Lidhje

Italianët votojnë në zgjedhjet që mund t’i japin pushtetin të djathtës së skajshme


Italianët po votojnë të dielën në zgjedhjet e reja që mund ta çojnë vendin drejt së djathtës së skajshme në një kohe kritike për Evropën, me luftën në Ukrainë që ka cuar në qiell faturat e energjisë dhe po vë në sprovë vendosmërinë e Perëndimit për të qëndruar i bashkuar kundër agresionit rus.

Vendvotimet u hapën në orën 7 të mëngjesit sipas kohës së Evropës qendrore. Numërimi i votave pritet të fillojë menjëherë pasi mbylljes së vendvotimeve në orën 23:00, ndërsa rezultatet e pjesshme priten mëngjesin e së hënës.

Publikimi i anketave të opinionit është i ndaluar në dy javët para zgjedhjeve, por anketat e mëparshme treguan se udhëheqësja e ekstremit të djathtë, Giorgia Meloni dhe partia e saj ‘Vëllezërit e Italisë’, me rrënjët e saj neofashiste, janë më popullorët. Kjo la të kuptohet se italianët ishin gati të votonin qeverinë e tyre të parë të ekstremit të djathtë që nga Lufta e Dytë Botërore. Menjëherë pas saj radhitej ish-kryeministri Enrico Letta dhe Partia e tij Demokratike e qendrës së majtë.

Zonja Meloni është pjesë e një aleance të krahut të djathtë me ish kryeministrin Matteo Salvini dhe Silvio Berlusconin, i cili shërbeu tre herë si kryeministër në krye të partisë Forza Italia që e krijoi tre dekada më parë. Ligji i ndërlikuar zgjedhor i Italisë favorizon koalicionet parazgjedhore, që do të thotë se demokratët janë në pozicion më të dobët meqë nuk arritën të sigurojnë një aleancë po aq të gjerë me populistët dhe poliitkanët e qendrës me prirje të majtë.

Nëse zonja Meloni bëhet kryeministre, ajo do të jetë gruaja e parë në Itali që do të mbajë këtë post. Por, krijimi i një koalicioni të qëndrueshëm qeverisës mund të marrë javë të tëra.

Afro 51 milionë italianë kanë të drejtë vote. Megjithatë, anketuesit parashikuan se pjesëmarrja mund të jetë edhe më e ulët se niveli i ulët rekord prej 73 për qind në zgjedhjet e fundit të përgjithshme të vitit 2018. Ata thonë se pavarësisht krizave të shumta në Evropë, shumë votues ndihen të tjetërsuar nga politika, pasi Italia ka pasur tre qeveri koalicioni që nga zgjedhjet e fundit, secila e udhëhequr nga dikush që nuk kishte kandiduar për postin de kryeministrit.

Zgjedhjet në ekonominë e tretë më të madhe të eurozonës po ndiqen nga afër në Evropë, duke pasur parasysh kritikat e zonjës Meloni për "burokratët e Brukselit" dhe lidhjet e saj me udhëheqësit e tjerë të krahut të djathtë. Ajo së fundmi mbrojti kryeministrin e Hungarisë Viktor Orban, pasi Komisioni Evropian rekomandoi pezullimin e miliarda eurove financimi për Hungarinë për shkak të shqetësimeve për dëmtimin e demokracisë dhe keqmenaxhimit të mundshëm të parave të BE-së.

Zgjedhjet po mbahen gjashtë muaj para afatit të zakonshëm, pasi qeveria e unitetit e kryeministrit Mario Draghi ra në fund të korrikut. Presidenti i Italisë, Sergio Mattarella, nuk pa asnjë alternativë përveç që votuesit të zgjidhnin një Parlament të ri.

XS
SM
MD
LG