Agjencitë amerikane të rendit dhe zbulimit janë të shqetësuar se mund të ketë sulme të tjera të ngjashme me atë të Nju Orlinsit në ditën e Vitit të Ri kur një veteran i ushtrisë amerikane drejtoi një kamion përmes turmës së njerëzve në lagjen më të famshme të qytetit.
Ata e shprehën shqetësimin në një buletin informativ të këtyre agjencive që u bë publik të premten, një ditë pasi FBI-ja arriti në përfundimin se Shamsud-Din Jabbari, një 42-vjeçar nga Teksasi, ishte "100 për qind i frymëzuar" nga grupi militant Shteti Islamik për kryerjen e sulmit që shkaktoi vdekjen e të paktën 14 personave dhe plagosjen e dhjetëra të tjerëve.
Jabbar, i cili kishte një flamur të Shtetit Islamik në kamionin që kishte marrë me qira, u vra më pas në një shkëmbim zjarri me policinë.
FBI-ja, Departamenti i Sigurisë Kombëtare dhe Qendra Kombëtare e Kundër-Terrorizmit "janë të shqetësuara për sulme të mundshme të ngjashme ose hakmarrëse", thuhet në buletinin e zbulimit të publikuar nga tre agjencitë.
Persona të tjerë të prirur për sulme të tilla mund ta ndjekin këtë shembull “duke pasur parasysh lehtësinë e blerjes së automjeteve dhe të aftësive të nevojshme për të kryer një sulm", thuhej në buletinin e lëshuar për agjencitë e zbatimit të ligjit të SHBA-së.
Buletini vë në dukje se deri të enjten, Shteti Islamik nuk kishte marrë përgjegjësinë për sulmin në Nju Orlins. Por mbështetësit e grupit në internet e përshëndetën atë sulm si edhe përplasjen e një automjeti më 20 dhjetor në Gjermani, edhe pse ai incident nuk dukej se ishte i frymëzuar nga Shteti Islamik, sipas buletinit.
Përdorues të tjerë në internet i kanë përmendur këto sulme për të bërë "thirrje për dhunë kundër grupeve të caktuara, si emigrantët apo myslimanët", vazhdon buletini.
Shteti Islamik ka vazhduar të promovojë propagandën e tij dhe të rekrutojë pasues në internet, pavarësisht humbjeve serioze ndaj koalicionit ushtarak të udhëhequr nga SHBA që e eliminoi “kalifatin", siç e quante ISIS-i territorin që kishte marrë nën kontroll në Siri dhe Irak në 2014.
Agjencitë i kërkojnë personelit të zbatimit të ligjit dhe firmave private të sigurisë që të jenë vigjilentë pasi në shumë raste të mëparshme sulmuesit që përplasën automjetet në turma, ishin të armatosur dhe vazhduan sulmet me armë ose me mjete të mprehta.
THIRRJE PËR SULME
Incidenti i 1 janarit në lagjen e mbushur plot të Nju Orlinsit ishte sulmi i shtatë në Shtetet e Bashkuara që nga viti 2001 i frymëzuar nga një organizatë e huaj ekstremiste, thuhet në buletin.
Përdorimi i "mjeteve të mprehta” si thikat dhe armëve të zjarrit ka qenë më i shpeshtë në sulme të tilla, por automjetet mund të paraqesin një kërcënim në rritje, vazhdon dokumenti.
Organizatat e huaja të konsideruara si terroriste nga SHBA dhe "grupet mediatike mbështetëse" të tyre kishin publikuar video dhe postera ku bënin thirrje për sulme "gjatë festave të fundvitit në përgjithësi dhe festimeve të Vitit të Ri në mënyrë të veçantë", vuri në dukje buletini.
Më 30 dhjetor, "një njësi mediatike pro-ISIS-it" inkurajoi sulmet kundër festimeve të Vitit të Ri në SHBA dhe vendeve të koalicionit duke "postuar video që përmendnin sulmet e kaluara të ISIS-it dhe duke udhëzuar mbështetësit të nxisin më tej dhunën", thonë agjencitë amerikane.
Administrata e Presidentit Joe Biden po mban të informuar Presidentin e zgjedhur Donald Trump dhe ekipin e tij të tranzicionit për hetimet në sulmin në New Orleans dhe një shpërthim po atë ditë para hotelit Trump në Las Vegas, tha një burim i njohur me komunikimet.