Lidhje

Giorgia Meloni në rrugë për t’u bërë kryeministre e Italisë


Rezultatet e pjesshme të zgjedhjeve parlamentare në Itali treguan se votuesit italianë shpërblyen partinë euroskeptike të Giorgia Melonit, me rrënjë neofashiste, duke e çuar vendin drejt asaj që ka të ngjarë të jetë qeveria e parë e udhëhequr nga e djathta e skajshme që nga Lufta e Dytë Botërore.

Në fjalim të fitores, udhëheqësja italiane e së djathtës së skajshme Giorgia Meloni u shfaq me një ton të moderuar pasi parashikimet e mbështetura në votat e numëruara në rreth dy të tretat e qendrave të votimit treguan se partia e saj Vëllezërit e Italisë kryeson përballë konkurrentëve të tjerë.

“Nëse zgjidhemi për ta qeverisur këtë komb, do ta bëjmë për të gjithë, do ta bëjmë për të gjithë italianët dhe do ta bëjmë me synimin për të bashkuar njerëzit (e këtij vendi)”, tha zonja Meloni në selinë e partisë së saj në Romë.

"Italia na zgjodhi”, tha ajo. "Ne nuk do ta tradhtojmë, siç nuk e kemi bërë kurrë".

Formimi i një koalicioni qeverisës, me ndihmën e aleatëve të krahut të djathtë të zonjës Meloni dhe atyre të qendrës së djathtë, mund të zgjasë disa javë. Nëse zonja Meloni, 45 vjeçe, ia del mbanë, ajo do të jetë gruaja e parë që do të mbajë postin e kryeministrit të vendit.

Mandati për të provuar formimin e qeverisë jepet nga presidenti i Italisë, pas këshillimeve me udhëheqësit e partive.

Ndërkohë, ish-shefi i Bankës Qendrore Evropiane Mario Draghi, qeveria e të cilit u rrëzua dy muaj më parë, do të qëndrojë në detyrë deri në formimin e qeverisë së re.

Dallimet midis partnerëve të mundshëm të koalicionit të zonjës Meloni, mund të shfaqen gjatë diskutimeve për qeverinë e re.

Ajo ka mbështetur fuqishëm furnizimin e Ukrainës me armë për t'u mbrojtur kundër agresionit të Rusisë. Ndërkaq, shefi i “Liga Nord” të krahut të djathtë Matteo Salvini, i cili para luftës ishte një admirues i vendosur i presidentit rus Vladimir Putin, ka shprehur shqetësimin se sanksionet perëndimore mund të përfundojnë duke dëmtuar më shumë interesat ekonomike të Italisë sesa duke ndëshkuar Rusinë.

Ish-kryeministri Silvio Berlusconi, një tjetër admirues prej kohësh i Vladimir Putinit, ka thënë se përfshirja e tij në një koalicion të bllokut të qendrës së djathtë do të garantonte që Italia të qëndrojë e ankoruar fort në Bashkimin Evropian dhe një nga anëtaret e tij më të besueshme.

Zgjedhjet në ekonominë e tretë më të madhe të eurozonës po ndiqen nga afër në Evropë, duke pasur parasysh kritikat e zonjës Meloni për "burokratët e Brukselit" dhe lidhjet e saj me udhëheqësit e tjerë të krahut të djathtë. Ajo së fundmi mbrojti kryeministrin e Hungarisë Viktor Orban, pasi Komisioni Evropian rekomandoi pezullimin e miliarda eurove financimi për Hungarinë për shkak të shqetësimeve për dëmtimin e demokracisë dhe keqmenaxhimit të mundshëm të parave të BE-së.

XS
SM
MD
LG