Nga e marta autoritetet në Kosovë pritet të zbatojnë vendimin e qeverisë për konvertimin shkallë – shkallë të targave të makinave të lëshuara nga Serbia mes reagimeve e mospajtimeve që nxiti ky vendim, i cili pasoi kërkesat e diplomacisë perëndimore për një zgjatje afati prej dhjetë muajsh.
Ministria e Punëve të Brendshme paralajmëroi gjoba deri në 150 euro pas datës 21 nëntor për ata që kanë makina me targa të lëshuara nga Serbia. Sipas kësaj ministrie nga data 21 Janar 2023, ata duhet të pajisen me targa provuese ndërsa pas datës 21 prill 2023, nuk do të lejohet lëvizja e tyre brenda territorit të Kosovës.
Vendimi i qeverisë së Kosovës për të modifikuar afatin që pritej të fillonte nga nesër, ndonëse u pa si lëshim ndaj kërkesave perëndimore për një zgjatje dhjetë muajshe të afatit nxiti shumë reagime.
Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian u shprehën të zhgënjyer dhe të shqetësuar që qeveria e Kosovës refuzoi kërkesën e tyre.
“Bashkimi Evropian do të vazhdojë të angazhohet me partnerët tanë për të gjetur zgjidhje të qëndrueshme dhe natyrisht ne u bëjmë thirrje palëve të përfshira të ruajnë qetësinë dhe të parandalojnë ripërtëritjen e tensioneve të panevojshme në terren”, tha zëdhënësja e Komisionit Evropian, Nabila Massrali.
Përfaqësuesit politik të serbëve kritikuan vendimin e qeverisë së Kosovës ndërsa paralajmëruar rezistencë ndaj gjobave të mundshme pas 21 nëntorit.
Ndërsa partitë opozitare në Kosovë kritikuan qeverinë e vendit për siç thanë dëmtimin e interesave strategjike të vendit.
Arbër Fetahu nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike tha për Zërin e Amerikës se vendimi i qeverisë për shtyrje të afatit ishte veprim i duhur për t’u dhënë hapësirë përparësive tjera në biseidmet për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë.
“Pasi që vet zhvendosja e vendimit një farë forme u dha një lloj kompromisi dhe sinjali se Kosova është e gatshme të negociojë tutje në dialogun Kosovë-Serbi. Pra pati zhvendosje të fjalëve të qeverisë nga fjalët e veta, një farë forme e theu një lloj premtimi apo qëndrimi që kishte me muaj të tërë dhe bëri një zhvendosje dhe besoj që ky është një sinjal edhe për palën ndërkombëtare që është e gatshme dhe është proactive në dialog dhe procese tjera rajonale”, tha ai.
Zoti Fetahu tha se qeveria e Kosovës duhet të ruaj marrëdhëniet me aleatët e saj ndërkombëtarë që kanë rol thelbësor për një marrëveshje me Serbinë.
“Qeveria të ruaj sa më shumë partneritetin me SHBA-në dhe BE-në dhe vendet si Gjermania e Franca pasi që mënyra e vetme për të arritur një marrëveshje finale me Serbinë është nëse BE dhe SHBA i bëjnë presion Serbisë për të arritur një marrëveshje”, tha ai
Kosova dhe Serbia pritet të përfshihen në një fazë të re bisedimesh të bazuar në një plani të propozuar nga Franca e Gjermania, i cili mbështetët nga Shtetet e Bashkuara. Ende nuk janë bërë të ditura hollësitë e planit, por në Serbi thonë se ai parasheh normalizim të marrëdhënieve pa njohje, ndërsa në Kosovë thuhet se marrëveshja mund të funksionojë vetëm më njohje të ndërsjellë.