Lidhje

Mbyllet vendkalimi kryesor kufitar ndërmjet Kosovës e Serbisë në Merdarë


Autoritetet në Kosovë thanë se është mbyllur vendkalimi kufitar me Serbinë në Merdarë, për shkak të bllokimit të rrugës në territorin e Serbisë.

Mediat serbe raportuan se gjatë natës një grup qytetarësh serbë bllokuan me mjete të rënda rrugën që lidh Serbinë me Kosovën në mbështetje të serbëve të veriut të Kosovës. Vendkalimi kufitar në Merdare është një nga vendkalimet që shfrytëzohet më së shumti për lëvizjen ndërmjet dy vendeve.

Policia e Kosovës tha se “bllokimi rrugës është bërë afërsisht në kilometrin e dytë në territorin e Serbisë, nga vendkalimi kufitar “Merdarë” që është mbyllur për shkak të kësaj bllokade.

Aktualisht tri vendkalime kufitare ndërmjet Kosovës dhe Serbisë mbetën të mbyllura, dy prej të cilave ndodhen në veriun e vendit ku për më shumë se dy javë grupe qytetarësh serb në shenjë proteste ndaj arrestimit të një ish pjesëtari të policisë nën dyshimet për sulm ndaj autoriteteve.

Të mërkurën një gjykatë në Prishtinë tha se ish polici serb, Dejan Pantiç, i cili mbahej në paraburgim do të vendoset arrest shtëpie.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha të mërkurën gjatë mbledhjes së qeverisë se rrugët në veriun e vendit janë bllokuar nga kriminelë që po mbështeten nga presidenti dhe qeveria e Serbisë me qëllim të destabilizimit të rajonit.

“Institucionet e Kosovës nuk do të bisedojnë e bashkëpunojnë me kriminelë por do t’i arrestojnë ata. Përfaqësuesit legjitim nga komuniteti serb dalin përmes zgjedhjeve të lira e të ndershme kurse të drejtat e qytetarëve burojnë nga Kushtetuta e Republikës. Vendosja e barrikadave në rrugë është veprim i paligjshëm, i papranueshëm dhe nuk do të tolerohet”, tha ai.

Kryeministri Kurti tha se qeveria u ka dhënë kohën dhe hapësirën e nevojshme forcave paqeruajtëse të KFOR-it për të hequr barrikadat kjo kohë, tha ai, po shteron me shpejtësi.

“Ne kemi bashkëpunim e bashkërendim me KFOR-in prandaj edhe kjo kohë e hapësirë e nevojshme që i është dhënë KFOR-it dhe me këtë rast një gjë duhet të kuptohet që nuk mund të qëndrojë edhe parimi i lëvizjes së lirë edhe barrikadat në rrugë që e pengojnë lëvizjen e lirë”, tha ai.

Serbia tha se ka vënë në "gjendje të gatishmërisë ushtarake” trupat e saj të sigurisë afër kufirit me Kosovën, me gjithë thirrjet e NATO-s dhe diplomatëve perëndimorë për uljen e tensioneve.

Beogradi tha se veprimet e tij pasuan vendimin e Kosovës për të ngritur gjendjen e gatishmërisë ushtarake.

Por autoritetet në Kosovë i mohuan njoftimet e tilla.

XS
SM
MD
LG