Guvernatorët republikanë të Floridës dhe Teksasit janë përpjekur të nxjerrin në pah numrin rekord të emigrantëve që mbërrijnë në kufirin jugor të Shteteve të Bashkuara, duke dërguar mijëra njerëz që kërkojnë azil politik në Uashington, Nju Jork dhe vende të tjera të drejtuara nga demokratët. Korrespondenti i Zërit të Amerikës Aron Ranen njofton nga qyteti i Nju Jorkut për të ardhurit me autobus dhe ndikimin e mundshëm politik të kësaj çështjeje tek zgjedhjet e 8 nëntorit për Kongresin.
Me mijëra emigrantë kanë mbërritur me autobusë në qytetin e Nju Jorkut. Për shumë prej tyre, udhëtimi në Shtetet e Bashkuara ka qenë i rrezikshëm.
“Xhungla është e tmerrshme. Vërtet e vështirë. Vajza jonë pothuajse u mbyt në lumë, por falë Zotit jemi këtu”, thotë një imigrant nga Venezuela.
Shumë thonë se janë të motivuar nga shpresa për një jetë më të mirë për fëmijët e tyre.
“Ëndrra jonë është t'u ofrojmë fëmijëve tanë një të ardhme më të mirë, kryesisht në arsim. Në Venezuelë fëmijët tanë nuk kanë një mundësi për të ardhmen", thotë Jennifer, një nënë nga Venezuela.
Guvernatorët republikanë në jug të vendit thonë se demokratët dhe qeveria federale po bëjnë pak për të frenuar hyrjet rekord, kështu që ata po e theksojnë problemin duke dërguar mijëra emigrantë që kërkojnë azil politik në zona të kontrolluara nga demokratët.
"Ne nuk jemi shtet me status të mbrojtur për imigrantët dhe është më mirë të jesh në gjendje të shkosh në një juridiksion të tillë, dhe ne do të ndihmojmë në lehtësimin e atij transporti që të mund të shkoni atje ku ju presin", tha guvernatori i Floridas, Ron DeSantis.
Shtëpia e Bardhë akuzon republikanët se përdorin familjet emigrante për përfitime politike.
“Ndërhyrja e guvernatorëve republikanë në atë proces dhe përdorimi i migrantëve si pengje politike është diçka e turpshme”, tha sekretarja e Shtypit të Shtëpisë së Bardhë, Karine Jean-Pierre.
Politikanët republikanë po përpiqen të vënë në qendër të vëmendjes kombëtare çështjet me të cilat po merren në nivel vendor.
"Ky është një futboll politik. Dhe synon të vërë në pozitë të vështirë demokratët. E vërteta është se ky është një problem kombëtar. Burimet duhet të vijnë nga qeveria federale për çdo juridiksion që pranon azilkërkuesit", thotë Ester Fuchs, profesore në Universitetin e Kolumbias.
Në qytetin e Nju Jorkut, ardhja e më shumë se 18,000 azilkërkuesve e ka çuar sistemin e strehimit për ta në pikën e fundit dhe banorët shprehin pikëpamje të ndryshme mbi vendimin e qeverisjes demokrate të qytetit për të pritur emigrantë, veçanërisht në disa hotele luksoze.
"Çfarë do të bëjmë, ti lemë të vdesin në rrugë? Ata janë këtu tani, kështu që ne do të duhet të përballemi me situatën sa më mirë që mundemi", thotë Jeff Rica, banor i Nju Jorkut.
"Këto janë padyshim lëvizje politike, njerëz që vijnë në vend me dokumenta ose pa dokumente dhe që përdorin burime që amerikanët tashmë nuk i kanë", thotë Jeff Young, banor i qytetit.
A do të lëkundë votuesit taktika e përdorimit të migrantëve?
"Ka më shumë gjasa që votuesit të përqëndrohen tek ekonomia ose krimi sesa emigracioni si çështje përcaktuese të votës së tyre", thotë Ester Fuchs, profesore në Universitetin e Kolumbias.
Sido që amerikanët të votojnë në kutinë e votimit, qasja e polarizuar e partive ndaj imigracionit dhe rritja e vazhdueshme e imigrantëve do të thotë se ka të ngjarë të mbetet një çështje e fuqishme politike për vendin.