Një gjykatë në Prishtinë vendosi që një ish pjesëtar i policisë nga radhët e komunitetit serb, arrestimi i të cilit çoi në bllokimin e rrugëve në veriun e Kosovës të banuar me shumice serbe, të lirohet nga paraburgimi dhe të vendoset në arrest shtëpiak, duket në një përpjekje për të zbutur tensionet e larta në zonë.
Ish polici Dejan Pantiç u arrestua më 10 dhjetor nën dyshimet për sulm ndaj autoriteteve dhe që nga ajo ditë rrugët në veri u bllokuan nga serbët që kërkojnë lirimin e tij ndërsa pati incidente me të shtëna armësh ndaj policisë së Kosovës dhe forcave paqeruajtëse të NATO-s.
Vendimi i gjykatës u kritikua nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.
“Ajo çfarë unë kam dëgjuar është se meqenëse ishte në grevë të urisë dhe kishte probleme me zemër, do mund të dërgohej në spital, që është e kuptueshme. A është e arsyeshme, e vendos gjyqësori. Pra, është gjykatësi i procedurës paraprake me rastin e kërkesës përkatëse të prokurorit. Mirëpo kur kemi akuzë për terrorizëm të dërgohesh në arrest shtëpiak? Unë jam shumë kureshtar ta marr vesh se cili është ai prokuror që e bën këtë kërkesë e cili është ai gjyqtar i procedurës paraprake që e aprovon”, tha kryeministri Kurti.
Pasdite Shefi i Zyrës për Kosovën në Qeverinë serbe, Petar Petkoviç, tha se presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, u ka kërkuar serbëve të tërhiqen nga barrikadat Ai tha se kërkesa pasoi një deklaratë të përbashkët të Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian lidhur me situatën në veriun e Kosovës.
"Pas këtyre deklaratave zyrtare presidenti Vuçiç zhvilloi një bisedë për më shumë se dy orë me serbët e veriut, dhe ua paraqiti përmbajtjen e këtyre dokumenteve dhe deklaratave. U tregoi gjithçka që do të përfitojmë dhe kërkoi që populli ynë të tërhiqet nga barrikadat", tha Petar Petkoviç në një konferencë me gazetarë.
Ai tha se përfaqësuesit e serbëve nga Kosova, u takuan ne Beograd me presidentin serb dhe do të kthehen në Kosovë për të biseduar me serbët që janë në barrikada, ndërsa gjatë natës do të takohen sërish me presidentin serb diku në Serbi.
Rrugët që çojnë në dy vendkalimet kufitare më Serbinë në Jarinjë dhe Bërnjak, vazhdojnë të mbahen të bllokuara, ndërsa autoritetet në Kosovë thanë se është mbyllur edhe vendkalimi kufitar me Serbinë në Merdarë, për shkak të bllokimit të rrugës në territorin e Serbisë nga një grup qytetarësh serbë në mbështetje të serbëve të veriut të Kosovës.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha të mërkurën gjatë mbledhjes së qeverisë se rrugët në veriun e vendit janë bllokuar nga kriminelë që po mbështeten nga presidenti dhe qeveria e Serbisë me qëllim të destabilizimit të rajonit.
“Institucionet e Kosovës nuk do të bisedojnë e bashkëpunojnë me kriminelë por do t’i arrestojnë ata. Përfaqësuesit legjitim nga komuniteti serb dalin përmes zgjedhjeve të lira e të ndershme kurse të drejtat e qytetarëve burojnë nga Kushtetuta e Republikës. Vendosja e barrikadave në rrugë është veprim i paligjshëm, i papranueshëm dhe nuk do të tolerohet”, tha ai.
Kryeministri Kurti tha se qeveria u ka dhënë kohën dhe hapësirën e nevojshme forcave paqeruajtëse të KFOR-it për të hequr barrikadat. Kjp kohë, tha ai, po shteron me shpejtësi.
“Ne kemi bashkëpunim e bashkërendim me KFOR-in prandaj edhe kjo kohë e hapësirë e nevojshme që i është dhënë KFOR-it dhe me këtë rast një gjë duhet të kuptohet që nuk mund të qëndrojë edhe parimi i lëvizjes së lirë edhe barrikadat në rrugë që e pengojnë lëvizjen e lirë”, tha ai.
Serbia tha se ka vënë në "gjendje të gatishmërisë ushtarake” trupat e saj të sigurisë afër kufirit me Kosovën, me gjithë thirrjet e NATO-s dhe diplomatëve perëndimorë për uljen e tensioneve.
Beogradi tha se veprimet e tij pasuan vendimin e Kosovës për të ngritur gjendjen e gatishmërisë ushtarake, por këto pohime janë mohuar nga autoritetet në Kosovë.