Italia shkon në zgjedhje të dielën pas rënies së koalicionit qeverisës në korrik. Një parti e krahut të djathtë me lidhje të kaluara me fashizmin pritet të fitojë shumicën e votave, duke ngritur shqetësime në gjirin e Bashkimit Evropian.
Partia "Vëllezërit e Italisë", e udhëhequr nga Giorgia Meloni kryeson në sondazhe dhe politikania 45-vjeçarje është në rrugën e duhur për t'u bërë kryeministrja e parë e Italisë.
“Dëshira ime më e madhe është të ngrihemi lart, të ngremë përsëri vendin tonë nga rënia”, thotë ajo.
Partia “Vëllezërit e Italisë” i ka rrënjët tek neofashizmi. Zonja Meloni është një ish-aktiviste që ka lavdëruar diktatorin Benito Musolini. Por, tani ajo thotë se ka ndryshuar.
“Sa herë që hapet fushata zgjedhore bie alarmi fashist. Është shumë qesharake të gërmohen videot e gjërave që i mendoja kur isha 15, 16 ose 17 vjeç”, thotë ajo.
Partia e zonjës Meloni në sondazhe merr rreth 25 për qind mbështetje, gjashtëfish më të madhe se në zgjedhjet e fundit.
“Pjesërisht ka të bëjë me platformën e saj të politikave, pikëpamjet e saj sociale konservatore, ato ekonomike, të cilat janë gjithashtu mjaft sociale në një farë mënyre për sa i përket, për shembull, rritjes së pensioneve dhe të përfitimeve të tjera sociale për njerëzit. Por, ajo gjithashtu pëlqehet nga njerëzit. Dhe këtu do të veçoja, për shembull, mënyrën e saj të të folurit, e cila është shumë më e thjeshtë”, thotë Luigi Scazzieri nga Qendra për Reformën Evropiane.
Ajo është gjithashtu një figurë e re në politikën italiane. Partnerët e saj të mundshëm të koalicionit tashmë kanë qenë të pranishëm në skenën e politikës italiane.
Mes tyre, ish-ministri i brendshëm populist Matteo Salvini. Ai aktualisht po gjykohet nën akuzat për rrëmbim, për pengimin e zbarkimit të më shumë se 100 emigrantëve që ishin shpëtuar nga një anije humanitare në Itali në vitin 2019. Ai i ka mohuar akuzat.
Veterani politik Silvio Berlusconi, i cili së shpejti mbush 86 vjeç, ka të ngjarë të jetë gjithashtu pjesë e koalicionit të krahut të djathtë. Ai ka hapur një kanal në platformën TikTok për të tërhequr votuesit e rinj.
Analisti Luigi Scazzieri thotë se Bashkimi Evropian ka frikë se Italia mund të bëhet problematike, por këto shqetësime mund të jenë të pabaza.
“Ata e kanë bërë shumë të qartë se qeveria e tyre do t'i përmbahet detyrimeve ndaj BE-së, Euros dhe NATO-s”, thotë ai.
Në të kaluarën, e djathta ekstreme italiane ka patur lidhje të ngushta me Moskën. Por zonja Meloni ka shprehur vazhdimisht mbështetjen e saj për Ukrainën.
“Ne dënojmë, pa “nëse” dhe “por”, agresionin brutal të Rusisë kundër Ukrainës”, thotë ajo.
Për shumë italianë, ekonomia, vendet e punës dhe rritja e kostos së jetesës janë shqetësimet më të mëdha.
“Unë kam një pension shumë të vogël. Pasi paguaj qiranë dhe faturën e energjisë elektrike nuk më mbetet asgjë për ushqim. Kjo është situata”, thotë pensionisti Antonio Mela.
Qeveria që do të dalë nga votimi i së dielës do të jetë e 70-ta e Italisë që nga viti 1945. Shumë vëzhgues thonë se koalicioni i udhëhequr nga zonja Meloni duket i paqëndrueshëm dhe Italia mund të përballet sërish me zgjedhje të parakohshme.