe një herë u dëshmua se partneriteti me Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimin Evropian, nuk ka alternativë”.

Qytetarë të anketuar nga Zëri i Amerikës thanë se largimi i bllokadave është përmbyllje e duhur e krizës në veri.

“Është nisur keq dhe ka përfunduar mirë, sepse serbët e kanë nisur me qëllime tërësisht të tjera ndërsa përfundimi ishte krejt diçka tjetër. Askush nuk fitoi nga këto barrikada, vetëm ato rrugë mbeten të bllokuara 19 ditë, serbët nuk fituan asgjë prej këtyre barriakdave vetëm një populizëm të Vuçiç-it në Beograd”, tha Mustafë Halili, banor i Prishtinës.

“Mendoj se kjo është vetëm një taktikë e tyre, ne jemi mbi 20 vite pas luftës e Serbia gjithmonë për poena të vet politik përdor këso lloj manovrime dhe unë mendoj që do të përsëritet sërish. Por ne, qeveria jonë, mendoj se duhet të jetë më syqelë”, thotë Xhevdet Gjocaj.

“Për neve do të paraqes probleme tash se menjëherë pas kësaj do të intensifikohen bisedimet por edhe do të kërkohet që të nisë formimi i bashkësisë së komunave serbe. Kjo do të jetë e para dhe serbët do të kërkojnë më shumë”, thotë Adem Veseli.

Heqja e bllokadave pritet të ulë tensionet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, e cila në fillim të javës vuri në “gjendje të plotë gatishmërie ushtarake” forcat e saj të sigurisë, duke thënë se Kosova e ka bërë të njëjtën gjë.

Autoritetet në Kosovës mohuan njoftimet e tilla duke i cilësuar ato pjesë të propagandës serbo-ruse që synojnë destabilizimin e Kosovës.

Forcat paqeruajtëse të udhëhequra nga NATO-ja thanë se Forcat e Armatosura të Serbisë nuk kanë nevojë për autorizim nga KFOR-i që të lëvizin dhe stërviten në territorin e tyre, por duhet të kërkojnë leje për t’u afruar më shumë se një mijë metra nga kufiri me Kosovën. Ndërsa, Forca e Sigurisë së Kosovës, mund të vendoset në veriun e Kosovës vetëm me pëlqimin paraprak të komandantit të KFOR-it.

Të enjten mediet serbe thanë se presidenti serb tërhoqi urdhrin për vënien e forcave serbe në gjendje të lartë të gatishmërisë ushtarake.

Ai tha se kthimi i serbëve nga veriu në institucionet e Kosovës të cilat ata i braktisën në fillim të muajit nëntor, “kushtëzohet me Marrëveshjen e Brukselit, e cila flet për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe”. Ai ritheksoi qëndrimin se nuk do ta njohë pavarësinë e Kosovës që u shpall në vitin 2008 me mbështetjen e Shteteve të Bashkuara dhe vendeve kryesore të Bashkimit Evropian.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha të mërkurën se “ka vetëm një zgjidhje paqësore dhe demokratike për marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë e kjo është njohja e ndërsjellë”.

XS
SM
MD
LG