Ditari - Krasniqi: Asociacioni pjesë e marrëveshjes së përgjithshme me Serbinë
Në një intervistë për Zërin e Amerikës, kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, thotë se propozimi për një marrëveshje me Serbinë pa njohje të ndërsjellë, nuk mund të jetë i pranueshëm. Ai bën thirrje që bllokadat në veri të hiqen e të mos shndërrohen në një normalitet të ri. Në Shqipëri, Prokuroria e Posaçme njoftoi sot se ka dërguar për gjykim çështjen e inceneratorit të Fierit, me 21 të pandehur, mes të cilëve ish-ministri i Mjedisit Lefter Koka dhe ish deputeti socialist Alqi Bllako. Po në Shqipëri, një studim i Programit të Zhvillimit të Kombeve të Bashkuara tregon se sektori i turizmit ka nevojë për më shumë punëtorë të kualifikuar vendas.