Lidhje

Debat mbi trajtimin e dhunës seksuale nga sistemi i drejtësisë në Kosovë


Debat mbi trajtimin e dhunës seksuale
please wait

No media source currently available

0:00 0:04:01 0:00

Debat mbi trajtimin e dhunës seksuale

Këshilltarja për barazi gjinore në misionin e Bashkimit Evropian për sundimin e ligjit ne Kosovë, Chiara Tagliani, tha të hënën se pavarësisht që një numër i konsiderueshëm i rasteve të dhunës seksuale janë denoncuar tek autoritetet, shumë pak viktimave u është ofruar dëmshpërblim i duhur.

Ajo i bëri këto komente gjatë një debati me temën “Jo do të thotë jo – dhuna seksuale dhe ngacmimi i grave”, i cili u zhvillua në Qendrën Mediale në Çagllavicë.

“Megjithëse kuadri ligjor e rregullon si duhet faktin që mosdhënia e pëlqimit nga ana e viktimës është elementi thelbësor i veprës penale, kemi parë se arsyeja kryesore që është përdorur për përmbylljen e rasteve dhe shfajësim të kryesve të kësaj vepre, është mungesa e dëshmive të dhunës ose mungesa e dëshmive fizike te viktimat. Kjo padyshim është shumë shqetësuese dhe një pjesë e mirë e rekomandimeve tona synon të vë në pah se ky lloj krimi duhet të shihet dhe trajtohet duke marrë parasysh këndvështrimin gjinor”, tha ajo.

Zonja Tagliani theksoi se trajtimi i duhur i rasteve të dhunës seksuale kërkon një protokoll të qartë të veprimit.

Nazlie Balaj nga ministria e Drejtësisë, tha se protokolli i parë shtetëror për trajtimin e dhunës seksuale është në hartim e sipër.

“Ky protokoll është duke u hartuar në bashkërendim me Rrjetin e Grupeve të Grave të Kosovës, me mbështetje direkte nga EULEX-i dhe UN Ëoman.. Pas këtij protokolli ne do të vazhdojmë edhe me vlerësimin e situatës sa i takon ndërtimit të qendrës së referimit për rastet e dhunimeve seksuale sepse të dy këto, edhe dokumenti edhe institucioni, i mungojnë shtetit. Mos të harrojmë që kemi një protokoll në nivel shteti i cili buron nga ligji dhe kemi të bëjmë me procedura standarde të veprimit”, tha ajo.

Një raport i publikuar më herët gjatë këtij viti nga misioni i EULEX-it në Kosovë vë në pah se është dyfishuar numri i rasteve të përdhunimeve që raportohen në policinë e Kosovës. Raporti që ka vëzhguar sistemin e drejtësisë në Kosovë gjatë periudhës 2019 deri më 2021 tregon se shumica e viktimave të përdhunimit janë të mitura ndërsa shqetësues mbetet dënimi i ultë i përdhunuesve.

Viona Krasniqi nga Rrjeti i Grupeve të Grave të Kosovës, tërhoqi vërejtjen edhe te shkalla e ultë e masave disiplinore për gjyqtarët dhe prokurorët që dështojnë në trajtimin e duhur të rasteve të dhunës.

“Ende asnjëherë në asnjë gjykatë dhe asnjë prokurori, asnjë gjyqtar dhe asnjë prokuror nuk është përjashtuar nga sistemi i drejtësisë për neglizhencë të rasteve të cilat i kanë trajtuar. Ne kemi edhe raste të vrasjes së grave, ku prokurori ka dështuar edhe gjyqtari ka dështuar dhe asnjë masë nuk është ndërmarrë ndaj atyre personave”, tha ajo.

Niman Hajdari nga zyra e avokatit të popullit tha se është shumë e rëndësishme të punohet në parandalimin e veprave që lidhen me dhunën.

“Kjo nënkupton edukimin e fëmijëve tanë, programe efektive edhe në shkolla të cilat do të ua bënin të qartë të gjithëve se e drejta për të qenë i sigurt është e drejtë themelore dhe se nuk mund të cenohet nga askush”, tha ai.

Sipas raportit të EULEX-it, nga viti 2019 deri në vitin 2021 në policinë e Kosovës janë raportuar 228 raste të përdhunimeve, ndërsa gjatë asaj periudhe janë ngritur 77 aktakuza të reja, një numër i ultë në krahasim me rastet e raportuara.

XS
SM
MD
LG