Kur Presidenti Joe Biden mori detyrën në fillim të vitit 2021, ai shpresonte të rikthente besimin tek demokracia amerikane, pas akuzave të rreme për manipulim të zgjedhjeve presidenciale dhe sulmit ndaj Kapitolit më 6 janar. Gati dy vite më vonë, korrespondetja e Zërit të Amerikës, Cindy Saine i hedh një vështrim përpjekjeve të administratës amerikane për të forcuar demokracinë brenda dhe jashtë vendit.
Presidenti Joe Biden dhe Partia Demokrate arritën të ruajnë shumicën në Senat, por humbën Dhomën e Përfaqësuesve gjatë zgjedhjeve të mesmandatit. Ishte një rezultat më i mirë nga ç’pritej. Por ndoshta po aq i rëndësishëm për presidentin ishte edhe fakti se votuesit refuzuan shumë kandidatë që përqafuan pretendimet e rreme se zgjedhjet e vitit 2020 u manipuluan.
“Demokracia jonë është vënë në sprovë gjatë viteve të fundit. Por me votën e tij, populli amerikan foli dhe dëshmoi edhe njëherë se ne jemi një vend demokratik”, tha Presidenti Biden.
Që nga sulmi ndaj Kapitolit më 6 janar 2021, janë ngritur akuza ndaj mbi 900 personave për këtë incident, dhe ish-Presidenti Donald Trump po përballet me disa procese ligjore.
Të dyja partitë kanë pranuar përgjithësisht rezultatet e mesmandatit, duke i bërë analistët të arrijnë në përfundimin se institucionet demokratike të Amerikës janë të forta.
“...diçka e jashtëzakonshme (ndodhi). Republikanët parimorë, demokratët parimorë, u bashkuan, identifikuan rreziqet më të mëdha ndaj aftësisë sonë themelore për të transferuar pushtetin, qoftë nëse kandidojnë për sekretar shteti, thesari, për ligjvënës apo senatorë. Votuan realisht kundër tyre, duke mundur pothuajse secilin prej tyre”, tha Thomas Friedman, analist në gazetën The New York Times.
Në rrafshin e politikës së jashtme, Presidenti Biden dhe Sekretari i Shtetit Antony Blinken thonë se shtypja e protestave nga Kina dhe Irani, si dhe sulmi i Rusisë ndaj Ukrainës, nxjerrin në pah luftën mes demokracisë dhe autoritarizmit.
“Roli udhëheqës i Shteteve të Bashkuara duhet të përballet tashmë me këtë moment të ri të autoritarizmit që po përparon, përfshirë ambicjet në rritje të Kinës për të rivalizuar Shtetet e Bashkuara dhe vendosmërinë e Rusisë për të dëmtuar dhe trazuar demokracinë tonë”, tha Presidenti Biden.
Por, një analist i tha Zërit të Amerikës se politika amerikane nuk vepron gjithnjë në përputhje me objektivat e shprehura nga presidenti për demokracinë, kur bëhet fjalë p.sh. për t’iu kundërvënë autoritarizmit në vendet e Amerikës Latine dhe Azisë Juglindore.
“Nuk është kuadri i gabuar, por mënyra se si është shoqëruar ky kuadër me politika efikase, si përpjekjet për liberalizimin e tregtisë që do sillte përfitim të prekshëm për popullsitë e p.sh. Indisë dhe Indonezisë nga një bashkëpunim më i afërt me Shtetet e Bashkuara”, tha Dalibor Rohac, nga Instituti Amerikan i Sipërmarrjes.
Kritikë të tjerë thonë se Presidenti Biden duhet të flasë më ashpër për çështje si protestat në Kinë për politikat shtypëse për COVID-in, apo për protestat kundër mbajtjes së hixhabit në Iran të shkaktuara nga vdekja nën arrest policor të 22-vjeçares Mahsa Amini.
Ish-Nënpresidenti Mike Pence i bëri thirrje Shtëpisë së Bardhë të flasë më me forcë, duke rikujtuar se ish-Presidenti Barack Obama pranoi se gaboi kur nuk foli me forcë gjatë protestave të ngjashme në Iran në vitin 2009.
“Shpresoj që Presidenti Biden ta pranojë këtë këshillë, nëse jo prej meje, atëherë prej presidentit me të cilin shërbeu. Le ta ngrejë zërin Amerika për popullin në Kinë”, tha ish-Nënpresidenti Pence.
Ekspertët kanë mendime të ndryshme për mënyrën më të mirë për të bindur vendet që të forcojnë demokracinë. Disa sugjerojnë se lufta e Rusisë në Ukrainë ka qenë kaq destabilizuese, sa do të kishte qenë më mirë që administrata e Presidentit Biden ta përkufizonte luftën globale ndaj autokratëve, si një zgjedhje mes stabilitetit dhe destabilitetit.
Presidenti Biden përshëndet rezultatin e zgjedhjeve të mesmandatit si një fitore për demokracinë
- Cindy Saine