Lidhje

Sveçla: Ekstremizmi i dhunshëm mbetet kërcënim serioz për sigurinë


Sveçla: Ekstremizmi i dhunshëm mbetet kërcënim serioz për sigurinë
please wait

No media source currently available

0:00 0:04:43 0:00

Sveçla: Ekstremizmi i dhunshëm mbetet kërcënim serioz për sigurinë

Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, tha të martën se terrorizmi dhe ekstremizmi i dhunshëm mbeten kërcënim serioz për sigurinë në Kosovë dhe në botë.

Ai i bëri këto komente gjatë punimeve të një konference mbi “qëndrueshmërinë e programeve të riitengrimit të ekstremistëve dhe luftëtarëve të huaj në Kosovë dhe Itali”, organizuar nga Qendra për Studime Ndërkombëtare dhe Qendra e Kosovës për Studime të Sigurisë.

“Përveç ekstremizmit të motivuar nga përdorimi i religjionit që ka qenë prezent deri tani, format e tjera të terrorizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm si e djathta ekstreme apo etno nacionalizmi janë në rritje. Aktet e ndryshme kriminale vazhdojnë të paraqesin kërcënim për sigurinë në Kosovë, përfshirë edhe sulmet e shtyra nga grupe politike e që kanë për qëllim destabilizimin e vendit. Andaj institucionet tona janë të përkushtuara që në bazë të analizave të përshtatin format dhe veprimet e tyre për tu përballur me format e reja të ekstremizmit të dhunshëm dhe terrorizmit”, tha ministri Sveçla.

Marco di Liddo nga Qendra për Studime Ndërkombëtare tha se shkëmbimi i përvojave dhe bashkërendimi ndërshtetëror në luftën kundër ekstremizmit të dhunshëm është thelbësor, posaçërisht në fushën e parandalimit.

“Ju duhet të prisni që diçka të ndodhë për ta pranuar atë dhe për të punuar në ndërgjegjësimin e shoqërisë mbi këtë problem. Kjo është saktësisht ajo që ka ndodhur edhe në Itali, meqë tani me ndryshimin e shoqërisë dhe ndryshimin e strukturës së radikalizmit, ka një hapësirë të madhe para kryerjes së krimeve ku ekzistojnë të gjitha kushtet për zhvillimin e lëvizjeve radikale dhe terrorizmit, por nuk ka instrumente për t’i parandaluar ato. Nëse veprohet kësisoj hapësira e ndërhyrjes është shumë e kufizuar”, tha ai.

Deputetja e parlamentit të Kosovës, Besa Ismajli, tha se shoqëritë në Ballkanin Perëndimor nuk kanë punuar sa duhet në demokratizim duke lënë hapësirë për faktorët që ende nxisin forma të reja të ekstremizmit të dhunshëm.

“Pra ne kemi ngecur shumë në adresimin e elefantit më të madh që e kemi në rajon, e ato janë këto sentimentet e luftës dhe ekstremizmat etno nacional të cilat unë i shoh shumë të rrezikshme, dhe bëhen akoma më të rrezikshme kur ngjyrosen me ngjyrime fetare qoftë ato të Lindjes në këtë rast të Kishës Ortodokse Serbe apo Ruse, qoftë ato të Lindjes së Mesme pra islame, dhe të dyja pastaj tërheqin në anën e tyre e qarja pastaj po mbetet në shoqëri dhe te qytetarët e zakonshëm”, tha ajo.

Ramadan Ilazi nga Qendra e Kosovës për Studime të Sigurisë tha se në bazë të hulumtimeve nga ky institucion, janë tre faktorë që në nxisin radikalizmin etno politik në Kosovë.

“E para është që në Kosovë ende kemi rrëfime kundërthënëse në lidhje me të kaluarën, pra dështimi jonë për të pasur një proces të ballafaqimit me të kaluarën në një mënyrë që nxjerrë një lloj tregimi të përbashkët për një të vërtetë që mund të pranohet është një faktor që krijon cenueshmëri në komunitet. E dyta është izolimi, mos të harrojmë jemi tash 12 vjet prej kur krejt vendeve të tjera të Ballkanit u është dhënë liberalizimi i vizave, pra perceptimi që ne po trajtohemi ndryshe dhe vet izolimi ka krijuar cenueshmëri ndaj radikalizimit. Ndërsa e treta janë përpjekjet për të dështuar projektin e krijimit të Kosovës si një shoqëri multientike, ideja që vazhdon të sfidohet ky karakter i shoqërisë sonë krijon radikalizëm etno politik”, tha zoti Ilazi.

Që nga fillimi i konfliktit në Siri, rreth 400 qytetarë të Kosovës besohet se janë përfshirë në konfliktet në Lindjen e Mesme. Mbi 70 veta kanë humbur jetën, ndërsa qindra janë kthyer nëpër vite prej andej, kryesisht të zhgënjyer me atë me të cilën janë përballur. Besohet se edhe më tej në atë rajon ndodhen rreth 90 qytetarë të Kosovës mes tyre pak luftëtarë dhe më shumë gra dhe fëmijë.

XS
SM
MD
LG