Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, tha të enjten në Prishtinë se Bashkimi Evropian do ta ndihmojë Kosovën me 75 milionë euro për t’u përballur me krizën energjetike.
Zonja Von der Leyen, e cila po zhvillon një vizitë në Ballkanin Perëndimor tha se Kosova do t’i marrë paratë në muajin janar kur edhe pritet një ndihme shtesë prej 500 milionë eurosh për vendet e rajonit për të përballuar çmimet e energjisë dhe për financimin e burimeve të ripërtërishme të energjisë.
“E shohim se Rusia po e përdor energjinë në mënyrë shumë strategjike si armë, duke manipuluar tregjet dhe ju i ndjeni efektet zinxhirore të kësaj sjelljeje të pabesueshme edhe këtu me rritjen e çmimeve, me vështirësitë në furnizim. Por qëndroni të qetë sepse Bashkimi Evropian kurrë nuk do të dorëzohet para këtij shantazhi, jemi në këtë sfidë së bashku dhe përgjigja jonë është uniteti dhe solidariteti”, tha zonja von der Leyen.
Në Kosovë autoritetet kanë paralajmëruar se dimri i këtij viti do të jetë mjaft sfidues për shkak të krizës energjetike botërore, pamundësisë që vendi të përmbushë nevojat e tij me prodhimin e brendshëm dhe çmimeve të larta të importeve.
Aktualisht në Kosovë 95 për qind e energjisë prodhohet nga dy termocentrale të vjetra dhe vetëm pesë për qind nga burimet e ripërtërishme si dielli, era apo uji.
Zonja von der Leyen tha se agresioni rus në Ukrainë ka shtuar rëndësinë e intensifikimit të marrëdhënieve të Bashkimit Evropian me Ballkanin Perëndimor, duke nënvizuar përkushtimin e bllokut ndaj proceseve integruese të këtij rajoni.
Ajo vlerësoi bashkimin e Kosovës me sanksionet perëndimore kundër Rusisë, një kërkesë e Bashkimit Evropian për të gjitha vendet e rajonit që aspirojnë integrimin. Serbia është vendi i vetëm në rajon që nuk u është bashkuar sanksioneve kundër Rusisë.
Zonja Von der Leyen shprehu mbështetjen për liberalizimin e vizave për Kosovën e cila tha ajo ka përmbushur të gjitha kriteret e kërkuara por ende ngelet punë për të bindur Këshillin Evropian në tërësi.
“Shumë shtete të Këshillit Evropian janë në anën tuaj. Është gjë shumë e mirë që këto diskutime kanë rinisur dhe ne do të punojmë intensivisht me presidencën çeke. Kërkon shumë përpjekje diplomatike, shpjegime e punë, por ju mund të llogarisni në mua personalisht dhe në neve si Komision që do të bëjmë çdo gjë që është e mundur për të ju ndihmuar në rrugën tuaj, për shkak të përparimit të madh që keni shënuar”, tha zonja von der Leyen.
Më 13 tetor, grupi punues për viza i Këshillit të Bashkimit Evropian, zhvilloi diskutimin e parë mbi liberalizimin e vizave për Kosovën. Këshilli tha atëbotë nëpërmjet një njoftimi se “përgjithësisht e ka mbështetur liberalizimin”, por “në mënyrë që të arrihet përparim në këtë çështje, do të jetë e nevojshme të qartësohen një numër temash të ndërlidhura me këtë proces dhe të vazhdohen diskutimet”.
Kosova është i vetmi vend në rajon qytetarët e së cilës nuk mund të udhëtojnë pa viza në vendet e zonës Shëngen.