Ukraina ka blerë rreth 1,400 dronë, kryesisht për zbulim, dhe planifikon të zhvillojë modele luftarake, që mund të sulmojnë dronët që Rusia ka përdorur gjatë agresionit të saj në vend. Ministri i Transformimit Digjital Mykhailo Fedorov e cilësoi luftën e Rusisë në Ukrainë si luftën e parë të epokës digjitale. Ai vlerësoi dronët dhe sistemet satelitore të internetit si Starlink i Elon Musk-ut që kanë transformuar konfliktin.
Ukraina po kryen kërkime për të zhvilluar aftësitë mbrojtëse përmes dronëve, tha ministri Fedorov.
Rusia ka përdorur dronët Shahed të prodhuar nga Irani për sulmet e saj ajrore në territorin ukrainas javët e fundit, përveç sulmeve me raketa dhe artileri.
“...në shkurt, mars dhe prill situata do të ndryshojë në mënyrë dramatike për sa i përket dronëve. Kjo do të thotë, do të fillojnë më shumë misione ku përdoren dronët luftarakë” tha ai.
Ministri Fedorov u ul për një intervistë në zyrën e tij moderne, brenda një ndërtese të qetë.
Ai nënvizoi rëndësinë e komunikimeve me celularë për qëllime civile dhe ushtarake gjatë luftës dhe tha se vendet më sfiduese për të mbajtur këtë shërbim kanë qenë në rajonet Donetsk, Zaporizhia, Odesa dhe Kiev, në qendër dhe në lindje të vendit.
Ai tha se ka raste kur më pak se gjysma e kullave të telefonisë celulare funksionojnë në Kiev, për shkak se sulmet ajrore ruse kanë shkatërruar ose dëmtuar infrastrukturën që i fuqizon ato.
Ukraina ka rreth 30 mijë kulla celulare dhe qeveria tani po përpiqet t'i lidhë ato me gjeneratorët në mënyrë që të mund të vazhdojnë të funksionojnë kur sulmet ajrore dëmtojnë rrjetin elektrik.
Alternativa e vetme, tani për tani, janë sistemet satelitore si Starlink, tek të cilat ukrainasit mund të mbështeten më shumë nëse ndërprerjet e energjisë elektrike fillojnë të zgjaten.
"Ne duhet të kuptojmë se në këtë rast, Starlinks dhe kullat e lidhura me gjeneratorë, do të jenë infrastruktura bazë e internetit," tha ministry Fedorov.
Ndërkohë, me mbështetjen e partnerëve në Bashkimin Evropian, ministria e tij po punon për të sjellë 10 mijë stacione të tjera Starlink në Ukrainë, që do të vihen në dispozicion të publikut.
Rreth 24 mijë stacione Starlink tashmë janë në funksionim në Ukrainë. Kompania e Elon Musk-ut, SpaceX, filloi t'i ofrojë ato gjatë ditëve të para të luftës pasi ministri Fedorov i dërgoi një kërkesë miliarderit në Twitter.
Zoti Fedorov krahasoi dhurimin e terminaleve satelitore nga Space X me raketat e shumta të furnizuara nga SHBA për sa i përket rëndësisë për aftësinë e Ukrainës për të përforcuar mbrojtjen ndaj agresionit të Rusisë.
"Starlink është një lidhje që nuk mund të bllokohet nga sinjalet elektronike, që lejon jo vetëm ushtrinë, por edhe njerëzit që jetojnë në zonën e vijës së parë, spitalet dhe telemjekësinë të qëndrojnë në kontakt. Në përgjithësi, roli i tyre është i jashtëzakonshëm, kështu që janë shpëtuar mijëra jetë. Falë Starlink, ka një koordinim të caktuar.// Starlink dhe komunikimet satelitore kanë ndryshuar rrjedhën e luftës dhe këtë e kam besuar vërtet para luftës”, tha ai.
Përveç përdorimit civil, sistemet Starlink kanë ndihmuar operatorët e dronëve të zbulimit të shënjestrojnë objektiva të artilerisë dhe pozicioneve ruse. Ministri Fedorov tha se ekipi i tij tani po i kushton 70% të kohës teknologjive ushtarake. Ministria u krijua vetëm tre vjet më parë dhe sigurimi i dronëve është ndër detyrat e saj kryesore.