Lidhje

Dhjetëra viktima nga moti i keq në SHBA, më i godituri Nju Jorku


Së paku 48 persona kanë humbur jetën në Shtetet e Bashkuara si pasojë e motit ekstrem që ka përfshirë vendin. Autoritetet thanë se për shkak të temperaturave tejet të ulëta numri i viktimave mund të rritet pasi shumë banorë kanë mbetur të bllokuar në shtëpinë e tyre

Dhjetra-mijëra shtëpi dhe biznese kanë mbetur pa energji elektrike.

Autoritetet thanë se ngricat e shkaktuara nga stuhia vdekjeprurëse që ka rrethuar pjesën më të madhe të vendit do të vazhdojnë edhe këtë javë.

Moti ekstrem shtrihet nga Great Lakes pranë Kanadasë deri në Rio Grande përgjatë kufirit me Meksikën. Rreth 60% e popullsisë së SHBA -së u përball me paralajmërime për motin e ftohtë teksa temperaturat ranë shumë poshtë normales.

Nju Jorku ka numrin më të madh të viktimave nga i ftohti deri në tani, 27 , ndërsa zona përballet me motin më të keq në 45 vitet e fundit.

Sipas zyrtarëve, punonjësit e ndërhyrjes së shpejtë janë përballur më vështirësi të madhe për të bërë punën e tyre, pasi fillimisht u desh të zhbllokoheshin vetë ambulancat, zjarrëfikëset dhe mjete të tjera të emergjencës që mbeten në dëborë dhe me pas të shkonin tek njerëzit në nevojë.

Guvernatorja e Nju Jorkut, Kathy Hochul u bëri thirrje qytetarëve të dielën të respektojnë urdhrin për ndalim të përdorimit të makinës, ndërsa aeroporti do të vijojë të jetë i mbyllur deri të martën në mëngjes.

Në Bufalo, qyteti i dytë më i madh i shtetit të Nju Jorkut, përballë temperaturave tejet të ulëta, njerëzit përpiqeshin të mbroheshin nga i ftohti duke gjetur ambjente të ngrohta.

Disa zona në Nju Jork nuk kanë energji elektrike prej më shumë se 20 orësh. Shumë dyqane ushqimore janë mbyllur, ndërsa kufizimet për levizjen me automjete vazhdojne, çka detyruar shumë njerëz të bëjnë thirrje përmes rrjeteve sociale për t’i ndihmuar me ushqime.

Kreu i qarkut Erie, Mark Poloncarz tha se po banorët po përballen me “stuhinë më të rëndë të jetës së tyre” dhe paralajmëroi se numri i viktimave mund të rritet, pasi disa njerëz kanë mbetur në makina për më shumë se 2 ditë.

“Është një situatë e tmerrshme, po shohim dritë në fund të tunelit, por akoma s’ka mbaruar”, tha ai.

Ndërkohë edhe në qytetin e Siatëllit, ne shtetin e Uashgintonit më shumë se 100 mijë konsumatorë kanë mbetur pa energji.

I ftohti i skajshëm prishi planet e mijëra amerikanëve për festën e Krishlindjeve pasi mijëra fluturime u anuluan si pasojë e stuhisë, erërave të forta dhe dëborës.

Vetëm të hënën, sipas të dhënave të kompanisë Flight Aware, që monitoron fluturimet, u anuluan më shumë se 2,085 udhëtime.

Sipas kompanisë, vonesa dhe anulime ka në aeroportet që ndodhen npë Atlanta, Las Vegas, Siatëll, Baltimorë dhe Çikago.

Metereologët thonë se këtë javë temperaturat të rriten gradualisht.

XS
SM
MD
LG