Lidhje

Sindikata e universiteteve njofton për grevë urie në vazhdim të protestës dyjavore


Në Tiranë, protesta e sindikatës së universiteteve publike të hënën hyri në ditën e 11-të.

Drejtuesit e saj njoftuan nisjen e një greve urie të mërkurën, nëse qeveria nuk reagon edhe këto ditë për kërkesat e tyre ekonomike, për rritje të pagave 50 për qind, si dhe fondeve për kërkim shkencor.

Qeveria ka deklaruar se rritje tjetër pagash nuk do të ketë para dimrit për ta, sepse universiteteve sapo iu rritën pagat 15 për qind.

Protesta e sindikatës së universiteteve publike hyri në javën e tretë me bojkotim të procesit mësimor.

Shqipëri, sindikata e universiteteve njofton për grevë urie
please wait

No media source currently available

0:00 0:02:28 0:00

Pedagogët dhe punonjësit e tjerë të universiteteve kërkojnë përmes peticionit të tyre me 9 pika rritje 50 për qind të pagave me dy faza, rritje të fondeve për kërkim shkencor, rishikim të shpërblimeve për vitet e karrierës dhe titujve shkencorë, si dhe transparencë për financat e vet universiteteve, ku ata punojnë.

“Sot kemi me vete edhe shumë dekanë dhe shefa departamentesh, që janë këtu dhe që janë me ne. Duhet kuptua qartë se edhe lidershipet e universiteteve janë me ne”, thotë profesori i arteve, Ardian Isufi.

Sindikalistët theksojnë se pagat e tyre janë të pamjaftueshme, po ashtu edhe fondet për kërkim shkencor janë minimale, dhe se prej disa vitesh po bëjnë të ditur autoriteteve se janë në vështirësi të mëdha për të realizuar një proces studimor sa më cilësor.

Pedagogia e fakultetit ekonomik, profesore e associuar Mimoza Manxhari, tha mes të tjerash se protesta nuk është thjesht për një rritje page, por për kthim të dinjitetit dhe rritje të cilësisë së arsimit të lartë.

“Cilësitë dhe vlerat shumëpërmasore të arsimit të lartë janë për ne një thirrje për t’u bërë bashkë dhe për të insistuar që kërkesat tona të realizohen konkretisht, dhe të mos mjaftohemi vetëm me shfaqjen e problemeve. Ky reagim është një thirrje për ndërgjegjen e cilitdo titullari të qeverisjes politike dhe të qeverisjes administrative në të gjithë institucionet”, thotë zonja Manxhari.

Sindikata bëri të ditur se vendimin për të nisur të mërkurën një grevë urie, nëse qeveria nuk do të reagojë pozitivisht ndaj peticionit të pedagogëve, të cilët ende shpresojnë tek mirëkuptimi i autoriteteve për kërkesat, që ata i quajnë minimale dhe lehtësisht të plotësueshme me një vullnet të mirë.

“U miratua propozimi që protesta të kalojë në trajtën e grevës së urisë apo të ngujimit si e vetmja formë e lëvizjes paqësore, që e lejon ligji dhe konventat ndërkombëtare, që në këtë fazë mund të bëjë efekt për të sensibilizuar opinionin e brendshëm dhe atë ndërkombëtar të detyrojnë qeverinë dhe politikën shqiptare në tërësi për ta vendosur arsimin shqiptar dhe atë universitar në veçanti si prioritet kombëtar”, thotë Aleksandër Kovaçi, kryetar i sindikatës së universiteteve.

Sapo u publikua peticioni i sindikatave në fillim të muajit, qeveria rriti pagat e pedagogve me 7 për qind dhe lejoi universitetet që të përmbushin me të ardhurat e tyre rritjen tjetër prej 8 për qind, duke realizuar një rritje pagash prej 15 për qind nga tetori.

Qeveria theksoi se universitetet duhet të mbështeten më fort në autonominë e tyre për të siguruar të ardhura përmes projekteve dhe donacioneve për kërkime shkencore dhe shpërblime më të larta.

Universiteti i Mjekësisë e bëri këtë hap disa ditë më parë, ndërsa sot edhe senati akademik i Universitetit të Tiranës miratoi rritjen e pagave me 8 pqr qind me të ardhurat e veta.

Ende është e paqartë shkalla e shtrirjes së bojkotit së procesit mësimor nga pedagogët në universitetet publike, ndërsa sindikata është shprehur se nuk mund të pranohet rritje pagash me të ardhurat që studentët paguajnë për shërbimet e studimeve të tyre.

XS
SM
MD
LG