Lidhje

Inceneratorët, vetdorëzohet ish deputeti Bllako, përplasje Polici - SPAK


Në Shqipëri, ish deputeti socialist Alqi Bllako u dorëzua në polici gjatë natës, pasi Gjykata e Posaçme kishte pranuar kërkesën e Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të organizuar (SPAK) për arrestimin e tij. Zoti Bllako dyshohet të jetë përfshirë në aferën e inceneratorëve, në kohën që ushtronte detyrën e Sekretarit të Përgjithshëm të ministrisë së Mjedisit. Të martën, zoti Bllako dorëzoi mandatin e deputetit, duke deklaruar se vihej “në dispozicion të plotë të drejtësisë”.

Por momentet që pasuan vendimin e gjykatës për arrestimin u shoqëruan me dyshime të shumta për mundësinë e një largimi të zotit Bllako, duke qenë se për orë të tëra, policia nuk kishte mundur të ekzekutonte vendimin, ndonëse kishte marrë urdhërin e prokurorit që prej orës 15.45 të ditës së djeshme. Dyshimet u shtuan ndërsa në rrjetet sociale nga avokati i tij, Sokol Hazizaj, postoi të enjten në mbrëmje vonë, një foto të realizuar nga dritarja e një avioni, me mbishkrimin “Mirupafshim”.

Sot në mëngjes, policia e Shtetit njoftoi se “përkundër disa lajmeve të rreme mbi arratisjen e shtetasit Alqi Bllako, ky shtetas ndodhet në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë që prej mbrëmjes së djeshme”. Por, sipas Prokurorisë së Posaçme, kjo nuk ka ndodhur mbrëmjen e djeshme. Një deklaratë e SPAK-ut saktëson se “vendimi është ekzekutuar nga Policia e Shtetit në orën 03.30 të datës 01.04.2022”.

Mbetet e paqartë përse policia njoftoi një kohë tjetër të vetdorëzimit të ish deputetit, sikundër dhe fakti që për shumë se 9 orë nga urdhëri i gjykatës, ajo nuk mundi ta gjente atë, kur që në datë 30 mars, siç bën të ditur SPAK “kemi njoftuar Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë në lidhje me kërkesën e paraqitur në Kuvend për dhënie autorizimi për arrestimin e deputetit Alqi Bllako, duke i kërkuar mbajtjen nën mbikqyrje të deputetit dhe njoftimin e prokurorit të çështjes nëse deputeti do paraqitej në dalje të territorit të Republikës së Shqipërisë”.

Zëri Amerikës, kërkoi nga policia një sqarim për situatën e krijuar, po nuk ka marrë ende përgjigje.

Ndaj zotit Bllako Prokuroria ka ngritur akuza për “Shpërdorim të detyrës” në bashkëpunim dhe “Korrupsion pasiv i fuknsionarëve të lartë shtetërorë”. Ai dyshohet se, në bashkëpunim me ish Ministrin e Mjedisit, Lefter Koka, dhe një tjetër zyrtar të Ministrisë, kanë përgatitur dokumentacion të falsifikuar në lidhje me të dhënat e pronës së shpronësuar, për ndërtimin e inceneratorit të Fierit, duke ndryshuar cilësimin nga “arë” në “tokë truall”, duke rritur vlerën e shpronësimit.
Po ashtu ai dyshohet se ka favorizuar shoqërinë përfituese të koncensionit, në këmbim “të përfitimeve të parregullta” me një vlerë prej afro 150 mijë dollarë, të cilat kanë shkuar në formën e pagesave të larta mujore për babanë e tij, i punësuar pranë inceneratorit të Tiranës.

XS
SM
MD
LG