Lidhje

Ish- themeluesi i FTX, akuzohet për mashtrim të investitorëve


Agjencia Federale që Mbikqyr Tregjet e Shkëmbimit të Aksioneve në Shtetet e Bashkuara, SEC, ka paditur ish themeluesin e kompanisë për këmbimin e kriptovalutave ‘FTX’ për organizimin e një skeme mashtrimi të investitorëve.

Agjencia pretendon se Sam Bankman-Fried ka mbledhur më shumë se 1.8 miliardë dollarë nga investitorët, që nga maji i vitit 2019, duke e paraqitur FTX-in si një platformë të sigurtë për tregtimin e kriptovalutave.

Në bazë të padisë, zoti Bankman-Fried ka transferuar kapitalin e klientëve në kompaninë e tij private të kriptovalutave, ‘Alameda Research LLC’, pa i vënë ata në dijeni.

Ai ka bashkuar kapitalet e klientëve të firmës FTX me ato të firmës Alameda dhe me këto fonde ka blerë pasurive të paluajtshme luksoze dhe ka bërë donacione politike në shuma të mëdha.

“Bankman –Fried transferoi milarda dollarë të klienteve të FTX-it tek Alemeda. Më tej ai e përdori Alamedan si bankën e tij të kursimeve, për të blerë njësi banimi luksoze, për të mbështetur fushata elektorale dhe për investime të tjera. Por asnjë prej tyre nuk iu bë e ditur investitorëve ose klientëve të FTX-it”, thuhej në akuzën e agjencisë federale.

"Ne pretendojmë se Sam Bankman-Fried ndërtoi një strukturë mashtrimi, duke u thënë investitorëve se ishte një nga platformat më të sigurta të kriptomonedhave," tha drejtori i agjencisë Gary Gensler. "Mashtrimi që dyshohet të jetë kryer nga z. Bankman-Fried është një paralajmërim i qartë për platformat e kriptovalutave, se ato duhet të jenë në përputhje me ligjet tona, tha më tej zoti Gary Gensler.

Zoti Bankman-Fried u arrestua të hënën në Bahamas me kërkesë të qeverisë amerikane.

Arrestimi i tij u bë pas hetimit të autoriteteve të Shteteve të Bashkuara dhe Bahamasit pas falimentimit muajin e kaluar të kompanisë për këmbimin e kriptovalutave FTX. Akuzat e agjencisë federale janë të ndryshme nga akuzat penale, që pritet të bëhen të ditura gjatë ditës.

Një zëdhënës i zotit Bankman-Fried nuk pranoi të bënte komente të hënën. Zoti Bankman-Fried ka të drejtë ta kundërshtojë ekstradimin, që mund ta vonojë, por jo ta pengojë transferimin e tij në Shtetet er Bashkuara.

Zoti Bankman-Fried është një nga personat më të pasur, me një pasuri prej rreth 32 miliardë dollarësh. Ai ishte një personazh i njohur në Uashington, pasi ka dhuruar miliona dollarë për fushatat elektorale të demokratëve.

Kompania FTX u kthye në kompaninë e dytë më të madhe të këmbimit të kriptovalutave në botë.

Gjithçka u zbulua javën e kaluar, kur njoftimet vunë në pikëpyetje fuqinë financiare të FTX. Klientë të kësaj kompanie tentuan të tërheqin fondet e tyre, por FTX nuk arriti të plotësonte kërkesat e tyre, mesa duket, pasi kapitalet e tyre ishin përdorur për të mbuluar investimet e gabuara të firmës Alameda Research.

XS
SM
MD
LG