Lidhje

Diplomatët evropianë në përpjekje për të siguruar përparim në bisedimet Kosovë - Serbi


I dërguari i Bashkimit Evropian për bisedimet Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, i shoqëruar nga Jenns Plettner dhe Emmanuel Beaune, këshilltarë të kancelarit gjerman Olaf Sholz dhe presidentit francez Emmanuel Macron, filluan të premten takimet në Prishtinë dhe në Beograd në një përpjekje për nxitur përparim në bisedimet ndërmjet palëve.

Diplomatët evropianë në përpjekje për të siguruar përparim në bisedimet Kosovë - Serbi
please wait

No media source currently available

0:00 0:03:27 0:00

Pas dy orë bisedimesh në Prishtinë me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, diplomatët evropianë nuk dhanë hollësi, por i cilësuan ato si shumë të rëndësishme.

“Ishte një diskutim i thellë dhe i rëndësishëm dhe besoj e kuptoni se nuk mund të japim hollësi sepse do të kemi diskutimet e njëjta më vonë me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç", tha zoti Lajçak.

Kjo është vizita e parë e dy këshilltarëve të kancelarit gjerman Olaf Scholz dhe presidentit francez Emmanuel Macron, të emëruar javën e kaluar për të mbështetur dhe përshpejtuar bisedimet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Qeveria e Kosovës citoi në një komunikatë kryeministrin Kurti të ketë thënë se “Kosova ka treguar vullnetin dhe gatishmërinë e saj për t’u angazhuar në një dialog parimor dhe të përgatitur mire dhe se qëllimi i dialogut nga i cili duhet të përfitojnë qytetarët e të dyja vendeve, duhet të jetë arritja e një marrëveshjeje ligjërisht të detyrueshme me njohjen e ndërsjellë në qendër”.

Kancelari gjerman Olaf Scholz dhe presidenti francez Emmanuel Macron u kanë bërë thirrje përmes një letre kryeministrit Albin Kurti dhe presidentit Aleksandër Vuçiç që të tregojnë vendosmëri dhe gatishmëri maksimale për të marrë vendime të vështira, të cilat çojnë në përparim në dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Zoti Lajçak dhe dy këshilltarët pritet që gjatë mbrëmjes të takohen edhe me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç.

Presidenti serb tha të enjten se “shqiptarët heshtur dhe fshehurazi” po bëjnë përpjekje “të marrin veriun e Kosovës”, ndërsa akuzoi komunitetin ndërkombëtar se nuk po vepron të pengojë Prishtinën në veprimet e saj që “bien ndesh me marrëveshjet e Brukselit”.

Komentet e tij pasuan njoftimin e autoriteteve në Kosovë se policia ka filluar me patrullimin e rregullt të vijës kufitare mes Kosovës dhe Serbisë, si dhe gjithë hapësirën e Liqenit të Ujmanit, që ndodhet në veriun e Kosovës të banuar me shumicë serbe.

Presidenti serb tha se ky veprim paraqet shkelje të marrëveshjeve të arritura në bisedimet e ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian ndërsa kritikoi Brukselin për mosreagim ndaj veprimeve të Prishtinës. Ai paralajmëroi për të shtunën një takim të Këshillit të tij të Sigurisë.

Me 27 gusht Kosova dhe Serbia arritën një marrëveshje për lëvizjen e lirë të qytetarëve, pas tensioneve që pasuan vendimin e qeverisë qendrore në Prishtinë që dokumentet e identifikimit dhe targat e makinave të lëshuara nga Serbia, të mos vlejnë në territorin e Kosovës. Një masë e tillë është zbatuar nga Beogradi për qytetarët e Kosovës që udhëtojnë nëpër Serbi gjatë 11 viteve të fundit.

Më një shtator ka filluar të rrjedh afati dy muajsh për konvertimin e targave të makinave për qytetarët serbë që përdorin targa të lëshuara nga Serbia. Me vendimin e qeverisë përdoruesit e këtyre targave duhet t’i kthejnë në ato të Republikës së Kosovës RKS, por kjo kundërshtohet nga Beogradi.

Bashkimi Evropian shpreson që palët do të arrijnë një pajtim rreth targave të makinave sipas marrëveshjeve të arritura më parë në bisedimet në Bruksel, të cilat synojnë të sigurojnë një marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet të dyja vendeve, që është kusht për integrimet evropiane të të dyja vendeve.

Kosova shpalli pavarësinë e saj në shkurt të vitit 2008 më mbështetjen e Shteteve të Bashkuara dhe shumicës se vendeve perëndimore, por kundërshtohet nga Serbia e mbështetur nga Moska dhe Pekini.

XS
SM
MD
LG