Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti emëroi të enjten kryetarin e Partisë Demokratike Progresive me seli në Graçanicë, Nenad Rashiç, në postin e ministrit për Kthim dhe Komunitete, më pak se një muaj pas dorëheqjes se ish ministrit Goran Rakiç nga radhët e Listës Serbe.
Dorëheqja pasoi mospajtimet e përfaqësuesve serbë në veriun e Kosovës me vendimin e qeverisë qendrore për konvertimin e targave të makinave të lëshuara nga Serbia. Aktualisht në institucionet e Kosovës në veri nuk ka punonjës serbë, ndërsa Lista Serbe mbushi vendet e lëna bosh në parlamentin e Kosovës, siç u tha, për të mos lejuar që ato të mbushen me serbë të “dëgjueshëm” ndaj autoriteteve në Prishtinë.
Nenad Rashiç, i cili u emërua ministër, ka shërbyer para vitit 2013, kur u themelua Lista Serbe, si deputet në parlamentin e Kosovës dhe ministër për Punë e Mirëqenie Sociale në qeverinë e Kosovës.
Në vitin 2020 shërbeu për një kohë të shkurtër si këshilltar dhe drejtor i Zyrës për Komunitete në kuadër të zyrës së kryeministrit Albin Kurti, para se të jepte dorëheqje pas ngritjes së një aktakuze nga Prokuroria e Posaçme e Kosovës kundër nëntëmbëdhjetë personave, në mesin e të cilëve edhe ish ministra nën dyshimet për veprën penale “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”.
Të gjithë akuzoheshin për përfshirjen e katër hidrocentraleve në një kontratë për shitjen e rrjetit të shpërndarjes së energjisë elektrike. Në vitin 2012 autoritetet vendosën që ky rrjet t’i shitet kompanisë turke “Limak & Calik” me një vlerë prej 26.3 milionë eurosh. Në mesin e tyre është edhe zoti Rashiç.
Ditë më parë një gjykatë në Prishtinë e liroi zotin Rashiç nga aktakuza.
Më 23 nëntor Kosova dhe Serbia arritën një marrëveshje lidhur me përdorimin e targave të makinave që çoi në uljen e tensioneve në veriun e Kosovës por jo edhe kthimin e punonjësve serb në institucione.
Kryeministri Albin Kurti tha të mërkurën se largimi i serbëve nga institucionet ishte vendim politik dhe se kthimi i tyre duhet të bëhet në rrugë ligjore.
Për datën 18 dhjetor janë shpallur zgjedhjet për kryetarët e katër komunave me shumicë serbe në veri, mes paqartësive për rrjedhën e tyre meqë Lista Serbe që mbante pushtetin e plotë në atë zonë do t’i bojkotojë ato.