Në Prishtinë të premten u zhvillua parakalimi i organizuar nga shoqata “Jeta Vita” i cili synon ngritjen e shkallës së ndërgjegjësimit për kancerin e gjirit.
Pjesëmarrës të këtij parakalimi në qendër të Prishtinës me moton “zbulimi i hershëm – mbijetesë”, bënë thirrje për krijimin e kushteve që gratë të kontrollohen vazhdimisht meqë zbulimi i hershëm i kësaj sëmundjeje ofron mundësi më të mëdha për shërimin e saj.
“Fatkeqësisht nuk ka një formë të parandalimit por ka shumë mënyra të shërimit e të tejkalimit. Zbulimi sa më i hershëm shton shanset për jetë, por edhe në cilëndo fazë zbulimi mund të shpresohet për sukses dhe rastet e tilla fatlume po rriten çdo ditë”, tha kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.
Nafije Latifi, drejtoreshë e organizatës “Jeta-Vita” tha se po bëhen përpjekje për rritjen e shkallës së ndërgjegjësimit të grave gjithandej Kosovës për kancerin e gjirit.
“Në mënyrë që sëmundja të zbulohet sa më herët në fazat e para, kur mbijetesa është më e gjatë e më cilësore dhe kur trajtimet janë më të lehta e me më pak shpenzime si për familjen ashtu edhe për shoqërinë”, tha zonja Latifi.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, tha se këtë vit zyra e saj ka ndihmuar rreth 100 gra me nga një pako onkologjike, ndërsa nga viti i ardhshëm kjo mbështetje do të përfshijë të gjitha gratë e prekura nga kanceri i gjirit.
“Përderisa një prej angazhimeve kryesore tona është pikërisht mbështetja për vajzat dhe gratë, jemi plotësisht të vetëdijshëm se shëndeti dhe mirëqenia janë parakusht për secilin sukses tjetër të tyre. Duke kuptuar nevojën e madhe për këtë lloj mbështetjeje nga viti tjetër presidenca do të rrisë mbështetjen duke i ndihmuar të gjitha gratë e prekura nga kanceri i gjirit me këtë pako onkologjike”, tha presidentja Osmani.
Kosova këtë vit ka shënuar ngritje të numrit të rasteve të regjistruara me kancer të gjirit. Vetëm deri në fund të muajit shtator të këtij viti rreth 300 gra janë prekur nga kanceri i gjirit, ndërsa sipas parashikimeve nga institucionet shëndetësore, deri në fund të vitit ky numër pritet ta tejkalojë 400-shin.