Zëdhënësi i Departamentit amerikan të Shtetit, Ned Price tha të hënën se Shtetet e Bashkuara dhe komuniteti ndërkombëtar i kërkoi Kosovës shtyrjen dhjetë muajshe të vendimit për konvertimin e targave të makinave dhe jo shtyrje të pjesshme.
“Ne kemi qenë të qartë, publikisht dhe privatisht, se komuniteti ndërkombëtar, përfshirë Shtetet e Bashkuara kërkon një shtyrje të plotë të zbatimit të këtyre çështjeve. Ne nuk kërkojmë një shtyrje të pjesshme, nuk kërkojmë zbatim në faza. Komuniteti ndërkombëtar i ka kërkuar qeverisë së Kosovës një shtyrje të plotë”, tha ai duke theksuar se po vazhdojnë diskutimet me palët në rajon dhe më Bashkimin Evropian.
Nga e marta autoritetet në Kosovë pritet të zbatojnë vendimin e qeverisë për konvertimin shkallë – shkallë të targave të makinave të lëshuara nga Serbia, ndërsa ministria e Punëve të Brendshme paralajmëroi gjoba deri në 150 euro pas datës 21 nëntor për ata që kanë makina me targa të lëshuara nga Serbia. Sipas kësaj ministrie nga data 21 Janar 2023, ata duhet të pajisen me targa të përkohshme ndërsa pas datës 21 prill 2023, nuk do të lejohet lëvizja e tyre brenda territorit të Kosovës.
Vendimi i qeverisë së Kosovës për të modifikuar afatin që pritej të fillonte nga nesër, ndonëse u pa si lëshim ndaj kërkesave perëndimore nxiti shumë reagime.
Zëdhënësi Price ritheksoi të hënën në konferencë me gazetarë se Shtetet e Bashkuara janë “të zhgënjyera” dhe e “të shqetësuara” që qeveria e Kosovës refuzoi kërkesën dhe këshillën e partnerëve të saj më të ngushtë sa i përket zbatimit të vendimit.
Përfaqësuesit politik të serbëve kritikuan vendimin e qeverisë së Kosovës ndërsa paralajmëruan rezistencë ndaj gjobave të mundshme pas 21 nëntorit.
Ndërsa partitë opozitare në Kosovë kritikuan qeverinë e vendit për siç thanë dëmtimin e interesave strategjike të vendit duke mos përfillur kërkesat e aleatëve në një periudhë kur janë shtuar përpjekjet për të çuar përpara procesin e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet të dyja vendeve.