Shtetet e Bashkuara po monitorojnë për variante të reja të koronavirusit ndërsa po përgatiten për pasojat e një vale të mundshme përhapjeje të infektimeve nga COVID-19, pasi Pekini lehtësoi masat e rrepta të kontrollit që e mbanin pandeminë brenda Kinës.
“Kemi një program vigoroz mbikqyrjeje që e përdorim për udhëtarët që hyjnë në vend, për identifikimin e personave të infektuar, për gjurmimin e varianteve”, i tha Zërit të Amerikës Ashish Jha, koordinator i Shtëpisë së Bardhë për përgjigjen ndaj koronavirusit, gjatë një seance informimi me gazetarët të enjten. “Dhe nëse ka variante të reja që shfaqen, kam besimin se do të jemi në gjendje t’i identifikojmë”.
Zoti Jha tha se mekanizmi i monitorimit përfshin edhe testimin e ujërave të zeza në Shtetet e Bashkuara dhe në vendet partnere.
Të mërkurën, Pekini njoftoi ndryshime madhore në reagimin ndaj pandemisë, duke iu larguar përqasjes së rreptë të tolerancës zero ndaj COVID-it, e cila mbështetej shumë tek izolimet dhe shkaktoi protesta në mbarë vendin. Udhëzimet e reja nuk kërkojnë më skanimin e kodeve QR të shëndetit për të hyrë në zonat publike dhe ua lejojnë pacientëve me sëmundje të lehtë që të karantinohen në shtëpi, në vend të objekteve të mbipopulluara të qeverisë.
Një valë e madhe e COVID-19 në Kinë do të kishte pasoja të paparashikueshme tek virusi, tha Xi Chen, profesor për shëndetin publik në Universitetin Yale.
“Vendi më i populluar i botës përmban një numër të madh njerëzish me imunitet të kompromentuar, të cilët mund ta mbartin virusin me muaj të tërë dhe që mund të prodhojnë variante shqetësuese”, i tha ai Zërit të Amerikës.
Megjithatë, zoti Chen vuri në dukje se mund të ketë një rrezik të zvogëluar nga variantet e reja që do të dilnin nga një valë infektimesh në Kinë.
“Kina ka mbajtur politikën e tolerancës zero ndaj COVID-it për sa kohë që popullsia përgjithësisht nuk ka hasur në nënvariante të omikronit; sistemet imunitare të njerëzve mbeten të stërvitura pothuajse ekskluzivisht me variantin origjinal të koronavirusit, duke krijuar mbrojtje që variantet që qarkullojnë mund t’i shmangin me lehtësi”, tha ai. “Është e mundur që do të ketë më pak presion ndaj virusit që të evoluojë për të shmangur më tej imunitetin”.
Organizata Botërore e Shëndetësisë ka ngritur shqetësimin se 1.4 miliardë shtetasit e Kinës nuk janë vaksinuar sa ç’duhet, në veçanti popullsia e moshuar dhe popullsitë e rrezikuara.
Pekini ka shtuar përpjekjet për imunizimin, duke administruar mesatarisht 1 milion vaksinime çdo ditë. Por, me afrimin e udhëtimeve për festat dhe me kohën që nevojitet për të krijuar imunitetin pas vaksinimit, kjo hapësirë po ngushtohet, thotë zoti Chen.
“Ndoshta dy javët në vazhdim do të jenë mundësia e fundit për të shmangur transmetimin e përshpejtuar të virusit në mbarë Kinën”.
Ndërsa përgatitet për infektime të reja, Kina filloi këtë javë të shesë ilaçin Paxlovid, një medikament për COVID-19 që merret nga goja dhe që është prodhuar nga kompania amerikane Pfizer.
Zoti Jha tha se marrëveshja u arrit pa përfshirjen e administratës amerikane, por tha se Shtetet e Bashkuara i kanë ofruar Kinës që ta ndihmojnë me standartet e vaksinimit.
“Ne jemi donatorët më të mëdhenj në botë të vaksinave, pothuajse 700 milionë doza”, tha ai. “Jemi të gatshëm të ndihmojë çdo vend që ka nevojë për ndihmë”.
Plani përgatitor për dimrin
Të enjten, Shtëpia e Bardhë qarkulloi Planin Përgatitor për COVID-19 gjatë dimrit.
“Nuk duam që ky dimër t’i ngjasojë dimrit të kaluar apo atij përpara tij”, tha zoti Jha.
Në një deklaratë, Shtëpia e Bardhë u shpreh se megjithëse COVID-19 “nuk vepron më me forcën trazuese që pati dikur, virusi vazhdon të evoluojë”, dhe se të dhënat më të fundit nga Qendra për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve tregojnë se gjatë ditëve të fundit janë rritur rastet e infektimeve të reja, e shtrimeve në spital dhe vdekjeve.
Shtëpia e Bardhë tha se krahas qendrave ekzistuese për testimin falas, duke filluar nga e enjtja të gjitha familjet amerikane mund të porosisin katër teste për COVID-19 që do t’iu dërgohen falas me postë. Teste falas që mund të bëhen në kushte shtëpiake do të jenë gjithashtu të disponueshme në të gjitha objektet që ndihmohen nga qeveria, për strehimin e të moshuarve dhe për ofrimin e ushqimeve falas.
Administrata u ka dërguar gjithashtu të gjithë guvernatorëve një plan veprimi për hapat që duhet të ndërmarrin kur ka rritje të rasteve të infektimeve dhe shtrimeve në spital gjatë këtij dimri.