Një peticion online i nisur në fillim të këtij muaji, i cili kërkonte ndryshimin e udhëzimit administrativ që nuk lejon uniformat fetare në shkolla, riktheu debatet e vazhdueshme për këtë çështje në Kosovë.
Në Kosovë, nga viti 2014 ekziston një udhëzim administrativ, i cilit përcakton gjërat e ndaluara në mjediset e shkollave, ndër to përcaktohet edhe “ndalimi i bartjes së uniformës fetare”.
Një nga organizatorët e kësaj fushate, Liridon Kurti, njoftoi para disa ditësh në rrjetet sociale se ky peticion ka mbledhur 20 mijë nënshkrime, ndërsa e shpalli fushatën të përfunduar duke theksuar se ka marrë garanci që dispozita e cila ndalon shaminë në shkolla, do të fshihet para vitit të ri shkollor.
Ministrja e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë në Kosovë, Arbërie Nagavci, në një bisedë me Zërin e Amerikës tha se është duke u rishikuar udhëzimi administrativ në tërësi, por mohoi se do të ketë diskutime për shaminë.
“Sa i përket udhëzimit administrative në fjalë, i njëjti është konstatuar se nuk e ka bazën e duhur ligjore dhe në këtë linjë ne jemi duke e rishikuar të tërin si udhëzim administrativ. Janë formuar grupet punuese dhe do të caktohen parimet bazë që e respektojnë në tërësi secilën pikë e nen të Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe në komuna duhet të sigurohemi që rregulloret mbulojnë në tërësi të gjitha aspektet sa i takon mbarëvajtjes së punës në institcuonet edukativo arsimore. Zëri i Amerikës: Që i bie të shqyrtohet edhe çështja e uniformës fetare në shkolla si pjesë e këtij udhëzimi? - Do të ri organizohet mënyra, gjegjësisht do të përmirësohet infrastruktura ligjore, por nuk dua të lë dyshime që do të diskutohet për shaminë sepse ajo nuk është temë. Ne duhet të sigurohemi që respektojmë edhe të drejtën e shkollimit për të gjithë të rinjtë tanë, por në anën tjetër edhe karakterin laik të institucioneve publike të Kosovës”, tha ajo.
Kushtetuta e Kosovës e përcakton atë si shtet laik, dhe kritikët thonë se diskutimet për lejimin e shamisë në shkolla godasin karakterin laik të vendit.
Drejtori i Institutit të Kosovës për Hartimin e Politikave, Lulzim Peci, i tha Zërit të Amerikës se nismat e tilla tregojnë për prirjen e futjes së islamit politik në Kosovë.
“Islami politik sot mëton që ta shkrijë dallimin ndërmjet identitetit nacional dhe identitetit fetar, duke i dhënë primat identitetit fetar edhe dalë ngadalë kombet e ndryshme t’i shndërrojë në kombe fetare dhe si të tilla të jenë pjesë e asaj që quhet kombi apo shoqëria muslimane apo umaja muslimane”, tha zoti Peci.
Ai thotë se në Kosovë prirje të tilla kanë ekzistuar dhe më parë, ndërsa tërheq vërejtjen se mund të sjellin pasoja të rënda, siç janë edhe përplasjet shoqërore.
“Këto kanë filluar që nga paslufta me hyrjen e organizatave të ndryshme nën perden ose mbulesën e organizatave humanitare në Kosovë të cilat kanë hapur shkolla kuranike, pastaj i kanë futur edhe predikimet e ndryshme të islamit duke përfshirë të asaj vehabi dhe salafi, të cilat kanë pasur një ndikim shumë të madh në vendin tonë. Unë nuk besoj që është ngjarje e rastit që mbi 300 individë nga Kosova kanë shkuar në ISIS”, tha ai.
Në Kosovë ende nuk është miratuar ligji për liritë fetare, i cili sipas ekspertëve të drejtësisë do të duhej të rregullonte të gjitha çështjet që lidhen me besimin.
Ehat Miftaraj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, thotë se udhëzimi administrativ i ministrisë së Arsimit është në linjë me Kushtetutën, mirëpo thekson se është gabim që rregullimi i çështjeve lidhur me liritë fetare të lihet në duar të ministrive.
“Fatkeqësisht Republika e Kosovës, qeveritë në pothuajse dhjetë vjetët e fundit, asnjëherë nuk kanë pasur vullnet politik që këtë çështje ta rregullojnë në adresën që i takon e që është Kuvendi i Kosovës, respektivisht për ta miratuar një ligj të ri për liritë fetare”, thotë zoti Miftaraj.
Mungesa e këtij ligji ishte theksuar edhe në raportin vjetor të departamentit amerikan të Shtetit të publikuar më herët gjatë vitit, mbi gjendjen e lirisë së besimit në botë. “Qeveria sërish nuk ka miratuar amandamentet e ligjit për liritë fetare i cili do t’u mundësonte grupeve fetare të marrin status ligjor, të zhvillojnë biznes dhe të regjistrojnë prona në emër të tyre, të hapin llogari bankare dhe të përfitohen taksa të importit”, thuhet në këtë raport, i cili vlerëson se nga 1.9 milion banorë sa besohet të ketë Kosova, 95.6 për qind janë myslimanë.
Deklaratat e dhëna së fundmi nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidentja, Vjosa Osmani, mbi këtë çështje janë kundërthënëse.
“Nuk duhet të ketë ndalim të shamisë dhe të elementeve tjera fetare në jetën publike të qytetarëve, duhet të jenë të lirë, por gjithashtu kam thënë se mosha 16 vjeç është pragu. Moshën 16 vjeç ne e shohim si prag për shumë gjëra”, deklaroi para pak kohe kryeministri Kurti.
“Sa i përket propozimit që mosha të zbritet në 16 vjeç, nëse kjo lidhet me të drejtën e votës atëherë do të kërkonte ndryshime kushtetuese sepse siç e dini ky prag është i përcaktuar me Kushtetutë. Çdo ndryshim legjislativ e kushtetues do të jetë përfundimisht vullnet i deputetëve dhe unë asnjëherë nuk e kam imponuar vullnetin tim mbi ta, por siç e thashë është shumë me rëndësi që ky bazament i Kushtetutës sonë të respektohet”, ka thënë presidentja Osmani.
Zëri i Amerikës ka kërkuar sqarime shtesë nga zyra e kryeministrit dhe ajo e presidentes lidhur me qëndrimet e tyre mbi këtë çështje, por nuk ka marrë përgjigje deri në përgatitjen e këtij materiali.
Ulja e moshës për bartje të shamisë, që aktualisht është nga 18 vjeç, kërkon ndryshime kushtetuese dhe sjell efekte të shumta zinxhirore, thotë zoti Miftaraj.
“Do të kishte ndikim në fusha të ndryshme të jetës në Kosovë. Nëse e marrim për bazë faktin që shtete të ndryshme moshën madhore e kanë minimalisht 18 vjeç e në disa shtete edhe 21, atëherë Kosova do të bëhej si të themi kampion në botë që moshën madhore e ulë në 16 vjeç. E për mendimin tim do të ishte një veprim i cili do të kishte më shumë kundërefekte, pra efekte negative sesa pozitive”, vlerëson ai.
Por, disa vajza të mbuluara me të cilat bisedoi Zëri i Amerikës, thonë se të gjithë duhet ta kenë të drejtën të shkojnë në shkollë të veshur sido që dëshirojnë, duke theksuar se debatet për përdorimin apo jo të shamisë në shkolla, i bëjnë të ndihen të pabarabarta me pjesën tjetër të shoqërisë.
“Mendimi im është që secili njeri ka të drejtë të bëjë zgjedhjen e tij personale. Vajzat e Kosovës kanë të drejtë të kërkojnë këtë liri sepse mbulesa është diçka që lejohet në të gjitha vendet e Evropës. Ta zëmë vajzat në Gjermani vajzat mund të shkojnë në shkollë me mbulesë dhe nuk i pengon askush, përse të mos lirohen edhe këtu”, thotë Hana Limani e cila ka vendosur mbulesën fetare në moshën 18 vjeç.
“Mendimi është se çdokush ka të drejtë të vishet e të duket si të dëshiroj dhe nuk mendoj se duhet të kushtëzohemi me moshë, nuk është diçka që mund ta kushtëzosh me moshë. Këtu (në Kosovë) kjo gjë të bën të veçohesh shumë, të bën të ndihesh indiferente dhe jo e barabartë me të tjerët”, thotë Fatime Islami e cila përdorë mbulesën fetare tash e 11 vjet.
Luljeta Demolli, nga Qendra e Kosovës për Studime Gjinore, thotë se nuk është koha për ndryshime të tilla, meqë së pari duhet të hapet një debat i gjerë për këtë çështje.
“Faktikisht është një çështje shumë delikate sepse ka të bëjë me Kushtetutën e Kosovës, me të drejtat e njeriut, me identitetin e shtetit, me vlerat e shtetit për të cilat tashmë jemi përcaktuar. Ky debat është zhvilluar ndërmjet militanteve ekstrem pro edhe kundër shamisë. Por unë mendoj që duhet të jipet një kohë dhe të përfshihen edhe grupet e tjera, ekspertët, organizatat e grave”, thotë ajo.
Zonja Demolli vlerëson se institucionet duhet të përqendrohen tash për tash në ngritjen e shkallës së punësimit të grave të mbuluara.
“Nuk ka gra të mbuluara që punojnë në institucione, kjo ka qenë një brengë e jona, jemi deklaruar publikisht që të shihen mundësitë që gratë të cilat janë të rritura, që kanë vendimmarrjen e tyre, të kyçen në tregun e punës”, thotë ajo.
Udhëheqësit e Bashkësisë Islame të Kosovës vazhdimësi bëjnë thirrje për ndryshimin e udhëzimit administrativ të ministrisë së Arsimit i cili ndalon uniformat fetare në shkolla, që sipas tyre po u shkakton vështirësi në shkollim vajzave që duan të përdorin shami. Megjithatë ata kërkojnë që çështja të zgjidhet në rrugë institucionale, duke bërë thirrje për miratimin e ligjit për liritë e besimit që do të zgjidhte edhe shumë shqetësime të bashkësive fetare në Kosovë.