Lidhje

Trendafilova: Procesi gjyqësor ndaj ish krerëve të UÇK-së nis brenda disa muajsh


Trendafilova
Trendafilova

Kryetarja e Gjykatës së Posaçme të Kosovës për krime lufte me seli në Hagë, Ekaterina Trendafilova, tha të mërkurën se procesi gjyqësor ndaj ish drejtuesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi, pritet të nisë në fund të këtij viti, apo në fillim të vitit të ardhshëm.

Ata ndodhen në paraburgim në Hagë që nga nëntori i vitit 2020, nën akuzat për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit. Që të gjithë kanë deklaruar se janë të pafajshëm.

“Pritshmëritë e mia më të hershme janë në fund të këtij viti, ndërsa më të vonshmet në fillim të vitit tjetër, besoj se ato raste do të transferohen në gjykatë. Gjykatësi i procedurës paraprake është duke punuar pa pushim që të dorëzojë të gjitha çështjet e ndërlikuara për këtë rast, ashtu siç ka vepruar në rastet tjera”, tha zonja Trendafilova.

Ajo i bëri këto komente gjatë një debati me gazetarë dhe përfaqësues të shoqërisë civile, që ishte paraparë të zhvillohej në Gjilan, por u vendos të mbahet online për shkak të paralajmërimeve për protesta.

Partia Socialdemokrate kishte paralajmëruar një protestë afër ndërtesës ku ishe planifikuar të zhvillohej ky debat.

“Kryetarja e Gjykatës Speciale Znj. Trendafilova po vjen në Kosovë për t’i bërë lustër e imazh Gjykatës Speciale. Takim të mbyllur në Gjilan, me njerëz të përzgjedhur. Nevoja për propagandë është e vërteta e kësaj Gjykate arbitrare e një etnike”, thuhej në njoftimin e kësaj partie.

Zonja Trendafilova tha se vendimi për të zhvilluar debatin online është marrë për të shmangur ndonjë situatë të pakëndshme, ndërsa theksoi se nuk përfshihet në debate politike.

“Padyshim çdokush ka të drejtën e protestës, megjithatë edhe ne kemi të drejtën të mos përfshihemi, në fakt e kemi edhe detyrim, të mos përfshihemi në asnjë debat politik, ne nuk jemi politikanë. E kam përsëritur gjithmonë dhe do të vazhdoj ta përsëris se gjykatësit e dhomave të specializuara nuk përfshihen në diskutime politike”, tha ajo.

Zonja Trendafilova theksoi edhe një herë se Gjykata e Posaçme trajton vetëm përgjegjësitë individuale.

“Gjykata merret vetëm me përgjegjësi kriminale të individëve, do ta theksoj këtë sa herë që është e nevojshme derisa të gjithë ta kuptojnë qartë se dhomat e specializuara nuk po merren me asnjë organizatë, grupim apo etni”, tha ajo.

Më herët gjatë këtij muaji, Prokurorët në Hagë kërkuan që një ish-komandant i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës të dënohet me 35 vjet heqje lirie, nën pretendimet se kishte drejtuar një "dhomë torture" gjatë luftës së viteve 1998-99.

Sali Mustafa, 50 vjeçar, i ka mohuar akuzat dhe avokatët e tij thanë se dëshmitarët e prokurorisë i kanë shpikur rrëfimet e tyre. Ndërsa vendimi i gjykatës për këtë rast pritet në fillim të vitit të ardhshëm.

Gjykata e Posaçme që njihet me emrin Dhomat e Specializuara, u themelua në vitin 2015 dhe vepron në bazë të ligjeve të Kosovës, por me personel ndërkombëtar. Ideja për themelimin e saj pasoi pretendimet e ngritura në raportin e vitit 2011 të hartuar nga i dërguari i Këshillit të Evropës, Dick Martty, i cili ngriti dyshimet për përfshirjen e ish kryengritësve në vrasjen e civilëve serbë dhe kundërshtarëve politik shqiptarë.

Ngritja e gjykatës së posaçme si dhe ngritja e akuzave janë shoqëruar vazhdimisht me reagime dhe protesta ne Kosovë, ku pohohet se në këtë mënyrë po bëhet barazimi me mizoritë e kryera nga forcat serbe gjatë luftës së viteve 1998 – 1999, që mori fund me ndërhyrjen e NATO-s.

XS
SM
MD
LG