Fondi Monetar Ndërkombëtar tha të premten se sipas parashikimeve të këtij institucioni, rritja ekonomike e Kosovës për këtë vit pritet të jetë dy deri në tre për qind.
Udhëheqësi i misionit të Fondit Monetar Ndërkombëtar që ka qëndruar këto ditë në Prishtinë, Gabriel Di Bella, tha në përmbyllje të vizitës se rënia e rritjes ekonomike të Kosovës është pasojë e luftës në Ukrainë e cila ka shkaktuar ngritje të çmimeve të ushqimit dhe energjisë.
“Për të qenë të matur, parashikimi jonë është dy deri në tre për qind rritje për tërë vitin në tërësi. Pra pas 11 për qind rritje vitin e kaluar që ka qenë e jashtëzakonshme duke e vënë Kosovën në nivele të të hyrave që janë të krahasueshme me ato të para pandemisë, këtë vit Kosova nuk ka mundur të izolohet nga trendet në Evropë”, tha ai.
Kosova këtë vit po përballet me shkallë të lartë të inflacionit, e cila sipas të dhënave nga Agjencia e Statistikave të Kosovës në muajin shtator ka arritur në 12.7 për qind.
Zoti Di Bella tha se sipas parashikimeve të Fondit Monetar Ndërkombëtar çmimet nuk pritet të bien deri në vitin e ardhshëm.
“Skenari ynë i bazë, ajo që ne mendojmë se do të ndodhë është që vitin e ardhshëm do të ulen çmimet e mallërave dhe kur kjo të ndodhë Kosova mund të përfitoj me ulje të inflacionit dhe ringjallje të aktivitetit ekonomik. Përveç kësaj presim që kjo do të ndikojë edhe në realizimin më të lartë të investimeve kapitale, gjë që do t’i jepte një dinamikë rritjes ekonomike vitin e ardhshëm”, tha zoti Di Bella.
Ministri i Financave të Kosovës, Hekuran Murati, tha se ulja e inflacionit vitin e ardhshëm do të mundësojë që vendi të ketë rritje ekonomike prej rreth 5.5 për qind.
“Me shpresën që do të kemi një stabilizim në këtë aspekt dhe një rënie graduale të këtyre çmimeve, një kthim drejt normalitetit dhe shto këtu edhe faktin që kemi një politikë fiskale zgjeruese edhe për vitin e ardhshëm, konsiderojmë që trendi rritës ekonomik do të vazhdoj. Shpresojmë që do të jetë rritje më e lartë se këtë vit, ne kemi projektuar që të jetë rreth 5.5 për qind”, tha zoti Murati.
Por sipas parashikimeve të Fondit Monetar Ndërkombëtar, rritja ekonomike e Kosovës për vitin 2023 pritet të jetë tre deri katër për qind.
Zoti Di Bella tha se autoritetet në Kosovë duhet të shtojnë përpjekjet për të zbutur efektet e krizës energjetike e cila pritet të krijojë vështirësi posaçërisht gjatë sezonës së dimrit.
Kriza energjetike botërore, pamundësia që Kosova të përmbushë nevojat e veta me prodhim të brendshëm dhe çmimet e larta të importit, kanë ngritur shqetësime për një dimër sfidues në Kosovë, ku energjia elektrike është burim kryesor për ngrohje.
“Është thelbësore të dyfishohen përpjekjet për të gjetur mënyra për të kursyer energjinë dhe kjo mund të bëhet edhe nga masat për efiqiencë por edhe nëpërmjet një shfrytëzimi më të lartë të tarifave. Ne nuk po themi që e tërë rritja e çmimit në tregun ndërkombëtar t’i bartet konsumatorëve sepse kjo do të jetë vertetë e rëndë, por ajo që mendojmë është se çmimi përfundimtar duhet të përdoret asisoj që kategoritë jo të cënueshme të ulin kërkesën për energji dhe kështu të arrihet qëndrueshmëri financiare e këtij sektori gjatë dimrit”, tha zoti Di Bella.
Sipas përllogaritjeve mesatare pritet që shpenzimi i energjisë elektrike gjatë dimrit të jetë 4.12 milion megavat orë, derisa prodhimi do të jetë 3.2 milion megavat orë, që i bie se vendit do t’i duhen edhe 722.8 mijë megavat orë energji elektrike nga importi.