Lidhje

Kostoja e gënjeshtërave të moderatorit Alex Jones për sulmin me armë në shkollën fillore “Sandy Hook”


FILE - Alex Jones attempts to answer questions about his emails asked by Mark Bankston, lawyer for Neil Heslin and Scarlett Lewis, during trial at the Travis County Courthouse, Austin, Texas, U.S., Aug. 3, 2022.
FILE - Alex Jones attempts to answer questions about his emails asked by Mark Bankston, lawyer for Neil Heslin and Scarlett Lewis, during trial at the Travis County Courthouse, Austin, Texas, U.S., Aug. 3, 2022.

Për një dekadë, prindërit, vëllezërit e motrat e njerëzve të vrarë në sulmin me armë në shkollën fillore “Sandy Hook” janë ngacmuar dhe kërcënuar nga njerëz që besojnë se incidenti ishte një mashtrim.

SI MUND TË VLERËSOHEN VUAJTJET E TYRE?

Kjo është pjesë e detyrës me të cilën përballet një juri në Kënektikat, e cila do të vendosë se sa duhet të paguajë moderatori i emisionit “Infowars”, Alex Jones dhe kompania e tij për përhapjen e një teorie konspirative, se vrasjet me armë nuk kanë ndodhur.

Gjashtë anëtarët e jurisë diskutuan për më pak se një orë të enjten dhe do të vazhdojnë punën edhe të premten.

Zoti Jones tani e pranon se teoritë e tij të konspiracionit rreth sulmit me armë ishin të gabuara, por thotë se ai nuk është fajtor për veprimet e njerëzve që ngacmuan familjet e viktimave. Avokatët e tij thonë gjithashtu se 15 paditësit i kanë ekzagjeruar historitë rreth kërcënimeve dhe abuzimeve.

Më poshtë mund të lexoni disa sqarime në lidhje me diskutimet për këtë çështje.

A MUND TË VENDOS JURIA SE AJO QË KA BËRË ALEX JONES MBROHET NGA AMENDAMENTI I PARË I KUSHTETUTËS AMERIKANE?

Jo. Një gjykatës ka vendosur tashmë se Alex Jones është përgjegjës për shpifje, shkaktim të shqetësimit emocional, shkelje të privatësisë dhe shkelje të ligjit të praktikave të drejta tregtare të shtetit të Kënektikatit. Detyra e jurisë është të vendosë se çfarë dëmshpërblimi duhet të paguajë ai për dëmin që u ka shkaktuar atyre që e paditën për gënjeshtrat e tij.

SA E LARTË MUND TË JETË PAGESA?

Alex Jones, i cili jeton në Austin të Teksasit, mund të urdhërohet të paguajë nga 1 dollar për secilin paditës, deri në qindra miliona dollarë për të gjithë paditësit. Shuma, që ai do të paguajë, do të varet nga vendimi i jurisë.

Avokati i paditësve, Christopher Mattei, tha se juria duhet t'i shpërblejë paditësit me të paktën 550 milionë dollarë. Avokati i zotit Jones, Norm Pattis, thotë se dëmshpërblimi duhet të jetë minimal.

SI DO TË PËRCAKTOHET SHIFRA E PAGESËS NGA JURIA?

Në udhëzimet e saj për jurinë, gjykatësja Barbara Bellis tha se nuk ka formula matematikore për përcaktimin e pagesës. Anëtarët e jurisë, tha ajo, duhet të përdorin përvojat e tyre të jetës dhe logjikën për të dhënë dëmshpërblime "të drejta dhe të arsyeshme".

Megjithatë, juria dëgjoi prova dhe dëshmi se Alex Jones dhe kompania e tij, “Free Speech Systems”, kanë fituar miliona dollarë nga shitja e produkteve ushqimore, pajisjeve për mbijetesë dhe sendeve të tjera. Një përfaqësues i kompanisë dëshmoi se ajo kishte fituar të paktën 100 milionë dollarë në dekadën e fundit.

ÇFARË LLOJ DËMSHPËRBLIMI PO SHQYRTON JURIA?

Juria mund të marrë vendim për të kompensuar viktimat për dëmin që iu është bërë dhe për ta ndëshkuar zotin Jones me gjobë.

Kompensimi shpesh ka për qëllim të mbulojë kostot aktuale për të dëmtuarin, si faturat mjekësore dhe humbjen e të ardhurave, por mund të përfshijë edhe kompensim për shqetësimin emocional, që mund të arrijë në miliona dollarë.

Gjoba nga ana tjetër, ka për qëllim të ndëshkojë një person për sjelljen e tij. Nëse juria vendos që zoti Jones duhet të paguajë dëmshpërblim, gjykatësi do ta përcaktojë shumën.

A KA KUFIZIME NË KËNEKTIKAT MBI SHUMËN E DËMSHPËRBLIMIT?

Shteti nuk ka kufizime mbi shifrat për kompensimin e dëmeve, ndërsa gjobat, në shumë raste kufizohen në mbulimin e tarifave dhe shpenzimeve të avokatit. Pra, nëse juria thotë se Alex Jones duhet të ndëshkohet me gjobë, ai mund të paguajë qindra mijëra dollarë për shpenzimet e avokatëve të familjeve të viktimave të sulmit me armë në shkollën fillore “Sandy Hook”.

A ËSHTË KJO HERA E PARË QË ALEX JONES ËSHTË PËRBALLUR ME NJË AKTGJYKIM TË TILLË?

Jo. Në një gjyq të ngjashëm në Teksas në gusht, një juri urdhëroi drejtuesin e emisionit “Infowars” të paguante gati 50 milionë dollarë për prindërit e një prej fëmijëve të vrarë në sulmin me armë në shkollën fillore “Sandy Hooks” për përhapjen e gënjeshtrës se incidenti ishte një trillim.

Por ekspertët ligjorë thonë se Alex Jones ndoshta nuk do ta paguajë shumën e plotë. Në shumicën e këtyre rasteve, ligji i Teksasit e kufizon shumën që duhet të paguajnë të pandehurit në formë kompensimi financiar ose gjobë ndëshkuese në dyfishin e "dëmit (të shkaktuar) ekonomik" plus deri në 750,000 dollarë. Por anëtarëve të jurisë nuk u shpjegohet ky kufizim. Gjykatësit shpesh gjejnë mënyra për të ulur shumat në vendimet befasuese.

Një gjyq i tretë në Teksas, që përfshin prindërit e një fëmije tjetër të vrarë në shkollën fillore “Sandy Hook”, pritet të fillojë nga fundi i këtij viti.

XS
SM
MD
LG