Të enjten, kryeministri në detyrë, Albin Kurti tha se e ka pranuar dorëheqjen e këshilltarit dhe drejtorit të Zyrës për Komunitete në kuadër të zyrës së kryeministrit, Nenad Rashiç.
Në një konferencë të përbashkët me gazetarë ai tha se dorëheqja pasoi një aktakuzë të ngritur nga Prokuroria e Posaçme e Kosovës më 10 prill kundër nëntëmbëdhjetë personave, në mesin e të cilëve edhe ish ministra nën dyshimet për veprën penale “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”.
Të gjithë akuzohen për përfshirjen e katër hidrocentraleve në një kontratë për shitjen e rrjetit të shpërndarjes së energjisë elektrike. Në vitin 2012 autoritetet vendosën që ky rrjet t’i shitet kompanisë turke “Limak & Calik” me një vlerë prej 26.3 milionë eurosh. Në mesin e tyre është edhe zoti Rashiç.
“Unë besoj në pafajësinë e zotit Nenad Rashiç. Bëhet fjalë për procese të cilat janë të vjetra kurse regjimi i vjetër i cili nuk preferon të largohet nga sundimi me Kosovën dhe gjithashtu bëhet fjalë për aktakuza në të cilët krerët e çështjes nuk ndodhen me emrat e tyre në aktakuzat që ngritën. Pra gjithmonë kemi persona të cilët kanë qenë aty në rrethin e tretë apo të katërt të një çështje të caktuar, por thelbi i problemit gjithmonë evitohet. Prandaj si zakonisht në këto aktakuzat e regjimit të vjetër të shtetit të kapur të Kosovës më e vlefshme është të shihet se cilët emra mungojnë sesa se cilët emra mund ti lexojmë aty”, tha zoti Kurti.
Zoti Rashiç tha se e konsideron të padrejtë akuzën, por për hir të parimeve ka vendosur të tërhiqet.
Facebook Forum