Vetëm disa javë para dy vjetorit të sulmit të mbështetësve të ish Presidentit Donald Trump ndaj Kapitolit, shënohet një kapitulli i paprecedentë në historinë amerikane, një komision i përbërë nga ligjvënës të të dy kaheve politike i rekomandon Departamentit të Drejtësisë të ngrejë akuza penale ndaj ish Presidentit për rolin e tij në përpjekjet për të përmbysur rezultatin e zgjedhjeve të vitit 2020 që u fituan nga Joe Biden.
“Do të bëjmë shumë, shumë kujdes që procesi të mos politizohet. Kjo administratë dhe Departamenti i Drejtësisë kryen hetime në mënyrë të pavarur, pa asnjë ndërhyrje dhe larg çdo ndikimi politik apo çdo lloj ndikimi tjetër”, tha Karine Jean-Pierre , zëdhënëse e Shtëpisë së Bardhë.
Në të njëjtën kohë, Prokurori i Përgjitshëm Merrick Garland duhet të vendosë nësë do të marrë parasysh rekomandimet e komisionit të 6 janarit.
"Mendoj se gjëja më e mirë që mund të bëjë Presidenti Biden është ajo që në fakt po bën. Pra ai duhet të thotë se Dhoma e Përfaqësuesve bëri një punë bindëse, se ai bie dakord me rekomandimet e tyre, se duhet të vazhdojmë të mbrojmë demokracinë, por tani çdo gjë është në dorë të Departamentit të Drejtësisë. Kaq duhet të jetë qëndrimi i tij”, thotë Peter Loge nga Universiteti “George Washington”.
Prokurori i Përgjithshëm propozohet nga Presidenti dhe miratohet nga Senati. Departamenti i Drejtësisë ka fituar më shumë pavarësi, pas ndryshimeve që pasuan atë që njihet si skandali i “Watergate-t”, kur Presidenti Richard Nixon tentoi të përdorte prokurorin e përgjithshëm për të përmbushur agjendën e vet politike.
Akti i Etikës në Qeverisje i vitit 1978, parashikon caktimin e prokurorëve të posaçëm, të pavarur nga administrata, për hetime mbi shkelje të mundshme nga zyrarë publikë.
Prokurorit të Përgjithshëm Merrick Garland caktoi Prokurorin e Posaçëm Jack Smith, për drejtimin e hetimeve ndaj zotit Trump.
“Vendimi për të caktuar zotin Smith tregon angazhimin e departamentit për pavarësi dhe llogaridhënie në çështjet me ndjeshmëri të lartë”, tha Merrick Garland , Prokuror i Përgjithshëm .
Por zoti Trump thotë se hetimi është një gjueti shtrigash.
“Për vite të tëra u kam vënë në dispozicion miliona faqe me dokumente, dosje tatimore dhe çdo gjë tjetër dhe ata nuk kanë gjetur asgjë. Kjo fakton se unë jam një nga njerëzit më të ndershëm dhe të pafajshëm të këtij vendi”, tha Donald Trump, ish President.
Për asnjë President të Shteteve të Bashkuara deri më tani nuk janë ngritur akuza penale. Shumë besojnë se kjo do të thellojë polarizimin, por të tjerë thonë se ia vlen.
“Pavarësia e vërtetë e Departamentit të Drejtësisë dhe hetimet e kujdesshme ndaj një ish presidenti që shkeli ligjin, mund të ndihmojnë në mbrojtjen e shtetit ligjor dhe ruajtjen e demokracisë së vendit tonë. Kjo është sfida e Departamentit të Drejtësisë”, thotë William Howell, profesor, “Chicago American Politics”.
Komisioni i Dhomës së Përfaqësuesve për hetimin e sulmit të 6 janarit në Kapitol rekomandoi që zoti Trump të akuzohet për ndihmë dhe mbështetje të një rebelimi, përpjekje për të ndërprerë seancat zyrtare të Kongresit, komplot për të mashtruar Shtetet e Bashkuara dhe komplot për dëshmi të rreme.