Lidhje

Shqipëri, inceneratorët; Gjykata i jep arrest shtëpie Bllakos


Alqi Bllako, Socialist Lawmaker in Albania
Alqi Bllako, Socialist Lawmaker in Albania

Në Shqipëri, Gjykata e Posaçme kundër Krimit të organizuar dhe Korrupsionit, pranoi sot kërkesën e ish deputetit socialist Alqi Bllako, për ndryshimin e masës së sigurisë, nga arrest me burg në arrest shtëpie. Vendimi hasi në kundërshtimin e Prokurorisë së Posaçme, e cila bëri të ditur se do ta ankimojë vendimin në Apel.

Ish deputeti u arrestua në 1 prill të këtij viti, në kuadër të hetimeve rreth çështjes së inceneratorëve, dhe kryesisht atij të Fierit. Sipas avokatit të tij, Sokol Hazizaj, procesi hetimor ndaj zotit Bllako është përmbyllur dhe se klienti i tij nuk është në kushtet që mund të prishë provat, t’i shmanget hetimit apo të ndikojë në procesin hetimor. Avokati ka përmendur dhe kushtet familjare të ish deputetit, me dy fëmijë të vegjël që sipas tij nuk kanë përkujdesjen e duhur, për shkak se e ëma është e punësuar dhe detyrohet të lëvizë shpesh jashtë Tiranës.

Por Prokuroria e posaçme është shprehur kundër ndryshimit të masës së arrestit “sepse nuk ekzistojnë kushtet për ta liruar”. Ajo e ka akuzuar ish deputetin, për “Shpërdorim të detyrës” në bashkëpunim dhe “Korrupsion pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë”. Sipas Prokurorisë së posaçme ai, në bashkëpunim me ish Ministrin e Mjedisit Lefter Koka dhe një tjetër zyrtar të Ministrisë, ku ai ka patur detyrën e Sekretarit të Përgjithshëm, kanë përgatitur dokumentacion të falsifikuar në lidhje me të dhënat e pronës së shpronësuar, për ndërtimin e inceneratorit të Fierit, duke ndryshuar cilësimin nga “arë” në “tokë truall”, duke rritur vlerën e shpronësimit.

Po ashtu ai dyshohet se ka favorizuar shoqërinë përfituese të koncensionit, në këmbim “të përfitimeve të parregullta” me një vlerë prej afro 150 mijë dollarë, të cilat kanë shkuar në formën e pagesave të larta mujore për babanë e tij, i punësuar pranë inceneratorit të Tiranës. Akuzat e ngritura ndaj tij janë hedhur poshtë nga ish deputeti.

Rasti i inceneratorëve, konsiderohet gjerësisht si një prej aferave më të mëdha korruptive. Për rastin e Elbasanit dhe Fierit, hetimet e Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të organizuar, janë shoqëruar me disa arrestime, ku përveç e ish ministrit Koka, ish deputetit Bllako, nën akuzë kanë përfunduar dhe disa prej anëtarëve të Komisioneve të vlerësimit. Ndërsa administratorët e kompanive koncesionare, Klodian Zoto dhe Stela Gugallja, për të cilët ka urdhër ndalimi, janë në arrati. Të dy impiantet e trajtimit të mbetjeve të Elbasanit dhe Fierit, ku përfshihet dhe procesi i djegies, janë tashmë nën sekuestro. Ndërsa për rastin e Tiranës, hetimet janë në vazhdim, dhe nuk ka asnjë të pandehur apo masë.

XS
SM
MD
LG