Lidhje

Borrell: Kemi marrë përgjigje nga Kosova dhe Serbia për nismën franko-gjermane


G-7 foreign ministers meeting in Germany
G-7 foreign ministers meeting in Germany

Shefi i diplomacisë evropiane, Josep Borrell, tha të premten se Bashkimi Evropian ka marrë përgjigjet nga udhëheqësit e Kosovës dhe Serbisë lidhur me propozimin franko-gjerman, të cilat siç tha ai janë duke u shqyrtuar.

Borrell: Kemi marrë përgjigje nga Kosova dhe Serbia për nismën franko-gjermane
please wait

No media source currently available

0:00 0:03:28 0:00

Ai i bëri këto komente në Gjermani para takimit të ministrave të jashtëm të grupit të shtatë vendeve më të industrializuara, (G7).

“Para kësaj vere ne u kemi paraqitur një plan të dyja palëve, Serbisë dhe Kosovës për të kapërcyer krizat e vazhdueshme nëpër të cilat kemi punuar në kërkim të normalizimit gjithëpërfshirës të marrëdhënieve ndërmjet të tyre. Dhe jam shumë mirënjohës për mbështetjen e Gjermanisë dhe Francës ndaj këtij propozimi, kemi marrë përgjigjet nga të dyja palët dhe po i shqyrtojmë”, tha ai duke nënvizuar se ky është një rast i mirë që duhet të shfrytëzohet për të normalizuar marrëdhëniet mes Prishtinës dhe Beogradit.

“Në ditët në vijim do të shohim se cilat janë përgjigjet e tyre ndaj këtij propozimi dhe shpresoj se do të përfaqësojë një ndryshim dhe një lëvizje përpara në këtë proces”, tha zoti Borrell.

Javëve të fundit janë shtuar zërat për një marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë që do të përparonte procesin e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet tyre.

Të enjten pas takimeve në kuadër të procesit të Berlinit, kancelari gjerman, Olaf Scholz, tha se procesi i normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë duhet të përshpejtohet dhe së shpejti mund të priten zhvillime pozitive pas nismës franko-gjermane për një marrëveshje ndërmjet palëve.

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti tha se mundësitë që po prezantohen në mënyrë të ngjeshur lidhur me bisedimet Kosovë - Serbi, janë një përparim, por ende është herët të flitet se cilat mund të jenë përfundimet.

Ende nuk janë dhënë hollësi rreth nismës franko-gjermane por ajo po mbështetet edhe nga Shtetet e Bashkuara, e cila pasoi tensionet e verës së këtij viti ndërmjet Kosovës dhe Serbisë rreth përdorimit të dokumenteve të identifikimit dhe targave të makinave.

Diplomatët perëndimorë i kërkuan Kosovës të shtyjë për dhjetë muaj zbatimin e një vendimi për konvertimin e targave të makinave të lëshuara nga Serbia për shkak të rrezikut për shtimin e tensioneve dhe krijimin e hapësirës për arritjen e një marrëveshjeje për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Por autoritetet në Kosovë filluan me një nëntor zbatimin e vendimit të qeverisë qendrore për të paralajmëruar qytetarët serbë në veriun e Kosovës për afatet e përcaktuara për ndërrimin e targave të makinave të lëshuara nga Serbia me ato të Kosovës që duhet të përmbyllet në muajin prill të vitit të ardhshëm.

Beogradi zyrtar dhe përfaqësuesit politik të serbëve të Kosovës nuk pajtohen me vendimin e qeverisë së Kosovës për t’i zëvendësuar targat e lëshuara nga Serbia me ato të Kosovës, RKS.

Autoritetet serbe thanë se kanë vënë ushtrinë në gjendje gatishmërie për shkak të situatës në Kosovë, ndërsa pjesëtarët serbë të policisë po refuzojnë të përfshihen në procesin e zbatimit të vendimit të qeverisë për targat. Policia e Kosovës pezulloi të enjten drejtorin e saj rajonal në veriun e vendit Nenad Gjuriç për shkak të këtij refuzimi.

Ky pezullim çoi në reagime të ashpra të zyrtarëve në Beograd ndërsa Lista Serbe që është subjekti kryesor i serbëve të Kosovës ka thirrur për të shtunën mbledhje të jashtëzakonshme me kryetarët e katër komunave në veriun e Kosovës, ku pritet të propozohet largimi i serbëve nga të gjitha institucionet e Kosovës.

Situata aktuale në veriun e Kosovës dhe çështja e gjetjes së një zgjidhjeje për targat e makinave pritet të jetë temë e diskutimeve në takimin e paralajmëruar për sonte në Beograd ndërmjet presidentit të Serbisë, Aleksadnër Vuçiç dhe të dërguarit të Bashkimit Evropian për bisedimet Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.

XS
SM
MD
LG