Presidenti Joe Biden tha të mërkurën se qeveria e Shteteve të Bashkuara do të falë nga 10,000 dollarë hua për miliona ish-studentë universitarë, duke mbajtur një premtim që bëri në fushatën për Shtëpinë e Bardhë në vitin 2020.
Kjo lëvizje mund të rrisë mbështetjen për demokratët e partisë së tij në zgjedhjet e Kongresit të nëntorit, por disa ekonomistë thonë se mund të nxisë inflacionin dhe disa republikanë në Kongres ngritën pikëpyetje nëse presidenti kishte autoritetin ligjor për të anuluar borxhin.
Kjo masë është "për familjet që kanë më shumë nevojë për to - punëtorët dhe njerëzit e klasës së mesme që u goditën veçanërisht rëndë gjatë pandemisë," tha zoti Biden nga Shtëpia e Bardhë. Ai u zotua se asnjë familje me të ardhura të larta nuk do të përfitonte, duke iu përgjigjur kështu njërës prej kritikave kryesore ndaj planit.
"Unë kurrë nuk do të kërkoj falje kur ndihmoj amerikanët që punojnë dhe klasën e mesme, veçanërisht nuk do t’u kërkoj ndjesë atyre që votuan për një ulje taksash prej 2 trilion dollarësh nga e cila përfituan kryesisht amerikanët më të pasur dhe korporatat më të mëdha," tha zoti Biden, duke iu referuar një ligjit për shkurtimin e taksave që u miratua gjatë administratës së ish-presidentit Donald Trump.
Shumë demokratë kishin kërkuar që zoti Biden të falte deri në 50,000 dollarë për çdo huamarrës. Republikanët e kundërshtuan faljen e kredive studentore, duke e quajtur atë të padrejtë sepse do të ndihmojë në mënyrë disproporcionale njerëzit që fitojnë të ardhura më të larta.
"Socializmi i huasë studentore të Presidentit Biden është një shuplakë për çdo familje që sakrifikoi duke kursyer për universitetin, çdo të diplomuar që pagoi borxhin e tij dhe çdo amerikan që zgjodhi një rrugë të caktuar karriere ose shërbeu në Forcat tona të Armatosura për të shmangur marrjen e borxhit," tha të mërkurën udhëheqësi i pakicës republikane në Senat, Mitch McConnell.
Konsumatorët amerikanë kanë një borxh masiv prej 1.75 trilion dollarësh në kredi studentore, rezultat i kostos së lartë të shkollimit universitar, shumë më e lartë se në shumicën e vendeve të tjera të pasura. Zoti Biden tha se vendet e tjera mund t’ia kalojnë Shteteve të Bashkuara ekonomikisht nëse studentëve nuk u ofrohet lehtësim ekonomik.