Ndihmës administratorja e Agjencisë Amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID), Erin E. McKee, tha të hënën në Prishtinë se normalizimi i marrëdhënieve ndërmjet Kosovës e Serbisë dhe njohja e ndërsjellë, do të sjellin përfitime për qytetarët e të dy vendeve dhe gjithë rajonit të Ballkanit Perëndimor.
Ajo i bëri këto komente gjatë vizitës së saj në Kosovë, ku po takohet me udhëheqës të institucioneve, përfaqësues të biznesit dhe shoqërisë civile.
“Dua të jem e qartë kur them se marrëdhëniet e normalizuara ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, me njohjen e ndërsjellë në qendër, paraqesin mënyrën më të mirë për tu siguruar që Kosova ka marrëdhënie më të mira me fqinjët. Rrjedhimisht merr një rol udhëheqjeje siç i takon krahas fqinjëve të vet në institucionet euro atlantike. Besojmë se nga kjo do të përfitonin të gjithë qytetarët në Kosovë, në Ballkanin Perëndimor, dukë përfshirë Serbinë”, tha ajo.
Zonja McKee tha se Shtetet e Bashkuara mbeten të përkushtuara për të ndihmuar Kosovën në krijimin e të ardhmes që qytetarët e saj meritojnë.
“E ardhmja e Kosovës varet nga fuqizimi i sektorit të energjisë. Ne do të vazhdojmë të punojmë me Kosovën për të rritur shumëllojshmërinë e furnizimit me energji, për të siguruar qëndrueshmëri të këtij sektori, ndërsa mbështesim integrimin rajonal dhe ndihmojmë Kosovën në rrugën e saj drejt dekarbonizimit”, tha ajo.
Më herët gjatë vitit Shtetet e Bashkuara dhe Kosova nënshkruan në Uashington marrëveshjen e programit kompakt të Korporatës amerikane Sfidat e Mijëvjeçarit përmes së cilës pritet të investohen mbi 236 milionë dollarë në sektorin e energjisë, prej të cilave 202 milionë do të sigurohen nga qeveria amerikane.
Udhëheqësit e Kosovës e vlerësuan lart rolin e USAID-it në Kosovë dhe partneritetin e palëkundur me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
“USAID-i ka qenë një forcë shtytëse dhe siç e thashë edhe katalizator i ndryshimeve pozitive në vendin tonë, posaçërisht në tri fronte që lidhen drejtpërdrejtë edhe me punën time si presidente. E para është demokracia, pra zhvillimi i mëtejmë i demokracisë në vendin tonë, fusha e dytë është sundimi i ligjit – një fushë e rëndësishme që ne e shohim si parakusht për zhvillim në të gjitha fushat tjera, dhe e treta është të drejtat e njeriut”, tha zonja Osmani.
“Te USAID gjejmë edhe Shtetet e Bashkuara si shtet edhe popullin mik amerikan. Andaj le t’i zgjerojmë lidhjet dhe ta thellojmë bashkëpunimin në shërbim të dy vendeve dhe dy popujve tanë, mbi bazën e vlerave dhe bindjeve që ndajmë”, tha kryeministri Kurti.
Që nga viti 1999, USAID-i ka investuar, në emër të popullit amerikan, mbi një miliardë dollarë në rrugëtimin e Kosovës drejt zhvillimit të qëndrueshëm.